Klinikat gjermane paguajnë deri në 15.000 euro për të sjellë një infermiere nga Ballkani Perëndimor. Një biznes i majmë për ndërmjetësit dhe ajo që bëjnë disa, është thuajse tregti me njerëz.
Ishte një punë e paguar mirë, por disi e pazakontë ajo që bënte para dy vjetësh Nevena Pejiq (emri i ndryshuar), në hotelin “Slavija” në qendër të Beogradit. Hoteli kishte më shumë njerëz se zakonisht, disa dhoma ishin shndërruar nxitimthi në klasa mësimi. Më shumë se njëqind njerëz rrinin pas perdeve të rënda dhe mësonin në mëngjes dhe pasdite gjermanisht. Nevena i mësonte ata.
Njerëzve iu premtohej një vend pune në Gjermani, sapo ta zotëronin në mënyrë të mjaftueshme gjuhën. “Akomodimi në ‘Slavija” ishte i paguar, ashtu si edhe ushqimi, madje ata merrnin edhe ca para”, kujton Pejiq.
Agjencia e ndërmjetësimit Artigum Management bënte reklamë duke deklaruar se i përkiste një “punëdhënësi gjerman”. Për këtë arsye shumë njerëz kishin ardhur në Serbi edhe nga vendet fqinje të Ballkanit, për shembull nga Maqedonia e Veriut apo nga Bosnja. Synimi: të arrinin brenda katër muajve nivelin gjuhësor B2, që nevojitet normalisht për të marrë një vend pune në Gjermani. Një mision pothuajse i pamundur, thotë mësuesja.
“Shumë e kanë ndërprerë, sepse synimi ishte shumë i vështirë për t’u arritur”, thotë ajo. “Disa janë ankuar duke thënë se ishin mashtruar nga agjencia, se kishin lënë familjet në shtëpi dhe i kishin investuar të gjitha shpresat te kjo këtu”.
Ky është vetëm një nga shembujt e panumërt nga “industria e emigracionit”: Një industri që lindi në njërën anë nga mjerimi në Ballkan dhe në anën tjetër nga nevoja e madhe gjermane për punonjës të profesioneve mjekësore. Prej vitesh agjencitë e ndërmjetësimit dhe ndërmjetësit e tyre rendin në kërkim të punonjësve nga Ballkani Perëndimor dhe favoreve nga klinikat dhe azilet gjermane, të cilat ofrojnë shpërblime të majme për ndërmjetësimin.
Kërkohen dëshpërimisht infermierë
Agjencia gjermane e punësimit kohët e fundit numëronte në sektorin e mjekësisë gjithsej 50.000 qytetarë nga gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor (Serbia, Bosnje-Hercegovina, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi). Rreth 6.500 më shumë sesa një vit më parë.
Për të lehtësuar të paktën nevojën në këtë vend – sipas parashikimeve brenda pesë vitesh në Gjermani do të mungojnë rreth 200.000 infermierë dhe sanitarë. “Nuk ka më kuptim të nxjerrësh njoftime me kërkesa për këto vende pune në Gjermani. Askush nuk përgjigjet”, thotë shefi i kuadrit të një zinxhiri të madh të azileve të pleqve, që ofron hapësirë banimi për më shumë se 7.000 të moshuar. Ata janë tani gati t’u paguajnë ndërmjetësuesve rreth 10.000 euro për gjetjen e një infermieri. Kjo firmë e anuloi intervistën, që kishte planifikuar të bënte me DW, pak para se të zhvillohej. Ata nuk janë të vetmit, që s‘duan ta diskutojnë këtë temë në publik.
Shumë ndërmjetës thonë se marrin deri në 15.000 euro për një infermiere, që e sjellin nga Ballkani në Gjermani. Kjo shumë ndahet me shkollat e gjuhës dhe rekrutuesit në vend. Vlerësohet se kjo industri nxjerr disa qindra milion euro në vit dhe në shumicën e rasteve vështirë se ndjehet e lidhur me ndonjë rregull.
“Për mua kjo është tregti me njerëz”
Në një zyrë të vogël në periferi të Këlnit, Kay Simon buzëqesh i lodhur, kur dëgjon histori të tilla. Ai është drejtuesi i agjencisë së ndërmjetësimit IPP Health, një nga më të mëdhatë, që rekrutojnë në Ballkan. “Fillimi në Gjermani është mjaft i vështirë. Aq më i vështirë bëhet, kur një agjenci u premton diçka jorealiste njerëzve.”
Premtimet e zakonshme, thotë Simon, janë ato për paga të majme – këtu pagat bruto dhe neto ngatërrohen qëllimisht. Ose përhapen përralla se punonjësi mund të marrë me vete menjëherë tërë familjen. “Pastaj vijnë në Gjermani … është ftohtë, bie shi, familja është larg, paratë nuk janë sa duhet. Atëherë njerëzit janë shumë të trishtuar”, thotë Simon. “Nuk bën t`i largosh njerëzit nga vendi i tyre me premtime të rreme për t’i çuar në Gjermani. Për mua, ky është trafik me njerëz.”
Një tjetër ndërmjetës, i cili nuk dëshiron ta lexojë emrin e vet në shtyp, pranon se rekruton personelin brenda klinikave në Ballkan. Për ta bërë këtë, ai bashkëpunon me disa infermiere. “Ato më telefonojnë dhe thonë se kanë, për shembull, tri kolege që duan të shkojnë në Gjermani. Nëse funksionon, ata marrin nga unë 300 euro për person.”
Kontrata të vështira
Ndërmjetësit e dinë shumë mirë se çfarë mund t’ua prishë punën: kur një aplikant, të cilit tashmë ia kanë paguar shkollën e gjuhës dhe përgatitjet e tjera, për ndonjë arsye nuk lidh kontratë me punëdhënësin në Gjermani.
Kjo është arsyeja pse Pro Sert, një agjenci nga qyteti serb Kragujevac, u jep aplikantëve për të nënshkruar një kontratë, që parashikon një gjobë prej 3.000 eurosh, nëse ata largohen. Kjo është mesatarisht paga e një gjysëm viti në Serbi. Disa kontrata, që disponon DW, tregojnë se aplikanti paguan gjobën, nëse ai largohet nga kontrata, shkon përmes një agjencie tjetër në Gjermani, ose refuzon dy ofertat e para të punës që i bën Pro Sert.
Kjo agjenci bashkëpunon me Akademinë Dekra – një kompani e njohur trajnuese private me 150 lokacione në Gjermani. Dekra ofron trajnime edhe jashtë vendit. Shefe e përfaqësisë së Dekra në Serbi është Aleksandra Taliq, e cila deri në prill 2019 drejtonte agjencinë e diskutueshme Pro Sert. Kështu mbyllet rrethi: Dekra trajnon aplikantët në pesë lokacione në Serbi, Pro Sert i sjell në Gjermani dhe mbledh paratë.
“Aplikantët duhet të mësojnë gjermanisht dhe të kalojnë provimet”, thotë Taliq. Ndërsa për gjobat, që duhet të paguajnë, nëse largohen, ajo thotë: “Nëse nuk ka arsye të mjaftueshme, që një aplikant të kundërshtojë, ne duhet të tregojmë se ku është kufiri dhe ta detyrojmë aplikantin …ose më mirë ta ndihmojmë atë që të marrë vendimin për të qëndruar”.
Nuk mungojnë as mashtruesit klasikë
Me kontrata të tilla merret shpesh Mario Reljanoviq. Avokati beogradas thotë se dënimet drastike me gjoba në kontrata janë të pabazuara. Por ka edhe më keq: “Ka edhe kontrata që janë fare qartë mashtruese. Ato përmbajnë shpenzime të fshehura për aplikantët, ose kushte shumë të pafavorshme pune, deri në 12 orë në ditë, shtatë ditë në javë”, thotë Reljanoviq. “Kjo bie ndesh si me ligjin serb të punës ashtu edhe me atë gjerman.”
Por kërkesa rritet. Çdo vit rreth 200.000 njerëz largohen nga gjashtë vendet e Ballkanit – kjo është një përqind e popullsisë. Industria e emigracionit ecën për mrekulli, edhe nëse disa ndërmjetës humbasin në tregun konkurrues.
Ndërkohë në hotelin “Slavija” është kthyer disi qetësia. Klientët e pazakontë, aplikantët, nuk janë më atje – as agjensia Artigum Management nuk ekziston më. Shefja e dikurshme i ka fikur të gjithë numrat e telefonit. A dështoi modeli i biznesit? Mësuesja gjermanishtes Nevena Pejiq ka dëgjuar vetëm se agjencia vazhdon punën me një tjetër emër. Ajo dhe mësuesit e tjerë humbën punën dhe rrogat e muajve të fundit nuk i morën kurrë. Tani Nevena jep mësim individual, paratë i merr në dorë./DW/