Kryeministri Edi Rama ka qenë në fshatin Dritas në Zallherr për t’i dorëzuar çelësat e shtëpisë së re familjes Tafa që mbeti në qiell të hapur nga tërmeti. Pasi është prezantuar me familjarët dhe ka parë nga afër banesën një katëshe, Rama ka zhvilluar dhe një bisedë me ta, ku nuk kanë munguar batutat dhe mesazhet.
Kreu i qeverisë foli edhe për atë çfarë ka parë në Ukrainë, ku ditën e djeshme si kryetar i OSBE-së ka qenë edhe në një zonë të rrezikshme.
Ndërsa përgëzoi vajzën e madhe që ka rezultate të larta, Rama tha se e vetmja rrugë për të dalë nga varfëria është dituria.
“Unë e kam parë vetë këtë të paktit shumë herë. Kishte nga ata që deri edhe me çadër brenda se futej shiu dhe me të gjitha dhjeta. Dituria është e vetmja rrugë për të dalë nga varfëria…”, tha Rama.
“Dje kur shkuam atje tek zona e konfliktit po thosha me vete që shpesh herë… dhe kështu është s’ke ça i bën, njeriu harron shumë, e harron të keqen shpejtë.
Bëjmë mirë që i bëjmë krahasimet me Gjermaninë e Francën por kur sheh si jetojnë njerëzit e si kemi qenë jo shumë larg përpara duhet me…tha mirë njëri, ‘kemi qenë të lumtur dhe nuk e dinim, tani që jetojmë në këtë situatë katastrofike..’, një urë dykalimëshe për njerëz, 10 mijë veta në ditë që kalonin nga njëra anë në tjetrën për të marrë pension, ilaçe, me dy palë ushtarë, me snajperët që gjuanin…
Patjetër që ne nuk kënaqemi dhe duhet të bëjmë çmos për më shumë por duhet parë çik dhe mbrapa, nga jemi nisur çfarë pune është bërë, sa gjëra janë bërë.
Edhe për këtë të tërmetit se pashë çadrën ku keni ndenjur, kemi plot në çadra dhe presin shtëpinë…Duhet ta bëjmë patjetër nuk mund t’i lëmë me çadra. Po bëjmë të gjitha me shpejtësi sa mundemi, planin e ndërtimit se duam t’i bëjmë më mirë se sa ishin. Kur mendon që kanë kaluar shumë pak kohë dhe fillojnë ankohen. Nuk ankohen ata që janë në çadra, por ankohen të tjerët që shikojnë nga kafja e bëjnë muhabet. Ndërkohë që ka sot akoma në Itali që rrinë nëpër kabina presin shtëpitë dhe pas 10-15 vitesh. Duam që këtë grupin e familjeve që kanë shtëpi individuale ta mbyllim brenda këtij viti”, tha Rama që më pas bëri gëzuar me të pranishmit.
“Ta bëjmë një gëzuar me raki. Ne katunarët e Tiranës nuk dimë të bëjmë raki po hajt mo”.