Ka mbërritur sot në Shqipëri ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim.
Kujtojmë se gjatë marrjes në pyetje nga Senati Amerikan, e nominuara e Presidentit Donald Trump tha se do të mbështesë çuarjen përpara të reformave në Shqipëri.
“Do të inkurajojmë Shqipërinë në reformat e saj. Do të mbështesim ngritjen e SPAK dhe të BKH-së. Do të mbështes forcimin e ligjit. Do të punoj për luftimin e krimit të organizuar”, tha kandidatja për ambasadore e SHBA Yuri Kim.
Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori dhe personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor.
Ajo ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore, ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.