Komisioni Europian njoftoi sot se vendet anëtare kanë rënë dakord të zhvillojnë në janar, në Shqipëri, një konferencë donatorësh për të ndihmuar vendin ballkanik në procesin e rindërtimit, pas një tërmeti që shkaktoi vdekjen e 51 personave në fund të nëntorit, shkruan gazeta amerikane “The New York Times”.
Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen ofroi angazhimin e bllokut për “periudhën e gjatë të rindërtimit”.
Tërmeti me magnitudë 6,4 ballë Rihter la më shumë se 13 000 të pastrehë dhe dëmtoi më shumë se 14 000 ndërtesa. Një numër inxhinierësh ndërtimi janë duke përcaktuar ndërtesat ku mund të banohet ende.
Shqipëria ka kërkuar ndihmë financiare ndërkombëtare për rindërtimin që ajo ka premtuar ta përfundojë deri në fund të vitit 2020.
Qeveria ka dhënë deri tani 13 miliardë lekë (117 milionë dollarë) për këtë proces. Gjithashtu sot, prokurorët dhe policia në qytetin e Durrësit thanë se kishin arrestuar nëntë persona me dyshimin për ndërtime të paligjshme dhe abuzim me detyrës. Cilësia e dobët e ndërtimeve besohet të jetë arsyeja pse shembja e ndërtesave shkaktoi 23 viktima në qytetin e Durrësit.