Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, deklaroi në një takim me strukturat e partisë së saj në Elbasan se dekada të sapo ka nisur, do të jetë një dekadë e re me shpresa për të rinjtë.
Teksa i uroi suksese anëtarëve të rinj të LSI-së Kryemadhi u kthye pas në kohë, ndërsa pohoi se kartën e parë të një partie politike ajo e kishte marrë kur ishte 17 vjeç.
“Ndryshe nga herët e tjera, do doja që në Elbasan, meqë jemi në kuadër të anëtarësive të reja, ta nisja me shpërndarjen e kartave për anëtarët e rinj. Kartën e një partie politike e kam marrë kur kam qenë 17 vjeç. Ka qenë një emocion i madh pasi një njeri beson tek ëndrrat e tij. Ndaj mund të ndryshojmë mentalitetin”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI tha se detyra e parë është ringjallja e shpresës për të ardhmen e vendit.
Duke pranuar se deri tani fokusi ka qenë denoncimi, ajo tha se tashmë duhet të ecet me marrjen e përgjegjësisë dhe angazhimet konkrete.
“Ne kemi denoncuar, por njerëzit janë lodhur me denoncimet e opozitës. Ne do të flasim hapur se jemi parti dhe grup opozitar, që jemi shumë të qartë në angazhimin tonë, për uljen e taksave, për të hapur biznese të reja, për kthimin e të rinjve dhe rejave që janë në botë se Shqipëria është e bekuar nga Zoti”, tha ajo.
Kryemadhi theksoi se opozita është e gatshme për të ecur përpara për të gjitha propozimet e reformës zgjedhore.
“Ka një njeri që nuk do që të ecë reforma, nuk do sepse pas kësaj, Ramës i vjen hapi i dytë, që janë zgjedhjet. Shqipërisë i duhet t’i sigurohet hapja e negociatave. Nëse merr vendi një tjetër jo, atëherë e ardhmja vihet në diskutim për shkak të shpopullimit masiv që do të ndodhë, duhet pakt kombëtar, jo marrëveshje politike, por pakt që ka të bëjë me reformat kryesore të vendit”, tha ajo.
“Nëntë kushtet e Bundestagut janë shumë të rëndësishme dhe ato fillojnë me reformën zgjedhore, miratimin dhe më pas implementimin e saj për të tejkaluar krizën”, theksoi ajo.