BallinaTe tjera“Më mirë të pushkatohet se të vuaj 25 vjet burg”, si e...

“Më mirë të pushkatohet se të vuaj 25 vjet burg”, si e ekzekutoi Enveri natën e Vitit të Ri ‘68-të, krushkun e tij, muzikantin virtuoz të “Dajti”-t

spot_img
spot_img

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Gramoz Omarit nga familja e njohur gjirokastrite, muzikantit virtuoz të orkestrave të Hotel “Dajti”-t, “Adriatiku”-t, “Internacional”-it etj, mik dhe shok i ngushtë i Agim Krajkës, Skënder Sallakut, Skënder Plasarit, etj. , i cili pas diplomimit në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, u caktua si profesionist në Estradën e Kufirit, duke mobilizuar si oficer me gradën e togerit nga Ministria e Brendshme.

E gjithë historia e tij e dhimbshme që do të kishte një fund tragjik: nga emërimi si mjek në postën e kufirit të fshatit Vermosh, arratisja në shtatorin e vitit 1963 duke kaluar në Jugosllavi, puna për pesë vjet si mjek dhe orkestrant në disa prej hoteleve më luksoze të Malit të Zi, Bosnjes e Italisë, kthimi në vitin 1968 nga autoritetet jugosllave në bazë të një marrëveshje që kishte bërë UDB-ja me Sigurimin e Shtetit, duke e shkëmbyer me dy shtetas kosovarë, dënimi me vdekje nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Shkodrës, mos pranimi nga ana e motrës së Enverit, Fahrijes, për t’ju lutur të vëllait t’i falte jetën Gramozit, përgjigjia e diktatorit për shokun e ngushtë të fëmijërisë “Më mirë të pushkatohet se të vuaj 25 vjet burg”, refuzimi i oficerit të rojes në Degën e Brendshme të Shkodrës për të pranuar dy paketa cigare dhe 500 lekë të vjetra, pasi “ishte ekzekutuar vendimi i Gjykatës” e deri tek peripecitë e familjes së tij pas viteve ’90-të për gjetjen e eshtrave të tij, por… pa rezultat?!

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri foto galeri

foto galeri foto galeri

foto galeri foto galeri foto galeri foto galeri

Ishte 1 gushti i vitit 1968, ku mes një vape përvëlonjëse, në kufirin shtetëror midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, në pikën kufitare të Hanit të Hotit, autoritetet jugosllave, të përfaqësuar nga dy ushtarakë të “UDB”-së, i dorëzuan palës kufitare shqiptare me anë të një proces-verbali, oficerin shqiptar, Gramoz Omari. Pasi u kryen formalitetet e duhura, dy përfaqësuesit e palës shqiptare, B. Ndreu dhe B. Shabani, hodhën firmat në aktin e marrjes në dorëzim dhe “Gazi” – 69 ku u “sistemua” i porsaardhuri, mori rrugën gjarpëruese buzë Liqenit të Shkodrës. Po kush ishte Gramoz Omari, nga vinte ai, dhe përse autoritetet jugosllave e dorëzuan atë në pikën kufitare të Hanit të Hotit?! Cila ishte marrëveshja e fshehtë në mes dy shteteve që bëri të mundur atë gjë, në një kohë kur marrëdhëniet në mes dy vendeve ishin tepër të acaruara pasi udhëhiqeshin nga sisteme ideologjike krejt të ndryshme?

Kush ishte Gramoz Omari?

Gramoz Omari kishte lindur në vitin 1938 në qytetin e Elbasanit, dhe rridhte nga trungu i familjes Omari të Gjirokastrës, një nga fiste më të njohura të atij qyteti të gurtë që nga periudha e sundimit osman. Babai i Gramozit, Eqerem Omari, kishte studiuar dhe ishte diplomuar në fillim të viteve ‘30-të, për Inxhinieri Agronomike, në Grenoble të Francës. I papërzier asnjëherë me politikën, si në periudhën e Monarkisë së Zogut, ashtu dhe pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ai do t’i kushtohej vetëm profesionit të tij si teknolog mielli, ku shquhej dhe konsiderohej si një ndër specialistët më të mirë të vendit. Gramozi ishte fëmija i tretë i Eqerem Omarit, pas dy vëllezërve, Beqirit, dhe Xhemilit. Pak muaj pas mbarimit të Luftës, Eqeremi thirret në Tiranë në një takim nga Enver Hoxha, i cili i propozon një funksion të lartë shtetëror, por ai ia refuzon edhe pse bëhej fjalë për një post me rëndësi në hierarkinë më të lartë komuniste të kohës. Dhe kjo sepse Hoxha, e njihte mirë Eqeremin edhe si gjirokastrit, por edhe si të afërm të kunatit të tij, Bahri Omarit, i cili s’kishte shumë kohë që ishte dënuar me vdekje nga Gjyqi Special dhe ishte ekzekutuar. Duke njohur mirë qëllimet e Enver Hoxhës, që pasi ishte pushkatuar Bahriun, ai joshte Eqeremin për të përçarë fisin e Omarëve, e për të tërhequr ndonjë prej tyre në krahun e pushtetit komunist, duke justifikuar kështu në një farë mënyre edhe pushkatimin e Abaz Omarit, kushëririt të Eqeremit, që ishte njëkohësisht dhe nipi i Enver Hoxhës. Ndonëse Eqeremi refuzoi vëndin e punës së ofruar nga Enveri, ai filloi një punë tjetër, tashmë si Komisar i Lartë i Ndihmave të “UNRRA”-s në qytetin e Durrësit. Në rrugën “Siri Kodra” ku u vendos familja Omari, Gramozi që në vogli do të shquhej për prirjet e tij për muzikën, mes moshatarëve që luanin gjithë kohën së bashku, si: Besim Zekthi, Skënder Sallaku, Skënder Plasari, Enver Dauti, Agim Krajka, etj, të cilët vite më vonë do të bëheshin dhe do të shquheshin si aktorë, artistë, dhe muzikantët më të mirë të vëndit. Që në moshën 15 vjeçare Gramozi do të bëhej i njohur në Tiranë dhe jashtë saj, si një nga virtuozët më të mëdhenj të fizarmonikës, ku së bashku me shokun e tij të ngushtë Agim Krajkën, do të bëheshin instrumentistët më të kërkuar në të gjithë orkestrat e vëndit si te: “Dajti”, “Internacionali”, “Bar-Sahati”, “Adriatiku” në Durrës, etj. Duke parë famën që morën Omari me Krajkën, Ministria e Punëve të Brendshme, që në atë kohë ishte e gjithëpushtetshme, i thërret ata të dy dhe themelon Estradën e Kufirit, ku nga të gjithë artistët, vetëm Omari me Krajkën do të paguheshin me rrogë si profesionistë. Falë orkestrantëve virtuozë e aktorëve të njohur si Enver Dauti, që grumbulloi atëherë Estrada e Kufirit, ajo do të bëhej shumë e njohur e do të merrte një famë në të gjithë vendin.

Diplomimi në Fakultetin e Mjekësisë, dhe arratisja në Jugosllavi

Pas disa vitesh punë në Estradën e Kufirit, Gramozi arrin dhe përfundon gjimnazin në shkollën e natës, dhe në vitin 1958, falë emrit të madh që kishte, atij i akordohet e drejta e studimit për në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ku do të diplomohej dhe i vëllai më i madh, Xhemili. Pa u shkëputur asnjë herë nga pasioni i tij për muzikën, Gramozi përfundon me rezultate të larta, dhe diplomohet për Mjekësi në vitin 1962. Pak kohë pas diplomimit, në shtator të atij viti, Ministria e Punëve të Brëndshme për ta pasur kuadër të sajin, e gradon oficer me gradën toger, dhe e mban në dispozicion, duke e caktuar në Tiranë në një kurs specializimi për kirurgji pranë Spitalit Qëndror të Ushtrisë. Në atë kohë, babai i Gramzoit, Eqeremi, ndërsa punonte në Tiranë në ministrinë e Bujqësisë, si një ndër specialistët më të mirë të prodhimit të fabrikave të bukës, pushohet nga puna. Preteksti i pushimit ishte sikur ai kishte marrë një pension mujor invaliditeti më tepër seç i takonte, meqënëse ai ishte i sëmurë dhe punonte katër orë, kurse katër orë të tjera paguhej nga Sigurimet Shoqërore. Arsyeja e vërtetë e pushimit nga puna ishte lufta e klasave, e cila në atë periudhë ishte tepër e acaruar, pasi në vend po ktheheshin kuadrot që kishin studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe po largoheshin nga puna të gjithë ata që kishin studiuar në vëndet perëndimore, (në periudhën e Monarkisë dhe atë të pushtimit të vëndit), të cilët shiheshin si njerëz tepër të dyshimtë për regjimin komunist. Pas pushimit nga puna të babait, edhe Gramozi transferohet nga Tirana për në Shkodër, ku caktohet si mjek ushtarak pranë postës kufitare të Vermoshit, në skajin më verior të vëndit. Pak ditë pasi Gramozi kishte shkuar në vendin e ri të punës, tepër i dëshpëruar nga problemi i babait dhe largimi nga Tirana, ku kishte lënë shokët, miqtë, të afërmit, e familjen, dhe mbi të gjitha fizarmonika e orkestrat ku ai ishte bërë mjaft i njohur, ai vendos të largohet nga Shqipëria, duke u arratisur për në Jugosllavi. Gjë e cila në ato kushte ku ishte ai, nuk ishte shumë e vështirë për t’u realizuar. Vendimin për tu arratisur, Gramozi, duhet ta ketë marrë në një gjëndje tepër të dëshpëruar dhe nga një presion i madh psikologjik, nga ambienti në të cilin ai u ndodh, ku nuk përjashtohej mundësia e ndonjë arrestimi të të atit, Eqeremit, ose dhe atij vetë, nga pozita politike që kishte familja Omari, duke pasur dy të pushkatuar nga familja dhe disa të tjerë të arratisur në SHBA. Sipas dëshmive të vëllait të tij, Beqirit, ideja për tu arratisur nga Shqipëria, Gramozit duhet t’i ketë lindur aty kur ai mbërriti në postën e Vermoshit, sepse ai gjatë atyre viteve që punonte në Estradën e Kufirit, me dhjetra herë kishte dhënë shfaqje të ndryshme gati në të gjitha postat kufitare, por nuk kishte tentuar kurrë një gjë të tillë. “Gramozi nuk e kishte menduar kurrë arratisjen, ndonëse shpesh herë turistë të huaj në hotel “Dajti” e “Adriatiku” në Durrës, të mahnitur nga virtuoziteti i tij në fizarmonikë, e kishin joshur atë me premtime të ndryshme, duke i bërë të ditur se nëse ai do të ishte jashtë në vëndet e tyre, do kishte një famë të madhe dhe do të ishte tepër i pasur”, kujtonte i vëllai, Beqiri. Ndërsa dy nga kolegët dhe miqtë e tij të ngushtë të Gramozit, aktorët e mëdhenj Skënder Sallaku, e Skënder Plasari, midis të tjerash na kanë dëshmuar: “Shpesh në shfaqjet e shumta, që kemi dhënë në postat kufitare, në kohën e lire, disa herë bashkë me Gramozin, të tre, afroheshim deri në buzë të kufirit, ku fare lehtë mund të dilje matanë, pa të hyrë gjëmb në këmbë, por po ashtu siç kishim shkuar aty pa asnjë paramendim, ktheheshim përsëri në brendësi të territorit shqiptar. Kështu që, Gramzoi, po të kishte dashur, do të ishte arratisur dhe nuk do të priste ta caktonin një ditë si mjek ushtarak në postën e Vermoshit”.

Toger Gramoz Omari, 5 vjet në Jugosllavi

Vetëm tre ditë pasi Gramzoi kishte shkuar, në postën kufitare verore të Vermoshit, akoma pa marrë detyrën në dorëzim, në datën 6 shtator të vitit 1963, në orën 8. 30 të mëngjesit, ai kalon kufirin dhe shkel në tokën jugosllave, ku gjëndet nën breshërinë e automatikëve të rojeve jugosllave të kufirit, të cilët, duke parë mosreagimin e tij, pushojnë zjarrin e armëve dhe e kapin menjëherë duke e shoqëruar për në postën e tyre të kufirit. Pas procedurave dhe pyetjeve të zakonshme që u bëheshin shkelësve të kufirit, Gramozi merret dhe shoqërohet nga dy oficerë të “UDB”-së, duke u dërguar në një kamp të vogël në Ivangrad. Të nesërmen, nën shoqërinë e dy ushtarakëve, Gramozi dërgohet në qytetin e Titogradit, ku e sistemojnë në hotel “Cerna Gora”, një ditë më pas, e marrin dhe ai shoqërohet përsëri për në kampin e “Leskopoljes”, jo shumë larg kryeqytetit. Ai kamp shërbente si vënd-qëndrim disaditor për të arratisurit, të cilët asokohe nuk ishin të pakët, dhe kryesisht nga zona e Shkodrës dhe Malësia e saj. Pas shtatë ditësh, një oficer i “UDB”-së, i quajtur Aco Mursoloviç, e mori në pyetje Gramozin, duke insistuar të dinte se: çfarë lidhje kishte ai me Luan Omarin, djalin e motrës së Enver Hoxhës, dhe sa ishte prania numerike e këshilltarëve kinezë në Shqipëri, etj. Pas tre muaj hetimesh, Gramzoi lihet i lirë, pasi ua kishte bërë të ditur se: qëllimi i tij, nuk ishte të rrinte në Jugosllavi, por të shkonte në SHBA, ku kishte disa të afërm të tij. Pas largimit nga kampi, Gramozi, vendoset në qytetin e Nikshiqit, ku fillon punë menjëherë si muzikant në hotelin “Onegoshti”. Pas tre muajsh në këtë hotel, ai fillon punë si mjek në spitalin e Nikshiqit, i ndihmuar nga dy vëllezër shqiptarë nga Shkodra, por duke mos pasur me vete diplomën e Universitetit të Mjekësisë së Tiranës, ai nuk mund të punonte shumë në atë spital. Kështu që ai largohet në qytete të tjera të Jugosllavisë, si në Sarajevë, Zadar, Zagreb, dhe Maribor, duke punuar në hotele të ndryshme si muzikant, por hera herës edhe nëpër spitale si mjek. Në muajin shtator të vitit 1966, pasi kishte punuar në shoqëri të ndryshme muzikore me emër, Gramozi fillon punë si mësues muzike në një shkollë të mesme të Splitit, ku punoi për një vit. Gjatë kësaj kohe që ishte mësues, ai natën punonte në orkestrën e hotelit “Marjan”, të këtij qyteti, i cili frekuentohej nga turistë të shumtë vëndas dhe të huaj, kryesisht nga Gjermania Perendimore. Viti 1968-të, do të ishte dhe viti i fundit i Gramozit në Jugosllavi, periudhë në të cilën ai e shpeshtoi korrespondencën e tij me të afërmit që ndodhesin që nga koha e Monarkisë së Zogut si emigrant ekonomikë në SHBA dhe Turqi. Kështu në një letër që i dërgonte hallës së tij në Turqi, midis të tjerash ai i shkruante, “Këtu me mua, banon një shok i ri, i cili ka ardhur tani, e quhet Tonin Prosi. Ky ka bërë në Shqipëri 10 vite burg. U gëzova shumë për atë që shpëtoi njëherë e mirë nga regjimi komunist”. Në qershor të 1968-ës, Gramozi shkon në Maribor të Sllovenisë, pranë konsullatës amerikane, ku paraqet dokumentat për të emigruar në SHBA, si emigrant politik. Vetë konsulli amerikan, i premtoi vizën për në SHBA, porsa të vinte garancia nga të afërmit e tij nga SHBA-ja. Gjatë kësaj kohe, në pritje të ardhjes së garancisë, ai shkoi në Itali, ku punoi si firzamonicist në disa lokale dhe hotele të njohura të gadishullit Apenin. Sipas dëshmive të vëllait, Beqir Omarit, ajo punë dhe virtuoziteti i Gramozit në instrumentin e firzamonikës, i bëri përshtypje një nga mjeshtrave më të mëdhej të Italisë me emrin Mario, i cili, i premtoi Gramozit se do t’i nxirrte lejen e qëndrimit dhe të punësimit për në Itali.

Viktimë e marrëveshjes së fshehtë midis UDB dhe Sigurimit të Shtetit

Më 30 korrik të vitit 1968, ndërsa Gramozi punonte në orkestrën e klubit “Novaçkiroke”, në pritje të garancisë nga SHBA-ja, shkon në dhomën e tij, një oficer i UDB-së, dhe i thotë që të paraqitej në zyrën e tij, pasi ai merrej me problemet e emigrantëve. Në atë zyrë, Gramozin e prisnin dy policë të Ministrisë së Brendëshme, të cilët i thane: “Do vish me ne, pasi na kërkojnë autoritetet në Titograd për një sqarim”. Pa pasur asnjë hije dyshimi, Gramozi iu bind menjëherë udhrit të tyre dhe ata u nisën drejt Titogradit duke udhëtuar me tren dhe sa mbërritën aty e dërguan në burgun e qytetit ku ai kaloi atë natë në një dhomë i vetëm. Të nesërmen në ora 8 të mëngjesit e hipën në një “Xhip” të zi të mbuluar, dhe e nisën për në Hanin e Hotit. Po në datën 31 korrik, ndërsa Gramoz Omari i futur në makinën e UDB-së, udhëtonte pa dëshirën e tij drejt kufirit shqiptar, vetëm 46 km. larg Tiranës, pikërisht në qytetin e vogël të Laçit, në sarajet e ish-gjeneralit Preng Pervizi, (Komandant i Ushtrisë Kombëtare Shqiptare në periudhën e pushtimit gjerman), e cila tashmë përdorej nga Sigurimi i Shtetit, si “Qëndër Izolimi dhe Filtrimi për emigrantët kosovarë”, dy shqiptarë të Kosovës, po përgatiteshin që të linin qelitë e tyre, për t’u shkëmbyer në kufi. Të transportuar me një “Gaz” 69, të Drejtorisë së Punëve të Brendëshme të Shkodrës, ata do të udhëtonin drejt Hanit të Hotit, ku sipas marrëveshjes ndërmjet UDB-së dhe Sigurimit të Shtetit Shqiptar, do të shkëmbeheshin me Gramoz Omarin. Pas procedurave dhe formaliteteve të nevojshme, automjeti “Gaz” ku u “sistemua” ish-oficeri i kufirit Gramoz Omari, mori rrugën drejt qytetit të Shkodrës dhe ndaloi në oborrin e Degës së Brëndshme, ku eprorët e saj kishin urdhëruar që asnjë efektiv të mos qëndronte në oborr dhe as në korridoret e saj. Që atë ditë, ndaj Gramoz Omarit filloi procesi hetimor ku krahas atyre të Shkodrës, kishin ardhur edhe një grup oficerësh dhe hetuesish nga Tirana

Gjyqi Ushtarak në Shkodër: Omari dënohet me vdekje

Pas tre muajsh procesi hetimor, Gramoz Omari doli para gjyqit më 11 nëntor të atij viti, Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Shkodrës i përbërë nga F.S., N.H., dhe E.N., dhe me prokuror Nj. Z., dha vendimin ndaj tij, duke e dënuar me vdekje, me pushkatim, duke e akuzuar: “për tradhëti të lartë ndaj atdheut”, “nxjerrje sekreti ushtarak”. etj. Ndërsa Omari, kishte katër muaj që ishte dorëzuar nga autoritetet jugosllave në Shqipëri dhe kishte dalë në gjyq ku dhe ju komunikua vendimi me dënimin kapital, familja e tij në Tiranë nuk kishte asnjë dijeni, lidhur me këtë, pasi ata nuk ishin njoftuar nga organet kompetente. Familja Omari e mori vesh, “kthimin e tij” rastësisht, kur një i afërm i tyre kishte parë të afishuar pranë Gjykatës së Lartë në Tiranë, datën e shqyrtimit të kërkesës për faljen e jetës së Gramzoit. Tre ditë para Vitit të Ri 1968, vëllai i madh i Gramzoit, Beqiri, që asokohe punonte si muzikant në Estradën e Shtetit në Tiranë, futet fshehurazi nga dritaret në një nga pavionet e Spitalit nr. 1 në Tiranë, (pavion i rezervuar për familjarët e udhëheqjes së lartë të PPSH-së), ku ishte shtruar Fahrije Omari, motra e Enver Hoxhës dhe njëkohësisht e veja e Bahri Omarit. Sipas dëshmive të Beqirit, ai i tregoi asaj për vendimin e organeve të larta të shtetit për pushkatimin e vëllait të tij, Gramzoit, duke i’a theksuar disa here, se këtë gjë, pra atë vendim, mund ta kthente vetëm, vëllai i saj, Enver Hoxha. Fahrija, me shumë keqardhje i drejtohet Beqirit: “Unë nuk i them dot Enverit se e di që ai nuk më dëgjon. Ai nuk ka mëshirë më për asnjë njeri, pasi më pushkatoi mua burrin, dhe nuk ma fali”. Pas fjalëve të Fahrijes, Beqiri e kuptoi se ishte e kotë çdo gjë dhe u largua që andej. Po atë ditë, babai i Beqirit dhe Gramozit, Eqeremi, takoi SkënderTopullin, mjekun e njohur stomatolog me origjinë nga Gjirokastra, që ishte dhe mik i ngushtë i tij, dhe njëkohësisht, mik i ngushtë i diktatorit Enver Hoxha. Skënderi nuk hezitoi fare dhe i premtoi shokut të tij të fëmijërisë, se që atë ditë do tentonte ta takonte Enver Hoxhën, dhe do t’ja thoshte fjalët e tij. Dr. Skënder Topulli ishte një nga të paktët, për të mos thënë i vetmi, që mund të shkonte tek Enveri pa procedurat e zakonshme të cilave iu nënshtroheshin edhe anëtarët e Byrosë Politike, e ministrat gjithashtu. Sipas dëshmive të Beqir Omarit, Dr. Topulli shkoi që atë ditë në vilën e Enver Hoxhës dhe që në fillim i tregoi arsyen se pse kishte shkuar, duke i thënë në formë lutje: “Falja jetën atij djalit të vogël të Eqeremit, pasi është shumë i ri, vetëm 40 vjeç”. Hoxha, pa shprehur asnjë lloj habie, (gjë që tegonte se ai ishte në brendësi të çështjes), duke i zgjatur paketën e cigareve mikut të tij të ngushtë që nga koha e fëmijërisë, iu përgjigj: “Doktor Skënderi, më mirë të pushkatohet, sesa të bëjë 25 vjet burg”. Pas këtyre fjalëve, Dr. Topulli e kuptoi se duhet të ndërronte bisedë me të, aq më shumë se ishte hera e parë që Enveri nuk i drejtohej direkt me emër, por: Doktor Skënderi?! Dy ditë pas Vitit të Ri 1968, vëllai i tij Beqiri, udhëtoi drejt qytetit të Shkodrës dhe shkoi në Degën e Punëve të Brendëshme, duke u paraqitur te sporteli i oficerit të rojës, ku dorëzon dy paketa me cigare dhe 500 lekë të vjetra, për vëllanë e tij, Gramozin. Por ndërsa Beqiri po priste që polici i shërbimit t’i shënonte ato në fletoren përkatëse, ai i thotë, “Është vënë në zbatim, vendimi i Kuvëndit Popullor”. Dhe fatkeqësisht ashtu kishte ndodhur, pasi dy ditë më parë, natën e 31 dhjetorit 1968, një skuadër pushkatimi e Degës së Punëve të Brendëshme të Shkodrës, me automjetin që përdorej shpesh në ato raste, kishte ndaluar pranë një reparti ushtarak diku te Zallit të Kirit, dhe kishte kryer “formalitetin me procedurën” që ia jepte ligji në fuqi. Gjë të cilën familja Omari do ta mësonte vetëm pak ditë më vonë kur ata takuan prokurorin, Nj. Z., i cili me qetësinë më të madhe iu tha: “Po, unë isha prokuroi që dhashë dënimin me vdekje, dhe mora pjesë në ekzekutimin e tij, pasi kjo është detyra ime”.

Pasojat e familjes Omari, dhe trupi, ende i pagjendur

Pak ditë pas ekzekutimit të Gramozit, vëllai i tij, Beqiri, pushohet nga puna në Estradën e Shtetit, dhe bashkë me prindërit internohet në fshatin Sheq-Marinzë të Fierit. Po kështu dhe vëllai tjetër, Xhemili, që ishte mjek në Elbasan, internohet po në fshatrat e këtij rrethi. Por për familjen Omari nuk mbaroi gjithçka me aq, pasi pak ditë pas internimit, Beqiri, arrestohet dhe dënohet me 8 vite burg për agjitacion dhe propaganda dhe ndërkohë që ai kryente dënimin, dy prindërit e tyre, vdiqën në mjerim të thellë aty në barakën e tyre në internim. Pas viteve ’90-të, dy vëllezërit e Gramozit, Beqiri dhe Xhemili, vihen në kërkim të gjetjes së eshtrave të tij. Ata të dy, detyrojnë prokurorin Nj. Z., i cili u tregon vëndin e ekzekutimit, por jo vëndin e varrimit, i cili sipas tij, “nuk ishte kopetencë e tij”. Lidhur me këtë ngjarje, Eshref Kepa, nga Shkodra midis të tjerash ka dëshmuar: “Ishin ditët e para të janarit të vitit 1969 dhe kisha shkuar te reparti në Zallin e Kirit për të marrë letrën e zborit. Gjatë kohës që oficeri i rojës po më plotësonte atë, aty afër zyrave në një breg zalli, po lehnin disa qenë rrugësh. Oficeri i rojës duket se u bezdis nga zhurma e lehjes së qenëve dhe e ndërpreu plotësimin e fletës së zborit, duke iu drejtuar disa ushtarëve që ishin aty, që t’i trembnin qentë dhe t’i largonin prej andej. Pastaj ai u ul përsëri në tavolinë për të shkruar dhe m’u drejtua duke më thënë në mirbesim: ‘Ata të Degës, para dy ditësh kanë pushkatuar këtu priftin e Velipojës dhe një mjek ushtarak, që ka kthyer UDB-ja’. Unë, pasi mora letrën e zborit, duke u larguar prej andej pashë aty ky ishin qentë vetëm një kufomë përmbys dhe e njoha nga xhaketa që ishte e priftit të Velipojës”. Dëshmia e Kepës përkon me dëshminë e një miku të vjetër të familjes Omari në Tiranë, që insiston se: “Kufoma e Gramozit, atëherë pas pushkatimit, na ka ardhur në morgun e Tiranës”, por dhe atje ajo nuk konfirmohet zyrtarisht nga dokumentet arkivore të Ministrisë së Brendëshme, ndonëse mjeku ngul këmbë në versionin e tij. Ndoshta është kështu, pasi 40-vjeçari, Gramoz Omari, do t’i shërbente Mjekësisë, jo vetëm për së gjalli. Dhe kur kanë kaluar plot 52 vite nga 31 dhjetori i largët i vitit 1968, në shtëpinë e familjes Omari, ende nuk festohet Viti i Ri, pasi, trokëllima e gotave në veshët e tyre, ushton si breshëri plumbash…!/Memorie.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular