BallinaAktualitet2019-ta, viti ku tërmeti politik dhe institucional “u shua” nga lëkundjet e...

2019-ta, viti ku tërmeti politik dhe institucional “u shua” nga lëkundjet e 26 nëntorit

spot_img
spot_img

Nga Herion MESI

Një vit me ngjarje të bujshme, me politikë, protesta, dorëheqje, djegie mandatesh, vetting, përplasje të ashpër institucionale të Presidentit të Republikës me Qeverisë, betime të gjykatësve të Kushtetueses tek Noteri, e së fundmi me një tronditje që goditi të gjithë Shqipërinë, siç ishte tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, që mori jetën e të paktën 51 personave, dhe që plagosi mbi 1 mijë të tjerë, pa llogaritur këtu dëmet ekonomike që Shqipërisë do i duhen vite për t’i rikuperuar. Zhvillime që mediat i kanë ndjekur hap pas hapi, me profesionalizëm, për të informuar publikun në kërkim të së vërtetës me çdo kusht. Por për kryeministrin Edi Rama ato raportime janë “shpifje”. Dhe si e tillë ishte “dhurata” e fundvitit nga kjo mazhorancë ligji i “Anti-shpifjes”, që në fakt rezulton se është një nismë censure që kjo shumicë qeverisëse kërkon të realizojë në Shqipëri 30 vite pas përmbysjes së diktaturës moniste.

Pas djegies së mandatave nga opozita gjithçka mori një tjetër rrjedhë. Opozita zbriti në sheshe, ku për më shumë se katër muaj ajo zhvilloi një sërë protestash të forta, në të cilat nuk munguan ushtrimi i dhunës, sulmet e policisë ndaj qytetarëve me gaz lotsjellës, ku u lënduan me qindra, dhe po kaq ishin edhe të arrestuarit gjatë kësaj periudhe. Situata paradoksale do të vazhdonte me muaj në Shqipëri. Nga njëra anë maxhoranca socialiste dhe partitë opozitare parlamentare vijonin fushatën për të zhvilluar zgjedhjet lokale të dielën e 30 qershorit. Nga ana tjetër opozita jashtë parlamentit dhe Presidenti Meta këmbëngulin që nuk do të ketë zgjedhje. Ai e kushtëzoi kohën e ndërmarrjes së një nisme nga ana e tij  për të ulur palët në bisedime me “ditën kur maxhoranca socialiste do të tërhiqet nga paligjshmëria.” Ky moment u pasua me një tjetër vendim delikat, ai i refuzimit të propozimit, por që mazhoranca e çoi dhe më tej, ku jo vetëm se nuk hoqi dorë nga mbajtja e votimeve moniste, por do të niste procedurat për shkarkimin e Presidentit. Veprime këto që çuan llogjikshëm në dështimin e tretë të qeverisë “Rama” në procesin e çeljes së negociatave me BE-në. Me pak fjalë, 2019-ta ishte një vit i vrullshëm, i ngjeshur me ngjarje të shumta, por që tashmë po mbyllet, për t’i lënë rrugë ardhjes së 2020-ës, i cili do të nisë pikërisht me ato problematika që trashëgon ky fundvit: rindërtim nga tërmeti si dhe vijim i përplasjeve të forta politike dhe institucionale, ku betejë themelore duket se do të jetë ajo e Gjykatës Kushtetuese, si dhe “beteja” për çeljen e negociatave me BE-në. Në vetëm 2 vite e 8 muaj, në krye të shtetit, presidenti Ilir Meta, e ka refuzuar me dekret Edi Ramën në shumë herë, duke kulmuar me përplasjen për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, ku kreu i shtetit akuzon direkt Edi Ramën se po përpiqet të kapë Gjykatën më të rëndësishme në vend, ndërsa kreu i Ekzekutivit pretendon se Presidenti po pengon ngritjen e këtij institucioni. Dhe për të thelluar më shumë këtë betejë për Kushtetutën, Presidenti Ilir Meta ka kallëzuar penalisht kreun e Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani.

Ja disa nga ngjarjet që shenjuan 2019-n si një vit problematik:

10 Janar – Meta nuk dekreton Cakajn ministër të Jashtëm

Presidenti i Shqipërisë nuk e ka dekretuar si ministër kosovarin Gent Cakajn për Evropën dhe Punë të Jashtme. Shkas është bërë qëndrimi i tij pro korrigjimin e kufijve mes Kosovës e Serbisë. Për këtë Meta, i ka dërguar letër Edi Ramës, duke e njoftuar për vendimin, derisa ka cituar qëndrimin e Cakajt për këtë çështje duke e konsideruar si të rrezikshëm për rajonin dhe më gjerë. Aty gjithashtu është listuar procedura e verifikimit të sigurisë për Cakajn, që sipas Presidencës shqiptare, ka qenë e mangët dhe nuk është kryer i plotë e as nuk ka qenë objektiv, por i ndërmarrë vetëm për përmbushjen procedurale. Sipas zyrës së Metës marrë parasysh edhe shtetësinë e Kosovës, procesi i verifikimit të tij do të duhej të kryhej edhe përmes institucioneve në Prishtinë.

10 Janar – Rama e quan të turpshëm mosdekretimin e Cakajt nga Meta

Kryeministri Edi Rama, reagoi ndaj vendimit të presidentit Ilir Meta për mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, të cilin e cilësoi të papërgjegjshëm dhe papërvojë. Ndërsa Rama tha se vendimi i Kreut të Shtetit përveç se është antikushtetues, është i turpshëm dhe argumentet e dhëna janë të frikshme.

12 Janar – Meta nuk dekreton shkarkimin e Ditmir Bushatit

Në mesnatën e 12 janarit do të përfundonte afati 7-ditor që Presidenti Ilir Meta të dekretonte shkarkimin e Ditmir Bushatit si ministër të Jashtëm të Shqipërisë, sipas propozimit të paraqitur në tryezën e tij nga Kryeministri Edi Rama. Por, për herë të parë në histori ndodhi që një President të mos dekretojë shkarkimin e një ministri, duke ndezur debatin nëse me këtë vendim ka shkelur apo jo Kushtetutën e vendit.

14 Janar – Rama emëron veten ministër të jashtëm

Kryeministri Edi Rama vendos ta drejtojë vetë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Vendimi i Ramës erdhi pas disa ditë përplasje me Presidentin Meta, i cili refuzoi të dekretojë të propozuarin e Ramës, Gent Cakaj, si ministër të Punëve të Jashtme. Vendimi i Ramës do të thotë se, në vend të ministrit aktual Ditmir Bushati, do të jetë ai që do të udhëheqë procesin e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në qershor të këtij viti.

21 Shkurt – Opozita djeg mandatet

Pas një sërë protestash masive që në nisje të vitit, duke marrë shkas dhe nga situata e tensionuar sociale, ku pas banorëve të zonës së ish-Astirit në Tiranë, edhe studentët rifilluan protestën e ndërprerë në fundvitin e 2018-ës, opozita vendosi radikalizimin e qëndrimeve të saj kundrejt një mazhorance indiferente. Më 18 shkurt  opozita kërkoi largimin e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kërkesa erdhi menjëherë pas vendimit të saj për të djegur mandatet parlamentare, të propozuar nga lideri i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe mbështetur nga partitë e tjera opozitare. Vendimi u bë publik pas protestës masive të 16 shkurtit kur opozita nuk ia doli mbanë të largojë kryeministrin Rama dhe të rrëzonte qeverinë e tij. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, e cilësoi Parlamentin aktual si “të dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017”, dhe vendimin e dorëzimit të mandateve parlamentare të opozitës në këtë parlament në funksion “të zgjidhjes politike të ofruar nga opozita për një qeveri tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm, që do të garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe zhbllokimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare”. Nga ana tjetër, mazhoranca u shfaq e pa shqetësuar nga vendimi i opozitës për të dorëzuar mandatet aktuale parlamentare, dhe kreu i saj Edi Rama kërkoi nga të tijët “fokusimin në përgatitjen e zgjedhjeve lokale” të parashikuara për t’u zhvilluar pas 4 muajsh, në 30 qershor. Ai e cilësoi vendimin e opozitës “blof, një çadër në formë bojkoti para zgjedhjeve te qershorit”.

22 Shkurt – Apelet për reflektim politik

Vendimi për djegien e mandateve që u materializua në 21 shkurt, erdhi pesë ditë pas protestës së 16 shkurtit të organizuar nga opozita, e cila u përshkallëzua dhe dhjetëra persona u lënduan. Nëntëmbëdhjetë protestues u arrestuan për dëmtimin e pronës publike, përkatësisht Kryeministrisë. Gjykata e Tiranës vendosi arrest me burg për 6 prej tyre, ndërsa për të tjerët u vendos arresti në shtëpi ose detyrimi për paraqitje. Por përtej këtij përshkallëzimi, fillimisht do të ishte Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, i cili bëri thirrje që të gjitha palët të reflektojnë dhe se veprime të tilla nuk i shërbejnë demokracisë të Shqipërisë. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri reagoi ndaj këtij vendimi të opozitës, duke thënë se një demokraci e shëndetshme kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese. I njëjti apel do të vinte edhe nga Misioni i Bashkimit Evropian dhe Ambasadat e Shteteve Anëtare në Shqipëri, duke thënë se proceset demokratike të Shqipërisë duhet të vazhdojnë të ndërtohen me angazhimin e opozitës në Parlament.

18 Maj – Zëvendësohet opozita në Kuvend

Përtej vullnetit politik të opozitës, dorëzimi mandatin e deputetit nuk është e thjeshtë nga pikëpamja procedurale, pasi një gjë e tillë bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në mënyrë individuale dhe jo “en block”, në bazë të Kodit Zgjedhor. Thirrjes së Lulzim Bashës ë iu përgjigjën pa kundërshtime masa e deputetëve të tij, aleatët e vegjël si dhe Monika Kryemadhi e LSI-së. Por, mes dy grupeve parlamentare të PD-së dhe LSI-së, 3 deputetë nuk pranuan të dorëzonin mandatet. Konkretisht, nga radhët e PD-së, ishin Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi që nuk i dogjën ato, duke marrë më vonë poste të rëndësishme parlamentare, ku vajza e heroit të demokracisë, Azem Hajdari, Rudina Hajdari do të merrte postin e kryetares së grupit parlamentar të PD-së, ndërsa Myslim Murrizi do të emërohej si nënkryetar i Kuvendit, post që e ka dhe sot. Ndërsa, “tradhtari” nga radhët e LSI-së, që nuk preferoi të dorëzonte mandatin e deputetit të Durrësit, ishte Lefter Koka. Dhe pas një procesi që zgjati afro dy muaj, më 18 maj do të shteronin listat e kandidatëve për deputetë të PD-LSI për zëvendësimin e deputetëve të këtyre dy partive, të cilët dorëzuan mandatet, në mesin e muajit shkurt. Shterimi i listës konfirmoi numrat në Kuvend të LSI-së, të cilës iu zëvendësuan të 17 deputetët që dorëzuan mandatet. Nga ana tjetër, 18 kandidatë të Partisë Demokratike në qarqe të ndryshme të vendit vendosën të “tradhtonin” partinë, duke refuzuar pranimin e mandateve. Me shterimin e listës, në Kuvend mbeten 18 vende bosh. Pra, zyrtarizimi i 18 vendeve bosh në Kuvend, është një konfirmim se që prej 18 majit Shqipëria ka një Kuvend të paplotë në numra kushtetues, duke e shndërruar atë në një institucion jo kushtetues, pasi ligji themeltar i shtetit parashikon një Kuvend me 140 vende, ku aktualisht ai numëron vetëm 122 të tillë.

5 Qershor – “Bild” publikon përgjimet: Ja si mafia manipulon zgjedhjet në Shqipëri

Më 5 qershor, gazeta më e madhe në Europë dhe Gjermani “BILD” publikoi 6 audiopërgjime të bisedave të Astrit Avdylaj, kreu i grupit kriminal të Avdylajve në Shijak. Përgjimet tregojnë lidhjet direkte që Avdylaj mbante me kryetarin e Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, me kandidatin aktual të Partisë Socialiste për Bashkinë e Shijakut Elton Arbana. Gjithashtu tregojnë angazhimin e Avdylajt për të siguruar vota për Partinë Socialiste si dhe për të emëruar në listën e PS-së, si kandidat për deputet Ilir Ndraxhin. Në një nga përgjimet ai komunikon me vëllanë e kandidatit për deputet, si dhe me kryetarin e bashkisë së Shijakut, Ardian Kokomani. Gjashtë audiopërgjimet janë pjesë e një dosje vëzhgimi të ligjshëm mbi investigimin kriminal 339/1 2017, i zyrës së Prokurorisë së Antimafias sa i takon aktivitetetit kriminal ndërkombëtar të drogës të njohur si klani kriminal i Avdylajt në qytetin e Shijakut në Durrës.

8 Qershor – Opozita në shesh, Meta zhdekreton 30 qershorin

Teksa mijëra shqiptarë kishin zbarkuar në sheshin para Kryeministrisë, ku opozita pritej të niste protestën e saj në kërkim të dorëheqjes së kryeministrit Edi Rama, dhe kur na ndanin vetëm 3 javë nga mbajtja e zgjedhjeve vendore, pasditen e 8 qershorit Presidenti Ilir Meta vendosi shfuqizimin e dekretit për datën e zgjedhjeve 30 qershor 2019. Vendimi i kreut të shtetit erdhi në një kohë që opozita kishte shpallur bojkotin e tyre pas publikimit skandalit të përgjimeve nga e përditshmja gjermane “Bild”. Përmes një deklarate për shtyp presidenti Meta rendit 5 arsyet pse vendosi të ndërmarrë vendimin. Meta argumentoi se ky vendim është marrë për të ç’tensionuar situatën dhe rrezikun për përshkallëzimin e paparashikueshëm të konfliktit në vend. Ai ka shtuar se kushtet aktuale nuk mundësojnë zhvillimin e zgjedhjeve të vërteta. Pak minuta pas vendimit të Presidentit të Republikës për të anuluar zgjedhjet vendore më 30 qershor, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha do të linte selinë blu për t’iu bashkuar mijëra  qytetarëve të mbledhur para Kryeministrisë. Basha është pritur me ovacione e brohorima, ndërsa ka përshëndetur me dy gishta. Gjatë fjalës së tij në sheshin para Kryeministrisë, Basha e konsideroi sukses të opozitës vendimin e Presidentit Meta për të anuluar datën 30 qershor si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve. Por kryeministri Edi Rama direkt pas vendimit të Presidentit, deklaroi se Presidenti nuk mund ta ndryshojë datën e zgjedhjeve, pasi nuk janë zgjedhjet e tij dhe zgjedhjet do të bëhen me 30 qershor, me ose pa pjesëmarrjen e opozitës.

Presidenti Ilir Meta firmos zhdekretimin e votimeve te 30 qershorit

13 Qershor – PS nis procedurat për shkarkimin e Metës

Kur në Parlament diskutohej për rezolutën e PS-së që dënonte aktin e presidentit Ilir Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, brenda sallës së seancave, socialistët veç fjalimeve të ashpra, po mblidhnin firmat për të nisur procedurën e shkarkimit të kreut të shtetit. Plot 55 firma deputetëve u mblodhën për nismën për të shkarkuar Metën dhe kërkesa u depozitua zyrtarisht në Parlament. Në seancën plenare të 13 qershorit, Kuvendi votoi me 100 vota pro, 7 kundër dhe 1 abstenim rezolutën, e cila dënonte veprimin e Presidentit për zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Pro saj votuan 25 deputetë të opozitës së re parlamentare. Kjo shifër që arrin dhe madje e tejkalon numrin e nevojshëm për shkarkimin e Presidentit, vuri menjëherë në lëvizje mazhorancën, e cila e konkretizoi në një kohë shpejtë kërkesën për shkarkimin e Metës. Kjo përpara se kreu i shtetit të nxjerrë ndonjë datë të re për zgjedhjet lokale, pasi një nga argumentet për shkeljen dhe cilësimin si antikushtetues është pikërisht mos nxjerra një dekreti tjetër për ditën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

17 Qershor – Shit-blerja e votës, Bild publikon edhe bisedën e Ramës

Më 17 qershor, prestigjiozja gjermane “Bild” do të publikonte audio-përgjimet e tjera ku zyrtarë të rëndësishëm të Partisë Socialiste përfshihen në biseda për shit-blerje votash. Vlen për t’u theksuar fakti që për herë të parë në audio-përgjimet e publikuara nga gazetari Peter Tiede pjesë e bisedave është vetë kryeministri Edi Rama. Kreu i Partisë Socialiste komunikon me një person të quajtur Arben Keshi, drejtor në Ministrinë e Brendshme në vitin 2017, dhe e pyet nëse janë realizuar objektivat. “Bild” theksonte se nga telefonatat e përgjuara nga policia anti-mafia tregojnë se kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama ishte në dijeni për komplotin zgjedhor, pra ishte pjesë e tij.

24 Qershor – Kolegji zgjedhor: Lokalet 2019 më 30 qershor

Kolegji Zgjedhor vendosi më 24 qershor të mos njohë dekretin e Presidentit Meta për shfuqizimin e 30 qershorit, si datë e zhvillimit të Zgjedhjeve Lokale 2019 në Shqipëri. Ky vendim e bëri të pavlefshëm dekretin e Presidentit Meta, edhe pse ai u botua në Fletoren Zyrtare. Partia e Unitetit Kombëtar (PUK), e  regjistruar në KQZ për të marrë pjesë në Zgjedhjet Lokale 2019, pas daljes së Dekretit të Presidentit për shfuqizimin e  30 qershorit i kërkoi këtij Komisioni ta ҫregjistronte, në respekt të dekretit të sipërpërmendur. Por KQZ nuk pranoi, pasi më herët e kishte quajtur dekretin “antikushtetues” dhe si  i tillë ishte”i paqenë”. Në reagimin e menjëhershëm, Presidenca tha se vendimi i Kolegjit Zgjedhor cilësohet, “asnjë suprizë nga skeҫi i orkestruar, i radhës”, duke nënkuptuar mazhorancën socialiste. Por për opozitën, Kolegji Zgjedhor nuk ka kompetencën për të bërë nul dekretin e Presidentit. Opozita, që nuk mori pjesë në Lokalet 2019, këmbëngul që vetëm Gjykata Kushtetuese ka kompetencën për të gjykuar nëse një dekret i Presidentit është ose  jo i vlefshëm.

27 Qershor – Meta: Zgjedhjet vendore më 13 tetor

Kur kishin mbetur vetëm 3 ditë para zgjedhjeve vendore, Kreut të Shtetit dekretoi 13 tetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, pas anulimit që ai bëri pak ditë më parë të datës 30 qershor, duke i dhënë një mundësi palëve që të dakordësohen me njëri-tjetrin në mënyrë që ti jepej fund krizës së rëndë politike që ka përfshirë vendin prej 6 muajsh tashmë. Por kryeministri Edi Rama, duket se ka zgjedhur t’i përgjigjet me të drejtën romake dekretit të ri të presidentit Ilir Meta për zgjedhjet vendore, duke i thënë një “JO” absolute si dhe, duke deklaruar se asgjë nuk e lëviz 30 qershorin si ditë votimesh.

Kryeministri Edi Rama pas votimit me 30 qershor

30 Qershor – Shqipëria detyrohet të konsumojë votime monopartiake

Dëshmi të turpit të historisë së pluralizmit politik ishin jo vetëm votimet moniste të së dielës së 30 qershorit, por edhe sjellja e socialistëve në raport me votat e tyre. Përveç faktit se në votimet e ditës së dielës mungoi e gjithë opozita, zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen mend po ashtu si ato votime ku numri i votuesve ka qenë disa herë më i ulët sesa vetë numri i votave të numëruara në kutitë e votimit, një fenomen i cili deri më tani ka prekur shumë bashki të Shqipërisë. Kjo pasi në të paktën 17 bashki në Shqipëri ka ndodhur çudia, ku numri i votave rezulton shumë herë më i vogël se sa numri i vetë votuesve që morën pjesë në këtë proces. Efekti Dako- Avdylaj i cili shkaktoi një “tërmet” të vërtetë në 2017, këtë herë do të përsëritej në formë komike. Në disa Bashki të vendit manipulimi i votimeve të organizuara, votuara, kontrolluara dhe numëruara nga një parti e vetme u shpërfaq qartazi, ku kuptohet qartë tashmë se vjedhja dhe shit-blerja e votës për socialistët është shndërruar në mënyrë jetese dhe ekzistence. Deri më datë 1 korrik anomalitë qesharake janë vërejtur në Urën Vajgurore, në Malësinë e Madhe, Divjakës, Korçës, Himarës, Memaliaj, Vaun e Dejës, Lushnje, Vorë, Gramsh, Selenicë, Bulqizë, Berat, Librazhd, Belsh, Patos dhe Maliq, pra në të gjitha bashkitë ku mediat raportuan se numrat e votuesve nuk ishte i njëjtë me shifrat e pjesëmarrjes që nxori KQZ-ja, e kontrolluar po ashtu me shumicën e anëtarëve nga vetë socialistët e Edi Ramës. Krimi zgjedhor që u shënua në votimet moniste të 30 qershorit ishte më skandalozi për nga përmbajtja, ku edhe pse pa garë reale, Edi Rama manipuloi votimin monist që organizoi vetë, por që u refuzua në mënyrë plebishitare nga shqiptarët. Fenomen ky që u denoncua edhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it për votimet.

8 Korrik – Socialistët miratojnë komisionin hetimor për shkarkimin e Metës

Kuvendi i Shqipërisë me 101 vota pro dhe 6 kundër votoi ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta pas zhdekretimit të zgjedhjeve të 30 qershorit, të cilat fillimisht i anuloi dhe më tej shpalli një datë të dytë për to, 13 tetorin. Ndërkohë, raporti i komisionit të Ligjeve për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Metës mori 102 vota pro, 7 deputetë nga opozita e re votuan kundër, ndërsa pati edhe dy abstenime. Duke e vlerësuar këtë akt në shkelje të rëndë të kushtetutës, kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij, tha se Presidenti e ka mbushur kupën dhe duhet të ishte shkarkuar me kohë. Megjithatë tha Rama, kjo do të ndodhë vetëm pasi komisioni hetimor të bëjë punën e tij.

16 Korrik – Meta kthen në Kuvend 3 ligje në 24 orë

Teska mazhoranca ka nisur procedurat për shkarkimin e tij, presidenti Ilir Meta nuk e ndali revanshin ndaj mazhorancës duke kthyer njëri pas tjetrit disa ligje të rëndësishme. Pas atij për blerjen e arit apo për materialet e rezervave të shtetit, Presidenca njoftoi edhe kthimin e dy ligjeve të tjera. I pari është “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve” dhe i dyti ai “Për vetëqeverisjen vendore”.

17 Korrik – Meta propozon Petraq Milon për në krye të KLSH-së

Presidenti i Republikës, Ilir Meta propozon në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Petraq Milon. Pas rrëzimit të dy kandidaturave të para, gjyqtares së vetme të Kushtetueses Vitore Tusha dhe këshilltarit të tij Bahri Shaqiri, kreu i shtetit thotë se nuk gjeti kandidaturë më të mirë se emrin i Milos për të pasur Bujar Leskajn në krye të institucionit të kontrollit.

27 Korrik  – Meta kthen “Ligjin për Planifikimin e Territorit”

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka kthyer mbrapsht për shqyrtim në Kuvend një tjetër ligj të Qeverisë, atë “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, të ndryshuar.

7 Gusht – Meta kthen në Kuvend ligjin për koncesionet dhe PPP-të

Një tjetër ligj është kthyer për rishqyrtim në Kuvend nga presidenti Ilir Meta. Kreu i shtetit ka kthyer për rishqyrtim ligjit nr. 50/2019, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”. Presidenti shprehet i shqetësuar për atë që e quan ligjërim të praktikave të dyshimta koncesionare.

8 Gusht –  Meta kthen në Kuvend koncesionin e rrugës Milot-Balldren

Presidenti Ilir Meta, dekretoi kthimin për shqyrtim në Kuvend të kontratës së koncesionit ‘PPP’, për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren. Sipas Presidentit, “në kontratën e koncesionit, qartazi, është shkelur parimi i efiçencës financiare dhe buxhetore për investimet publike”.

9 Gusht – Meta kthen koncesionin “Orikum-Llogora”

Presidenti Meta nuk ka dekretuar ligjin për kontratën koncesionare për rrugën “Orikum-Llogara”, e cila kishte parashikuar projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve-ByPass Orikum-Dukat. Sipas presidentit, ky ligj është në kundërshtim të hapur me rregullat që normojnë këtë proces, në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit, duke krijuar rrezik për cënim të interesit publik.

15 Gusht – Kryebashkiakë të inkriminuar

Kryeministri Rama dhe kandidati socialist për Bashkinë e Shkodrës, Valdri Pjetri gjatë fushatës elektorale

Votimet moniste të 30 qershorit përveç mënyrës se si ato u zhvilluan dhe problemeve të shumta që shënoi numërimi i votave, ku duhej të rritej artificialisht numri i votuesve shënoi dhe një tjetër precedent të turpshëm të kësaj mazhorance, e cila edhe pse garoi e vetme pa kundërshtarë, nuk i kurseu për shqiptarët edhe propozimin e kandidaturave me rekorde kriminale. Më 15 gusht, Valdrin Pjetri, 37 vjeç, i cili fitoi nominalisht zgjedhjet për postin e kryebashkiakut të Shkodrës me 100% të votave të vlefshme më 30 qershor, deklaroi se nuk do të kërkojë postin e kryebashkiakut, ndërsa pretendoi se është viktimë e rrethanave dhe se është i bindur në pafajësinë e tij ligjore dhe morale. Pjetri ishte vënë në shënjestrën e akuzave prej javësh nga Partia Demokratike në opozitë se ai ka një të shkuar penale dhe se si i tillë, bie nga ligji për Pastërtinë e Figurës, i njohur gjerësisht si ligji i dekriminalizimit të politikës. Pas kësaj, kryeministri Edi Rama lau duart në një seri mesazhesh në rrjetet sociale ku deklaroi se “rrugët ishin të ndara” mes Partisë Socialiste dhe Pjetrit “deri kur të dalë e vërteta ligjore”.

4 Shtator – Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it

Kryesuesja e misionit që vëzhgoi zgjedhjet në Shqipëri, Audrey Glover

Publikohet raporti përfundimtar i OSBE-së për votimet e 30 qershorit, ku thuhet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve cenoi sigurinë juridike, duke bërë interpretime të gjera të ligjit. Sipas OSBE/ODIHR-it: “KQZ interpretoi ligjin në mënyrë të paqëndrueshme dhe në një mënyrë tepër të zgjeruar, duke ulur sigurinë juridike”. Një konstatim të drejtpërdrejtë ODIHR e bën lidhur me mospranimin e komisionarëve të opozitës. Sipas raportit, gjyqtarët u ndikuan në vendimet e tyre për shkak të procesit të Vettingut. Gjithashtu, raporti thekson se mos publikimi i dekretit të Presidentit, Ilir Meta në Fletoren Zyrtare është i paligjshëm. ODIHR evidenton se Presidenti i Republikës anuloi zgjedhjet e 30 Qershorit nisur nga nevoja për të garantuar sigurinë publike dhe përgjegjësisë së tij kushtetuese për të mbrojtur pluralizimin politik. Mirëpo, “Dekreti i Presidentit të Republikës për caktimin e datës 13 Tetor si ditë të zgjedhjeve lokale nuk u publikua në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë, edhe pse publikimi i këtij akti të nxjerr nga Presidenti i Republikës është i detyrueshëm nga ligji”. Për shkak të situatës së pazakontë me zgjedhjet pa garë në 30 Qershor, ODIHR specifikon se “nuk ka dispozita të posaçme për zhvillimin e zgjedhjeve pa kundërshtar dhe nuk ka kërkesë minimale ligjore për pjesëmarrjen e votuesve për vlefshmërinë e rezultatit”. Pra është vështirë të kuptohet nëse kjo situatë lejohet apo jo ligjërisht.

12 Shtator – Mazhoranca rrëzon në Kuvend dekretet e Presidentit

Pavarësisht paralajmërimit të kreut të opozitës, Lulzim Basha, për mos të votuar dy koncesionet e rrugëve Milot Balldre dhe Orikum-Dukat, deputetët i votuan këto dy projekte si dhe projektligjet e tjera të kthyera nga presidenti i Republikës Ilir Meta. 8 dekretet e rrëzuara me votë ishin: Dekreti për ligjin për rezervat materiale të shtetit; Dekreti për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare; Dekreti për ligjin e për vetëqeverisjen vendore; Dekreti për ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit; Dekreti për ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik privat; Dekreti për koncesionin e rrugës Orikum – Llogara, Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat; Dekreti për koncesionin e rrugës Milot – Balldren; Dekreti për propozimin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

15 Tetor – Rama dështon në çeljen e negociatave

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian dështuan për të arritur një konsensus nëse do të hapnin bisedime të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas  kundërshtimit të ashpër nga Franca. “Nuk është një moment lavdie për Evropën”, u tha Komisioneri i Zgjerimit Johannes Hahn gazetarëve në Luksemburg, pas  takimit të ministrave të punëve evropiane. Duke kërkuar falje qytetarëve të dy vendeve të Ballkanit, por jo politikanëve, Hahn tha se “shumica dërrmuese” e vendeve anëtare të BE-së e mbështeti rekomandimin e Komisionit Evropian për të filluar bisedimet me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Presidenti francez Emmanuel Macron ka këmbëngulur që BE-ja me 28 shtete të reformohet para se të lejojë që të anëtarësohen më shumë vende të anëtarësohen. Më parë, udhëheqësit ishin zotuar për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që një vendim pozitiv për të ardhmen e tyre do të merrej përpara fundit të tetorit. Dhe pikërisht ky vendim për të shtyrë zgjerimin e BE-së, për opozitën shqiptare do të thotë dështim i qeverisë “Rama”.  E ndërsa Rama për disa ditë radhazi reagonte përmes rrjeteve sociale duke u shfajësuar se mos çelja e negociatave nuk vinte si pasojë e keqqeverisjes së vendit nga ana e tij dhe mazhorancës që ai drejton, Edi Rama fajin e shikonte tek europianët që nuk i shikojnë arritjet e qeverisë, e cila përveçse e la vendin pa opozitë në parlament, zhvilloi votime moniste në 30 qershor, që u kundërshtuan edhe nga misioni i vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, kandioi me persona të inkriminuar, u vu në akuza të forta nga opozita për koncesionet e dyshimta korruptive, shkaktoi një largim masiv të shqiptarëve nga vendi, rriti papunësinë dhe uli rritjen ekonomike të vendit, rriti krimin jo vetëm në vend, por u bë problem serioz për Europën sa i përket rrugëve të narkotrafikut ndërkombëtar. E në këtë suazë zhvillimesh, kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale deklaratat e përfaqësuesve të BE-së duke ua hedhur fajin të tjerëve.

1 Nëntor – Ikën dhe Agim Kajmaku i Vorës

Kryeministri Edi Rama dhe kandidati socialist për Bashkinë e Vorës, Agim Kajmaku gjatë fushatës elektorale

Valdrin Pjetri edhe pse ishte figura e disatë socialiste që bie nga ligji i dekriminalizimit, nuk do të ishte i fundit. Kjo pasi pak muaj më vonë një tjetër kryebashkiak socialist i dalë nga sajesa e PS-së më 30 qershor, dhe konkretisht, bëhet fjalë për Agim Kajmakun e Vorës, i cili prej 11 nëntorit është shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare. Në mbledhjen e 1 nëntorit KQZ-ja i hoqi mandatin Agim Kajmakut, duke pranuar kërkesën e opozitës dhe atë të Prokurorisë se Kajamaku ka shkelur ligjin, duke e miratuar atë me 5 vota pro. Ashtu si dhe me Valdrin Pjetrin, edhe rasti i Agim Kajmakut u denoncua fillimisht nga Partia Demokratike, pasi kryebashkiaku i shkarkuar i Vorës kishte fshehur arrestimin e tij në Greqi. Në kohën kur PD-ja hodhi akuzat e para ndaj Kajmakut, Kryeministri Edi Rama u vu në mbrojtje të tij, pothuajse njëlloj si edhe në rastin e Valdrin Pjetrit, ish-kryebashkiakut të Shkodrës.

7 Nëntor – Meta “ngrin” ngritjen e Gjykatës Kushtetuese

Në limitet e afatit për të zgjedhur anëtarin e dytë të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës Ilir Meta, ka refuzuar ta ndërmarrë këtë hap. Në letrën sqaruese drejtuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Kreu i Shtetit thekson se është radha e Parlamentit të zgjedhë anëtarin tjetër e vetëm më pas i takon institucionit të Presidentit të bëjë përzgjedhjen e tij, sipas ligjit. Meta thekson se qëllimi është mbrojtja e procesit kushtetues. Kreu i shtetit thekson se edhe pse shqetësimi mbi mënyrën dhe kohën sesi do të paraqiteshin listat e kandidatëve nga KED përkundrejt organeve të emërtesës, është shprehur më parë nga Presidenti, sërish Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi nuk e ka respektuar këtë detyrim kushtetues. Kreu i Shtetit shkruan se vendimi për pezullimin e vijimit të procesit administrativ të shqyrtimit të listës dhe dokumentacionit të përcjellë nga KED-ja, deri në realizimin e zgjedhjes nga Kuvendi të anëtarit të dytë, ka për qëllim ruajtjen e kushtetutshmërisë të emërimit apo zgjedhjes së anëtarëve të rinj të kësaj Gjykate.

8 Nëntor – KED emëron Arta Vorpsin në Gjykatën Kushtetuese

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgoi tre kandidatë Presidentit Ilir Meta, të renditur me pikë sipas meritave, për një vend vakant në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Presidenti që në datën 04.03.2019. Lista e KED-së përbëhej nga Arta Vorpsi 89,642 pikë; Fiona Papajorgji 88,785 pikë dhe Elsa Toska me 85, 428 pikë. Presidenti kishte vetëm 30 ditë kohë për të emëruar njërin nga tre kandidatët e lartpërmendur. Me përfundimin e këtij afati, kandidati i renditur i pari nga KED, konsiderohet i zgjedhur automatikisht. Në rastin konkret, afati përfundoi në datën 8 nëntor 2019, dhe Arta Vorpsi u konsiderua e emëruar si anëtare e Gjykatës Kushtetuese.

10 Nëntor – Meta letër Ruçit: KED cënoi luajalitetin kushtetutes

Në kohën kur maxhoranca e cilëson të konsumuar kohën e Presidentit të Republikës për tu shprehur për anëtarin e radhës në Gjykatën Kushtetuese dhe ka botuar në fletoren zyrtare renditjen e KED-së, kreu i shtetit i është drejtuar me një letër kryeparlamentarit Gramoz Ruçi. Në letrën e tij, të cilën Meta fton edhe deputetët e Kuvendit ta lexojnë, Presidenti sqaron se për ngërçin e krijuar është përgjegjës Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Presidenti Meta është i bindur se me vendimin për mos propozuar emrin e radhës për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese i është përmbajtur vetëm ligjit dhe kushtetutës. Përmes një letre të gjatë të drejtuar kryeparlamentarit Ruçi, kreut të KED-së, Ardian Dvorani dhe avokates së Popullit,  Erinda Ballanca, kreu i shtetit i ka bërë një skaner të gjithë procesit të përzgjedhjes së kandidadurave për Gjykatën Kushtetuese, duke drejtuar gishtin e përgjegjësisë nga Këshilli i Emërimeve të Drejtësisë për situatën e krijuar. Sipas kreut të shtetit KED me dërgimin e listave në të njëjtën ditë në Presidencë ka cënuar institucionin e drejtuar prej tij. Thirrjen e tij të fundit, Presidenti Meta e ka për ligjvënesit që do të votojnë këtë të hënë për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese, të cilëve përpara se të shprehin përgjegjësinë e tyre me votë i sugjeron të lexojnë rrugën ligjore përmes së cilës duhet të kalojë procesi.

11 Nëntor – Kuvendi voton dy anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese

Me 105 vota pro, Parlamenti zgjodhi Elsa Toska dhe Fiona Papajorgjin për anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Me këtë votim Gjykata Kushtetuese shkon në 5 anëtarë, pas zgjedhjes së Besnik Muçit dhe emërimit automatikisht të Arta Vorpsit,  duke bërë të mundur funksionimin e Dhomës së Këshillimit.

13 Nëntor – Meta dekreton Xhaferllarin, Kushtetuesja bëhet me 6 anëtarë

Marsida Xhaferllari është anëtarja më e re e Gjykatës Kushtetuese, dekretuar nga presidenti Ilir Meta pasditen e të mërkurës. Ky është dekretimi i dytë që mban firmën e presidentit Meta, pas atij për Besnik Muçin. Sipas Kushtetutës, tre nga anëtarët e Gjykatës më të rëndësishme në vend i zgjedh kreu shtetit, nga lista e dërguar prej Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Presidenti nuk e ushtroi të drejtën kushtetuese për të dekretuar kandidaten e dytë, e për pasojë, sipas mekanizmit zhbllokues, automatikisht u zgjodh Arta Vorpsi. Presidenti nuk e zgjodhi kandidaturën e dytë pasi, përmes një letre dërguar KED, kërkonte respektimin e radhës nga Kuvendi, që do të thotë se pasi zgjodhi Besnik Muçin, Kuvendi duhet të votonte kandidatin tjetër në radhë. Nëse mazhoranca thotë se Vorpsi është automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese për shkak të mbarimit të afatit 30-ditor që kishte në dispozicion Presidenti, ky i fundit ka një tjetër qëndrim. Por nëse kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e quajti antikushtetues vendimin e Presidentit për dekretimin e Marsida Xhaferllarit, Meta nuk i ka kursyer shigjetat ndaj kreut të deputetëve socialistë. Meta tha se nuk mund të detyrojë Presidentin një publikim kontrabandë, siç ai cilësoi publikimin në Fletoren Zyrtare të emrit të Arta Vorpsit.

14 Nëntor – Arta Vorpsi bën betimin te noterja, jo te Presidenti

E emëruara e KED-së për Gjykatën Kushtetuese, Arta Vorpsi ka bërë betimin te një notere në vend që ta bënte para presidentit të Republikës. Presidenti Ilir Meta la të kuptohet se nuk do ta thërriste Vorpsin për betimin me argumentimin se KED ka shkelur procedurat dhe Kushtetutën, e kështu ajo ka vendosur ta bëjë këtë te një notere. Para noteres Miranda Xhelmançe, Vorpsi ka deklaruar: “Me vullnetin dhe gatishmërinë për të ushtruar menjëherë funksionin e gjyqtarit kushtetues dhe me dorën e vendosur në Kushtetutë, betohem: Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.”

19 Nëntor – Meta padit kreun e KED: Dvorani ka shkelur ligjin me qëllim

Presidenti Ilir Meta dhe kreu i KED, Ardian Dvorani

Presidenti kallëzon në prokurori kreun e KED-së për procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke i kërkuar drejtësisë dënimin e tij nga 2 deri në 7 vite burg. Meta thotë se Dvorani qëllimisht dërgoi në të njëjtin ditë tek presidenti dhe Kuvendi dy lista. Kallëzimin e tij, kryetari i shtetit e mbështeti në akuzën se Ardian Dvorani në shkelje flagrante te Kushtetutës e ka vendosur Presidentin në pa mundësinë për të zgjedhur anëtarin e Gjykatës Kushtetuese. Meta si Presidentit përforcoi edhe një herë kërcënimin për t’iu drejtuar popullit. Ardian Dvorani përmes një reagimi për mediat u shpreh i gatshëm për t’u përballur me ligjin, si një nga sfidat më të mëdha për të cilën u miratua dhe po fillon të zbatohet Reforma në Drejtës, sipas tij. paralajmërimi për kallëzimin penal të Dvoranit, erdhi në të njëjtën ditë kur skadoi edhe afati për depozitimin e kandidateve për KED-në e vitit 2020 në zyrën e Presidentit. Me këtë lëvizje duket se Meta kërkon të zgjidhë konfliktin me Dvoranin, jo vetëm duke e dënuar penalisht por edhe duke e përjashtuar nga drejtimi i KED-së.

26 Nëntor – Tërmeti tragjik “shkund” Shqipërinë

Një tërmet i fuqishëm tronditi në orët e para të mëngjesit Shqipërinë. Lëkundjet me magnitudë 6.4  në epiqendër apo intensitet 8 ballë fatkeqësisht morën 51jetë njerëzish e mbi 1 mijë të tjerë mbetën të plagosur në Tiranë, Durrës, Fushë-Krujë e Kurbin. Pamje të rënda, rrënoja dhe ambulanca në rrugë ishin imazhet surreale që pa çdo shqiptar nga ajo ditë e në vijim. Lëkundjet u ndjenë në të gjithë vendin por edhe deri në Prishtinë.  Pranë epiqendrës në detin Adriatik, në Durrës janë dhe dëmet më të mëdha. Shumë banorë mbetën nën rrënojat e pallateve të shembura, disa janë nxjerrë të gjallë, të tjerë nuk ia dolën dhe operacionet e shpëtimit vazhduan për afro dy javë nga kjo ngjarje, që prodhoi një sërë edicionesh të jashtëzakonshme lajmesh jo vetëm nga mediat shqiptare, por edhe ato ndërkombëtare, që do të prodhonin vetëm brenda pak orëve solidaritetin më të madh njerëzor dhe humanitar që Shqipëria kishte parë ndodnjëherë. I tillë ishte dhe ai i politikës shqiptare, e cila la mënjanë debatet dhe përplasjet dhe u fokusua në dhënien e ndihmave për banorët e zonave që u dëmtuan më shumë nga lëkundjet vdekjeprurëse. Edhe pse nuk u shfaqën asnjëherë në publik bashkë gjatë inspektimeve që ato zhvillon përgjatë gjithë ditëve, krerët e politikës i shmangën krejtësisht akuzat e ndërsjella mes tyre.

18 Dhjetor – Dhurata e festave nga Rama për mediat: Miratohet censura

Kryeministri Edi Rama e kishte lënë për në seancën e fundit plenare të 2019-ës surprizën për mediat shqiptare, të cilat ia prishën gjakun me raportimet e tyre për tërmetin e 26 nëntorit, dëmet që ai shkaktoi, pro dhe paaftësinë e qeverisë për të menaxhuar situatën që krijuan lëkundjet tokës. Edhe pse nisma e mazhorancës u kundërshtua me forcë nga aktorët dhe faktorët vendas, pro edhe ata ndërkombëtarë, Kuvendi iu bind kërkesës së Ramës duke miratuar me 80 vota pro  14 kundër dhe 6 abstenim ndryshimet ligjore për funksionimin e AMA-s, ose siç njihet ndryshe si ligji “Anti-shpifje”, që në thelb është vendosje e censurës për mediat nga ana e Qeverisë. Enë një kohë kur në Kuvend pritej që të miratohej paketa antishpifje, gazetarë, aktivistë dhe analistë, mbështetur dhe nga opozita jashtë parlamentit, zhvilluan një protestë kundër këtij projektligji. Gazetarët dhe aktivistët në protestë pretendojnë se paketa antishpifje nuk u jep zgjidhje lajmeve të rreme dhe shpifjeve, siç pretendon qeveria, por është përpjekje për të kapur median online. Mënyra si është konceptuar ky ligj është e gabuar, sepse vetë mënyra si do funksionojë AMA nuk ka gjë tjetër veçse si e një agjencie censure. Penalitetet edhe në masën financiare janë drastike, të papërballueshme të gazetarëve. Kapacitete e tyre janë të pamjaftueshme. Ka dhe një gjë tjetër të shpërfilljes së lirisë së shprehjes. Mënyra si do merret masa nga AMA dhe kalimi menjëherë te sekuestrimi përmes përmbarimit, patjetër personi i prekur do ta çojë në gjykatë. Shpërfillja për t’iu drejtuar gjykatës është cënim i lirisë. Gazetarët thanë do ti kërkojnë Presidentit që të mos e dekretojë këtë ligj, ndërsa pritet edhe solidariteti i organizatave më të rëndësishme në botë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular