Djali i madh i familjes Greku, që humbi tre pjesëtarë nën rrënojat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit, flet për dhimbjen e madhe që i ka rënë mbi supe.
Në një intervistë për gazetarin Enver Doçi, ai tregon se ishte në Francë, kur ra tërmeti katastrofik. Ai kishte dy muaj që ishte larguar nga shtëpia së bashku me nusen dhe dy fëmijët, siç thotë ai, për një jetë më të mirë, por edhe për të ndihmuar familjarët.
“Jam pjesëtar i familjes që ishin në tragjedi. Morëm lajme të hidhura, siç nuk dëshironim. Ne qëlluam në Francë dhe nuk ishim këtu. Kisha nja dy muaj që isha larguar nga Shqipëria për një të ardhme më të mirë. Besoja se do ishte diçka më e mirë për ne, mbase do ishte të ndihmonim dhe njëri-tjetrin, por u detyrova të kthehem.
Ne jetonim të gjithë bashkë, mami, babi, vëllai me nusen e gocën, unë me nusen e fëmijët, si dhe motra, që punonte në Tiranë dhe rrinte më shumë andej. Mundësitë tona aq ishin dhe jetonim të gjithë bashkë. Pastaj, më dhanë mundësinë mua për të ecur përpara dhe për të ndihmuar edhe këta”, shprehet ai.