Ka një eufori kolektive tek shumë aktorë publikë që besojnë se, shkopi magjik për të përmbysur sistemin politik ekzistues qëndron tek ndryshimi i kodit elektoral. Ata mendojnë se e kanë gjetur edhe formulën për këtë: Një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura. Mrekullia e këtij kodi qendron tek fakti se, sipas tyre, ai sjell eleminimin e dominimit të kryetarëve mbi partitë, duke bërë të mundur pashmangshmërisht demokratizimin e tyre, e për rrjedhojë edhe demokratizimin e vendit, gjë që do të sjellë shpëtimin.
Në fakt, ky sistem që ata kërkojnë nuk gjendet dhe aq nëpër Europë. Fare pak vende e aplikojnë dhe, për më tepër, kushtet politike të Shqipërisë nuk ngjajnë fare me to. Megjithatë, këto anashkalohen plotësisht në debatin publik. Si gjithmonë retorika zhvillohet në rrafshin e klisheve dhe populizmit. Vetë shndërrimi i një debati të tillë kaq teknik, – të cilin janë të aftë ta bëjnë shumë pak njerëz në këtë vend, – në një kauzë popullore, tregon se gjithsesi jemi brenda oportunizmit të zakonshëm. Pra asgjë e re nga fronti i përmbysjeve të mëdha!
Pikë së pari, vetë ideja se problemi i partive shqiptare qenkëshin kryetarët e tyre, është gjithashtu një mit. Nuk ka asnjë arsye për të qenë të prirur të besojmë se ministrat, apo i gjithë enturazhi i elitave partiake që përfshihen në qeverisje, janë më pak të korruptuar se kryetarët e tyre. Madje e kundërta është më e besushme: Duke qenë se përgjegjësitë e tyre janë më të vogla, edhe korruptueshmëria duhet të jetë më e madhe. Gjithashtu nuk ka asnjë arsye të besojmë se fragmentimi i pushtetit në një grusht duarsh pushtetarësh të nivelit të dytë, të cilët fitojnë fuqi për të kërcënuar me destabilitet çdo qeverisje që nuk kënaq orekset e tyre, e bën politikën më të mirë.
Në thelb, ajo për të cilën vuan qeverisja nuk është thërrmimi i pushtetit në një numër më të madh gojësh të uritura për korrupsion, por kufizimi i tij nëpërmjet institucionesh të pavarura funksionale. Problemi i Ramës sot, nuk është se taulantët, – zëvendësuesit potencialë të tyre me sistemin e ri të propozuar do të jenë gjithashtu produkt i manipulimit të votës dhe manipulimit propagandistik të mediave, – nuk kanë kurajë t’i ushtrojnë më shumë presion qeverisë, por se institucionet e pavarura janë kapur duke nxjerrë jashtë funksionimi themelet konstitucionale të vendit.
Pra, përpara se të na thuhet se cili sistem na sjell parajsën e premtuar, debati publik duhet të kish trajtuar fillimisht se cilin problem kërkojmë të zgjidhim nëpërmjet ndryshimit të kodit elektoral: A janë problemi kryetarët, politikanët e korruptuar, oligarkët, apo dikush tjetër?
Sipas atyre që pretendojnë se e kanë gjetur formulën e shpëtimit, problemi me sistemin aktual qendron tek fakti që kryetarët kanë pushtet absolut nëpër parti, për shkak se ata kanë të drejtë të përcaktojnë renditjet në listat elektorale. Kjo bën që rrjedhimisht ata të përcaktojnë se cili prej kandidatëve në listë do të jetë deputet e cili jo. Për këtë arsye, sipas tyre, kemi një parlament të mbushur me deputetë pa nivel intelektual, pa kredenciale morale e politike, pa autoritet e madje edhe të lidhur me botën e krimit.
Pikërisht, për të korrigjuar këtë, ata propozojnë një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, ku nuk do të kemi më një ndarje në zona elektorale, por ku gjithkush kandidon në rang kombëtar dhe ku renditjen në listë e përcakton populli, në bazë të votave që secili kandidat merr. Duke qenë të zgjedhur nga populli këta politikanë do të fitojnë pavarësi nga kryetarët duke i vënë ata përpara presionit për të qeverisur mirë.
Në fakt, nuk ka asnjë garanci se ky sistem do të prodhojë një qeverisje më të mirë. Pikë së pari, kryetarët do të vazhdojnë të kenë pushtet pasi ata do të vazhdojnë të jenë hartues të listave, pavarësisht se nuk do të kenë më në dorë renditjen e kandidatëve fitues brenda tyre. Një deputet që i bën presion kryeministrit, mund të përjashtohet nga lista dhe kaq mjafton për ta flakur në rrugë. Në këtë mënyrë, ky sistem nuk sjell asgjë në funksion të demokratizimit të partive. Këtë mund ta konstatojmë edhe në Kosovë ku, vendosja e një sistemi të tillë, nuk ka sjellë ndonjë përmirësim.
Në fakt, sistemi i propozuar, jo vetëm që nuk sjell asgjë nga ajo çfarë pretendohet, por përkundrazi, krijon shumë më tepër probleme se ç’ekzistojnë aktualisht.
Pikë së pari, nuk kemi arsye të besojmë se populli, – i cili në fakt është ai që zgjedh, përkrah dhe brohoret kryetarët që kemi pasur gjatë këtyre 30 vjetëve, – do të veprojë më mirë me nivelet e tjera të përfaqësimit politik. Së dyti, prodhimi i një gare midis deputetëve brenda vetë partive, paralelisht me garën midis partive, do ta çorientonte fushatën elektorale dhe do ta bënte edhe më të pamundur një politikë në funksion të qytetarit pas zgjedhjeve. Së treti, një sistem proporcional kombëtar, do të sillte njëtrajtësim të profileve politike çfarë do t’i bënte partitë më të paafta për të mbuluar role të ndryshme për të cilat ato kanë nevojë në jetën politike.
Megjithatë këto nuk janë thelbësore. Një prej problemeve më të rëndësishëm të këtij sistemi është fakti se ai eleminon zonat elektorale. Për pasojë, nuk kemi më deputetë zonash, por deputetë të zgjedhur në rang kombëtar, gjë që e shkëput politikën nga njerëzit në terren. Ata nuk kanë më përfaqësues të tyrin në parlament, gjë që shkon në kundërshtim të plotë me pretendimet e mbrojtësve të tij, për rritje të përfaqësueshmërisë politike.
Por edhe në rang kombëtar, sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura nuk e rrit aspak përfaqësueshmërinë. Madje përkundrazi, e përkeqëson atë. Ai nuk dërgon në parlament politikanë lokalë që njihen nga populli, gëzojnë reputacion në komunitet dhe përfaqësojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë interesat e tyre. Përkundrazi, ai e mbush parlamentin me përfaqësues të interesave të politikës së qendrës, kryesisht ata që dalin në media dhe kanë në duar shumë para dhe burime për të ndikuar në rrafsh kombëtar.
Që të fitosh zgjedhjet në një sistem të tillë duhet të jesh patjetër i lidhur me burime të mëdha influencash. Shkurt, duhet të jesh i lidhur me oligarkët. Një individ pa mbështetje të tilla, pa shumë para dhe pa akses në mjetet e komunikimit të oligarkisë nuk ka asnjë shans të fitojë, pasi ai nuk e kërkon më votën në komunitetet lokale, por e kërkon përballë të gjithë shqiptarëve në rang kombëtar.
Kjo do të thotë se sistemi i propozuar prej tyre, edhe nëse ia del të ulë fuqinë kryetarëve, por këtë fuqi nuk ia kalon popullit, por oligarkëve. Këta të fundit do të kenë më shumë mjete për t’iu bërë presion kryetarëve, nëpërmjet politikanëve tek të cilët ata investojnë, gjë që do të prodhojë një politikë akoma më të shkëputur nga qytetarët. Paradoksi na bën të biem me këmbët tona në gropën që donim të shmangnim. Sistemin që donim të përmbysnim, vetëm sa e forcojmë edhe më shumë.
Natyrisht që kodi zgjedhor ka nevojë të ndryshojë, por jo nëpërmjet një sistemi proporcional me lista të hapura. Një sistem miks do të ishte më i frytshëm. Kjo vlen të diskutohet, por pa harruar se, mbi të gjitha sistemi politik nuk rregullohet nga kodi zgjedhor, por nga një luftë e përditshme për forcimin e institucioneve, të cilat kanë nevojë të reformohen dhe rithemelohen në funksion të shtimit të barrierave ndaj qeverisë.