Një tjetër familje e goditur rëndë nga tërmeti i 26 nëntorit ishte familja Çupi, me origjinë nga Mati, por banues në Thumanë prej dy dekadash.
Hajredin dhe Lutfie Çupi, 66 dhe 59 vjeç, humbën jetën së bashku me djalin e tyre, Klementin 34 vjeç.
Tërmetit i mbijetoi vetëm djali tjetër i tyre, Micoli 31-vjeçar.
Ky i fundit ndodhet në Spitalin e Traumës. Të afërmit ia kanë treguar të vërtetën e hidhur dhe mjekët me shumë vështirësi e kanë vendosur nën efektin e qetësuesve pasi mësoi për humbjen e rëndë.
Megjithatë ai kërkoi të ishte në varrim, por nuk mund të lëvizte.
Klement Çupi sapo ishte kthyer nga Anglia. Ai punonte taksist në Oksford. Mediat e Oksfordit e kanë vlerësuar si një djalë të zgjuar dhe punëtor.
Familja jetonte prej 20 vitesh te pallati i shembur. Ajo nuk kishte mundësi financiare ta braktiste banesën pas tërmetit të 21 shtatorit.