Policia e Durrësit ka parandaluar një krim të mundshëm në lagjen 13 duke arrestuar një 33-vjeçar. Autoritetet kishin marrë informacion se ky person kishte nën xhup një armë zjarri bashkë me dy karikatorë dhe po futej në një restorant.
Menjëherë është organizuar operacioni dhe është vënë në pranga 33-vjeçari që figuron me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe dhunës në familje.
NJOFTIMI I POLICISË
Policia e Durrësit parandaloi një ngjarje të mundshme kriminale. Marrja në kohë e informacionit dhe reagimi i menjëhershëm i Policisë vë në pranga një 33-vjeçar, i cili hyri me armë zjarri në një lokal.
Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit kallashnikov, me 2 karikatorë me municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë marrë informacion se në lagjen nr. 13, në Durrës, një shtetas mbante të fshehur poshtë xhupit një armë zjarri kallashnikov dhe po futej në ambientet e një restoranti.
Menjëherë u organizua puna nga shërbimet e Policisë, të cilët falë reagimit në kohë dhe profesionalizmit bënë të mundur kapjen e personit, pa shkaktuar pasoja, si dhe sekuestrimin e armës së zjarrit.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
L. B., 33 vjeç, banues në Kavajë, me precedent penal në fushën e narkotikëve dhe dhunës në familje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.