Sot kur shënojmë Festat e Nëntorit dhe kur shqiptaria është stolisur Kuq e Zi, duhet të ndjehemi mburrshëm e krenarë me atë që trashëguam nga e shkuara, por edhe të kthejmë shikimin nga e sotmja trishtuese e të shohim se atë që është palca e boshtit kurrizorë të shqiptarisë, se më të vlefshmen që kemi – rininë, e lamë pa ideale, ia venitëm të gjitha ëndrrat dhe ia harxhuam të ardhme.
Pra të shohim se rininë e lamë në duart e manipuluesve të ndryshëm dhe politikanëve të papërgjegjshëm, me çka e prumë në situatë t’i braktisë trojet e të parëve dhe t’i ngjajë kalorësit që shkon deri atje ku e çon kali pa frerë i pashpresës! Me çka u bëmë popull që ka më shumë flamujbartës Kuq e Zi jashtë, se sa në trojet shqiptare.
Sot kur do festojmë Ditën e Flamurit, ne duhet t’i themi Piktorit të ‘Rilindjes’ se është duke parë ëndrra gomerësh nëse beson se jemi aq mendjelehtë sa të na bind se të rinjtë shqiptarë e braktisin vendlindjen të nxitur nga telefonat celular dhe nga pozita gjeografike e Shqipërisë!? Pra duhet atij thënë qartë e shqip se pozita e Kryeministrit nuk të lejon të tallesh me inteligjencën kolektive të popullit tënd as atëherë kur e ke humbur çdo pushtet mbi vetveten.
Dhe shumë burrështetasve hajdutokratë të ‘Shqipërive’ tona duhet thënë se përderisa atdhetarët e dikurshëm dhe Rilindësit na lanë trashëgimi mburrjen, krenarinë, flamurin, alfabetin dhe Shqipërinë, ata na lanë shtete pa rini dhe të marrë peng nga krimi e keqqeverisja.
Sot kur i shënojmë Festat e Nëntorit, duhet shpjeguar këtij populli se e jeton kohën kur burrështetas kriminelë e hajdutë miratojnë ligje për ta mbrojtur shtetin nga mëkatet e varfanjakëve, por jo edhe nga vetvetja e tyre prej hajduti. Pra duhet shpjeguar popullit se e jeton kohën ku ‘Shqipëritë’ tona i amnistojnë politikanët hajna e të ligë, por nuk ua falin mëkatet hallexhinjve e të papushtetshmëve.
Pra duhet thënë këtij populli se burrështetasit shqiptarë lëvdohen se ata i don dhe i mbështet popullit, por duke u mbrojtur me truproje dhe vetura të blinduara nga popull i vet duarthatë e i varfër. E në vend që të ndodhte e kundërta: që shqiptaria të organizohej për t’u vetëmbrojtur nga këta banditë e kriminelë partiak, nga këta burrështetas që kopshtin e mirëqenies së pasardhësve të vet, e ujisin me lotët e fëmijëve varfanjak!
Po pra, sot duhet të rikujtojmë se patriotët dhe Rilindësit na lanë trashëgimi alfabet, flamur e Shqipëri, ndërkaq hajdutokratët e sotëm ndërtuan shtete me institucione të partizuara, me gjykata që e zbatojnë ligjin vetëm ndaj hallexhinjve që vjedhë 50 euro për t’i ushqyer fëmijët, por jo edhe ndaj politikanit që e plaçkit popullin, me sistem të rrënuar shëndetësorë ku vdesin varfanjakët, e ku nuk shkojnë të mjekohen burrështetasit milionerë, me institucione publike arsimore ku libreza partiake ta siguron edhe titullin shkencor…, me shenjë njohëse keqqeverisjen dhe korrupsionin!
Dhe sot ne duhet ta pranojmë dështimin tonë kolektiv, e që më së miri e pasqyrojnë partitë shqiptare që ngjanë në sekte politike. Parti që janë shndërruar në strehimore edhe për të paaftët, edhe për kriminelët si dhe për kryehajdutët që i drejtojnë ato. Në strehimore për ata që edhe të shkuarën tonë të lavdishme e përdorin si mbulesë për hajdutërinë e tyre të sotme.