Nga Kastriot Dervishi
Ishte vetë 27 vjeç kur erdhi në Shqipëri. Mbi 60 vjeç u largua. Iku nga e keqja, por gjeti një ferr edhe më të madh sepse Shqipëria kishte një regjim antikombëtar, mirëfilli antikosovar. Jahir Halili, lindur në vitin 1923, në Rrjepë të Podujevës ishte njëri nga shqiptarët e Kosovës që do burgosej për shumë vite. Erdhi në Shqipëri në fundin e vitit 1950 kur ishte vetëm 17 vjeç sepse kërkohej në Jugosllavi dhe u dërgua për të banuar në Berat. Do vinte në Shqipëri pasi kish vuajtur 2 vjet burgim në Jugosllavi për arratisje.
-Periudha e vuajtjes së burgimit, sipas viteve:
1951-1970: 19 vjet, 3 muaj, 13 ditë
1975-1985: 10 vjet
-Mosha në fillim të dënimit: 27 vjeç
-Mosha në mbarim të dënimit: 58 vjeç
Dënimi i parë
Duke qenë punëtor në fermën e Otllakut në Berat, së bashku me shokët e tij dy persona emigrantë (njëri ndër ta Muharrem Mazreku, 19 vjeç nga Vokshi, banues në Berat, kish ardhur në Shqipëri më 27.5.1951) dhe një shtetase shqiptare, tentuan të arratisen. Tre meshkujt ishin shtetas jugosllavë. Regjimi e klasifikoi veprën e tyre si qëllim agjenturor sepse kishin “grumbulluar të dhëna” dhe do i çonin në Jugosllavi, ndërsa i vetmi shkak ishte në të vërtetë gjendja e rëndë ekonomike e Shqipërisë dhe mungesa e çdo lloj lirie këtu. U arrestuan më 29.8.1951 në një fshat të Elbasanit, në përpjekje për t’u arratisur. U mor në pyetje nga mareshal Thoma Vani. Aktet i nënshkruan me gisht pasi nuk di të shkruajë e lexojë. Në fermën e Otllakut kishte veçse disa muaj, nga maji i atij viti. U akuzuan në bazë të nenet 2, 3/10 të ligjit nr.372, datë 12.12.1946, d.m.th. për arratisje dhe spiunazh. Procesit i kishin dhënë ngjyrë të fortë agjenturore, në një kohë që të gjithë ata donin vetëm të arratiseshin. Me vendimin nr.4, datë 4.1.1952 Gjykata Ushtarake Territoriale Durrës, me veprim në Berat i deklaroi fajtorë dhe tre meshkujt i dënoi me nga 15 vjet burgim e punë të detyruar.
Ridënimi
Duke vuajtur dënimin në kampin nr.1 në Urën Vajgurore, shqiptarët e Kosovës, Jahir Aliti dhe Muharrem Mazreku orvaten të arratisen sërish, por më 16.8.1952 kapen nga forcat kufitare në Rrethin e Pogradecit fare pranë Shën-Naumit. Sërish procesi tentohet të thuhet sikur buronte nga veprimet agjenturore e po ashtu u gjykua nga Gjykata Ushtarake Territoriale Durrës. U akuzuan me nenet 65 (spiunazhi) dhe 237 (arratisja nga kampi) të Kodit Penal. Me vendimin nr.26, datë 26.11.1952, Gjykata Ushtarake Territoriale Durrës, me veprim në Berat i deklaroi fajtorë dhe i dënoi: Muharremin me 25 vjet dhe Jahirin me 20 vjet. Nuk u kërkua konfiskimi i pasurisë pasi nuk kishin të tillë. Megjithëse akuzat janë të rënda, nga procesi nuk del asnjë informatë me karakter agjenturor. Gjithçka kot. Midis të tjerash në vendimin e shkruar gjithë gabimet të gjykatës gjenden edhe këto fjalë krejt pa lidhje me ngjarjet:
“Në një kohë kur populli shqiptar po ndërton jetën e re, jetën e socializmit, në një kohë kur kampi socialist me në krye BS-në është bërë një forcë e madhe për mbrojtjen e paqes, ku mbrojtjen e paqes po e mbrojnë gjithë popujt e botës, një nga këta popuj është edhe ai i Jugosllavisë që po bën çdo përpjekje për të shpëtuar nga jeta skllavëronjëse e diktaturës së Titos dhe UDB-së…”.
Si përfundim, Jahiri lirohet nga Burgu nr.321 i Burrelit më 3.12.1970, pasi kishte vuajtur plot 19 vjet, 3 muaj, 13 ditë dhe caktohet të banojë në Tepelenë. Muharremi u lirua më 10.12.1972 nga kampin nr.309 Ballsh pasi kish vuajtur 21 vjet, 3 muaj, 12 ditë. Iu caktua për banim Çerma e Lushnjës.
Dënimi i tretë
Duke banuar në Tepelenë, Jahiri arrestohet prapë më 27.11.1975. Me vendimin nr.101, datë 22.12.1975 Gjykata e Rrethit të Tepelenës e deklaroi fajtor dhe në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal e dënoi me 10 vjet të tjera heqje lirie. U la në fuqi me vendimin nr.3, datë 9.1.1976 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.