Hetimi për financimet e PD ka nisur me kërkesë të PD një vit e gjysëm më parë. Ai nuk ka të bëjë më gënjeshtrat që propagandon qeveria, por nëse PD i ka plotësuar siç duhet formularët financiarë në KQZ.
• Përgjigjet nga SHBA dhe Britania e Madhe, të ardhura prej 6 muajsh, vërtetojnë se PD nuk ka shkelur asnjë ligj. Qeveria e aktivizon hetimin sa herë i duhet për nevoja politike. I kam kërkuar prokurorisë t’i bëjë publike përgjigjet e ardhura.
DEKLARATA E KRYETARIT TË PD LULZIM BASHA PARA PROKURORISË
Jemi thirrur sot në prokurori për të dhënë informacione si persona që mund të kenë dijeni për rrethanat e hetimit. Dua ta bëj të qartë, për gjithësecilin prej jush sot këtu dhe, përmes jush, të gjithë qytetarët, se hetimi i hapur tashmë prej një viti e gjysëm bëhet mbi bazën e nenit 190 për çeshtjen e plotësimit të formularëve të deklarimit në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
Pra çeshtja që po hetohet me kërkesë të Partisë Demokratike, është nëse këta formularë janë mbushur apo jo siç duhet. Ky është hetimi dhe jo gënjeshtrat dhe shpifjet për të cilat është investuar fuqimisht qeveria e cila e aktivizon këtë hetim, sa herë i duhet për nevoja politike.
Ka një vit e gjysëm që ka nisur ky hetim, ka më shumë se gjashtë muaj që kanë ardhur përgjigjet nga SHBA dhe Britania e Madhe, nga Skocia, të cilat vertetojnë se as Partia Demokratike, as një drejtues i PD nuk ka shkelur asnjë ligj, as në Shqipëri, as në SHBA dhe as në Britaninë e Madhe.
Ndaj i kam kërkuar prokurorisë dhe ju nxis ju t’i kërkoni t’i bëjë publike përgjigjet e ardhura nga SHBA dhe Britania e Madhe.
Pyetje: Kur jeni njohur me letërporositë?
Basha: Sot
Pyetje: Çfarë thoshin letërporositë?
Basha: Unë edhe njëherë ju nxis t’i kërkoni prokurorisë të bëjë publike përgjigjet e ardhura prej më shumë se gjashtë muajsh nga SHBA dhe Britania e Madhe, të cilat vërtetojnë se PD dhe drejtuesit e saj nuk kanë shkelur asnjë ligj.
Faleminderit, ditë të mbarë!