Almir Cara, 29 vjeç nga Thumana dhe e fejuara e tij Diastela Steneci, 25 vjeçe, nga Korça, u varrosën sot nga të dashurit e tyre, secili në vendlindjen e vet. Të dy bashkë ata janë pjesë të fatit tragjik të familjes Cara, që u shua: nga 9 anëtarë, vetëm 2 mbijetuan, kurse të tjerët vdiqën në rrënoja.
Të dy bashkë, ata janë që nga 26 nëntori, gurë të rëndë të një tragjedie shqiptare që përloti botën; imazhe të paharruara që të thyejnë zemrën, rini e bukur e varrosur.
Harta e amerikanëve: Ja ku goditi më shumë tërmeti
Kompania “IDS”ku punonte Stela, ka përcjellë një mesazh prekës tek punonjësit e saj që janë kryesisht të rinj, në të cilin thotë: “Humbjet e jetëve nga tërmeti i së martës na kanë prekur të gjithëve e na kanë bërë të reflektojmë mbi rëndësinë e gjërave që realisht kanë vlerë.
Nëse për ne mbeti thjesht frikë, por jemi shëndoshë e mirë, kjo gjë nuk ndodhi për të gjithë personat që sot nuk jetojnë më. Për ta kjo frikë u kthye në realitet. Dikush humbi fëmijën , dikush motrën, dikush vëllanë e dikush të gjithë familjen. Fatkeqësisht dhe ne u prekëm më nga afër nga kjo tragjedi kombëtare.
Humbëm kolegen dhe miken tonë, Diastela Steneci, e cila nisej përditë nga Thumana, e papërtuar, për të punuar pranë zyrave tona, e mbushur me pozitivitet dhe një mirësjellje që do të na ngelë përherë në memorie .
Jeta merr kuptim tjetër kur thjesht një ditë më parë jemi përshëndetur me të në mëngjes, kemi punuar gjithë ditën së bashku e kemi thënë në fund të ditës “shihemi sërish nesër”.
Por për Stelën, e nesërmja u ndërpre duke na dhënë një leksion të madh, por në mënyrë shumë të hidhur. Të mos marrim asgjë për të mirëqënë.
Të vlerësojmë ditën dhe të jemi të sjellshëm e të dhimbsur me njëri- tjetrin. Të mos hidhërohemi për gjëra të kota e të kuptojmë sa me fat jemi që atë mëngjes të trishtë ne u çuam sërish dhe pamë ditën e re që lindi, ndryshe nga mikja jonë që mbylli sytë përgjithmonë.
Thonë se u gjet pranë njeriut të saj të zemrës e kjo na ngushëllon disi duke ditur se në ato momente të frikshme ajo nuk ishte vetëm. Lamtumirë Stela, shpirti yt u prehtë në paqe. Me respekt dhe përzemërsi, stafi IDS”.