Përfaqësuesit e PD-së, Dorian Teliti, Mateo Spaho dhe Akil Kraja u takuan sot me Shoqatën e Biznesit të vogel dhe të mesëm.
Në takim u diskutua për situatën e vështirë në të cilën po kalon biznesi, sidomos biznesi i vogël.
Pas takimi përfaqësuesi i PD, Dorian Teliti, dha një prononcim për median:
“Sapo përfunduam takimin me përfaqësues të biznesit të vogël dhe të mesëm, shoqatën e biznesit të vogël të Shqipërisë ku kemi diskutuar mbi hallet dhe problematikat të cilat po përjeton biznesi i vogël dhe i mesëm i Shqipërisë jo sot, jo dje por gjatë 6 viteve të qeverisjes së PS.
Me keqardhje të madhe konstatojmë që hallet dhe problemet e tyre vazhdojnë gjithnjë e më shumë të rriten dita-ditës dhe takimi i sotëm ka ardhur pikërisht në vazhdën e takimeve e diskutimeve në teren që ne kemi pasur anë e mbanë Shqipërisë, ekipi i PD-së dhe i opozitës së bashkuar me bizneset e vogla dhe të mesme.
Deri më sot kemi zhvilluar 58 takime anembanë Shqipërisë, në qytetet e Shqipërisë që nga Shkodra, Saranda, Durrësi, Tirana e kështu me radhë dhe hallet e problematikat e tyre janë nga më të ndryshmet. Në rastin më të mirë ato shprehen se janë përgjysmuar shitjet krahasuar jo me 6 vite më parë por krahasuar dhe me vitin e kaluar.
Pra, biznesi i vogël dhe i mesëm në Shqipëri shet gjysmën e asaj që shiste një vit më parë. Ka prej tyre biznese që kanë ulur xhiron e tyre edhe me 5 herë dhe kjo ka ardhur vetëm si pasojë e politikave të gabuara të qeverisjes, e taksidarëve që vazhdojnë dita-ditës të futen me dhunë në ambientet e biznesit duke i marrë dhe ato pak fitime që ata kanë, nga çmimi i lartë i energjisë, nga çmimi i lartë i karburantit i rritur, nga çmimi i ujit, i gjithë faturave tatimore dhe të sigurimeve shëndetësore e shoqërore të cilat nuk vonojnë as edhe një orë për t’iu ardhur në ambientet e tyre të biznesit ndërkohë që shteti nuk është prezent, strukturat nuk janë prezentë dhe vazhdojnë dita-ditës të rrënojnë biznesin.
Biznesi i vogël dhe i mesëm në Shqipëri e kudo është zemra e çdo ekonomie, është zemra e ekonomisë shqiptare, e cila sot po përjeton një infarkt i cili është i tmerrshëm, që ka ndrydhur praktikisht ekonominë shqiptare dhe që i zhyt shqiptarët akoma dhe më shumë në varfëri.
Ajo që ne diskutuam me përfaqësuesit e biznesit të vogël dhe të mesëm, me drejtuesin Nasto dhe kolegët e tij ishin dhe hapat e mëtejshëm që ne do të ndërmarrim në të ardhmen për përforcimin e marrëdhënieve tona, për përforcimin e bashkëpunimit të opozitës së bashkuar me shoqatën e biznesit me një interes të vetëm, mbështetjen e biznesit të vogël dhe të mesëm që ai të fuqizohet, ai të zhvillohet, ai të ketë mundësi pse jo të hapë edhe vende të reja pune dhe që të gjithë bashkërisht në ekonominë shqiptare të përjetojmë disa momente të mira dhe jo këto momente të tmerrit, këto momente të falimentit që po përjetojnë jo vetëm sot, jo vetëm dje por gjatë 6 viteve të fundit.
Jemi në një situatë emergjence kombëtare! Kishim në datën 26 nëntor tërmetin natyror por kemi pasur dhe po përjetojmë dhe një tërmet ekonomiko-financiar të bizneseve të ekonomisë shqiptare. Bizneset po falimentojnë, po mbyllen me dhjetëra biznese çdo ditë, çdo mëngjes me dhjetëra biznese nuk hapin më qepenat e tyre. Dje funksiononte, sot jo. Pardje funksiononin, dje i kanë mbyllur qepenat e tyre.
Janë me dhjetëra e mijëra biznese që kanë falimentuar gjatë vitit 2019 vetëm si pasojë e faktit që nuk ka shitje, nuk ka konsum, qytetarët shqiptarë nuk kanë para në xhepin e tyre për të blerë qoftë edhe produktet bazë dhe vazhdojnë të shtohen dita-ditës dhe ato pak biznese të hapura që kanë mbetur, listat ushqimore ku njerëzit me mund dhe lypin praktikisht tek tregtarët e vegjël që t’i japin vajin, sheqerin, bukën, djathin, gjalpin me listë ushqimore. Jemi në vitin 2019, jemi 29 vite nga hapja e tregut të lirë në ekonominë shqiptare por fatkeqësisht tranzicioni vazhdon të ekzistojë në tryezat e familjeve dhe të bizneseve dhe ne sot përballemi me një situatë e cila është alarmante.
I kemi parashtruar shoqatës së biznesit të vogël dhe vizionin tonë për sa i përket mbështetjes së biznesit të vogël, e cila duhet të jetë tashmë një prioritet absolut kombëtar për sa i përket zhvillimit ekonomiko social të vendit tonë, në mënyrë që ne të ringjallim shpresën dhe të gjallërojmë ekonominë shqiptare, e cila tashmë po vuan efektet marramendëse dhe efektet shumë negative të politikës tërësisht të gabuar, tërësisht oligopolistike, tërësisht klienteliste dhe tërësisht korruptive të qeverisjes aktuale të kryeministrit Edi Rama’, – deklaroi Teliti.