Këshilltari për Ekonominë në PD, Dorian Teliti risolli edhe njëherë në vëmendje në studion e ‘Tempora’ në RTV Ora faktin se ekipet shqiptare të shpëtimit u përballën me pasojat e tërmetit të 26 nëntorit pa mjetet dhe përvojën e duhur.
Duke përmendur këtë fakt, Teliti tha se disa jetë mund të ishin shpëtuar.
Ndërsa theksoi se tërmeti ishte plagosës por jo vrastar.
Dorian Teliti: ‘Nuk kanë qenë të përgatitura strukturat nga pjesa vizuale dhe jo më nga pjesa e përgatitjes. Përveç faktit që nuk kishin kapele, maska, mjete ata edhe vetë nuk ishin trajnuar se çfarë të bënin.
Bazuar në informacionet e terrenit, në orët e para njerëzit maksimumi që mund të bënin ishte të lëviznin me duart e tyre me një instinkt të tyre personal pa trajnim e duhur atë çfarë duhet të bënin në realitet. Dhe kur erdhën trupat e Kosovës, Greqisë, fatmirësisht erdhën trupa profesionale, aty u pa më pas se cila ishte puna që duhet të bënim.
Mirë që nuk kishim vegla, fatkeqësi e madhe, mirë që nuk kishim mjete por nuk kishim as njohuritë bazë se çfarë duhet të bënim. Fatkeqësisht kemi konstatuar, nuk dua ta them me siguri të plotë, se disa jetë edhe mund të ishin shpëtuar nga ato që u humbën.
Tërmeti ishte shumë plagosës por nuk ishte vrastar. Ky tërmet duhet të dëmtonte godinat por nuk duhet të rrafshonte godinat. Ajo që ka ndodhur është në sajë të neglizhencës 30 vjeçare.’