Sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Vjenë ka kritikuar qeverinë në raportin periodik që përmbledh ecurinë e reformave. Duke u ndalur në një sërë kapitujsh të dedikuar theksi vihet tek ecuria e reformave që sipas dokumentit kanë avancuar vetëm në letër.
“Progresi në reformat strukturore në sektorin energjetik në Shqipëri ishte vetëm në letra këtë vit. Operatori i Sistemit të Transmetimit mund të konsiderohet totalisht i ndarë pas transferimit të kompetencave larg Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Por ndarja funksionale mes shpërndarjes dhe furnizimit është e vonuar. Tre kompanitë e reja të ndara ligjërisht të dedikuara për shpërndarjen, shërbimin universal dhe furnizimin me energji nuk kanë kapacitete të veprojnë të pavarura nga zotëruesi i aseteve dhe ofruesi i licencuar i gjithë shërbimeve që është i integruar vertikalisht tek OSHEE. Çështja e hapur ndaj këtij rasti të përmbushjes së kërkesave të ndarjes u çua një nivel më tej me një letër dërguar Kryeministrit të Shqipërisë, kurse partnerët ndërkombëtarë kërkuan që opsioni i integrimit të OSHEE dhe kompanisë që zotërohet nga KESH në një të vetme të braktiset për shkak të ndikimit që mund të sjellë në konkurrencë dhe likuiditet” thuhet në raport.
Sekretariati vlerëson se gjatë këtij viti avancimin më të mirë e ka bërë Mali i Zi përmes reformave dhe zbatimit duke mbajtur vendin e parë ndërsa e dyta Maqedonia e Veriut e cila ka lënë pas edhe Serbinë teksa Ukraina renditet e katërta.
Raportet e zbatimit të reformave të publikuara nga Sekretariati janë të një rëndësie themelore për shtetet pasi ky i fundit është raportues direkt i avancimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Komisionin Europian. Prej vitesh vendet e Ballkanit Perëndimor ndiqen për ecurinë e reformave sipas detyrave të lëna nga procesi u Berlinit.