Edi Rama paralajmëroi shkarkimin e Ilir Metës, teksa tha se do të marrë përgjigjen e duhur për këtë krizë për përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që sipas kryeministrit është sajuar artificialisht nga vetë presidenti.
Nga foltorja e Kuvendit, Rama i bëri thirrje Komisionit Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Metës, Komisionit të Ligjeve dhe të gjithë deputetëve të tij, ta konsiderojë seriozisht këtë çështje dhe të shkojnë të votojnë për neutralizimin e akteve antikushtetuese të presidentit.
Më tej, ai u ndal te Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, duke e cilësuar këtë një institucion të pavarur dhe të vetmin që ka detyrimin të udhëheqë procesin e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe t’i vendosë përpara presidentit dhe kuvendit listat e kandidaturave sipas mekanizmave të mirëpërcaktuar dhe sipas radhës për të zgjedhur
“Gjithë kjo krizë e sajuar artificialisht nga Ilir Meta dhe gjithë frontit kundër Reformës në drejtësi do të marrin drejtimin e duhur dhe përgjigjen e duhur deri në fund nga ne.
Duke tundur themelet e cdo pasurie të krimit dhe po ashtu duke tundur themelet nën këmbët e kujtdo që brenda sistemit të drejtësisë është bashkuar me krimin. Sa i përket cështjes për të cilën jemi mbledhur, ajo që di është se asnjë Kushtetutë, në asnjë vend demokratik, nuk mund të parashikojë se një vendi mund t’i bjerë taksirati t’i bjerë një Presidenti si Ilir Meta.
Për këtë arsye, ky Kuvend duhet të marrë masa ligjore për të krijuar të gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj cdo akti flagrant e brutal të atij që zyrën e presidentit e ka kthyer në një frëngji për të shantazhuar parlamentin, ndërkombëtarët, popullin shqiptar. Besoj se Komisioni për Shkarkimin e Metës duhet ta konsiderojë shumë seriozisht edhe paketën e rekomandimeve për Kuvendin, ashtu sikundër në dritën e kësaj ngjarjeje të re Komisioni i Ligjeve dhe gjithë deputetët duhet të kontribuojnë për të ardhur këtu në Kuvend dhe për të votuar neutralizimin e akteve antikushtetuese të presidentit.
Merreni me mend, kemi bërë një reformë drejtësie për të hequr interesat e politikës dhe pazaret e politikës nga procesi i emërimeve. Kemi ngritur një institucion të posacëm, të pavarur, KED, i cili është institucioni i vetëm që ka detyrimin të udhëheqë procesin dhe t’i vendosë përpara presidentit dhe kuvendit listat e kandidaturave sipas mekanizmave të mirëpërcaktuar dhe sipas radhës për të zgjedhur. Nuk ka interpretime të mundshme për këtë proces. Nuk mund të komentojmë marrëzitë e Ilir Metës, por na ka rënë ky taksirat”, tha Rama.