Turku Selami Simsek, i cili u arrestua pak kohë më parë në aeroportin e Rinasit nga autoritetet shqiptare, pasi njihet si mbështetës i Fetullah Gylen, ka kërkuar azil politik në Shqipëri.
Ne kërkesën e firmosur prej tij, ai shkruan ndër të tjera se në Turqi i rrezikohet jeta, pasi shteti atje e cilëson si gylenist.
“Këtë kërkesë e paraqes pranë zyrës së Kufirit dhe Migracionit Tiranë, që të fillojë procedura në emrin tim sa më shpejt të jetë e mundur, për azil. Këtë kërkesë e paraqes për shkak se në Turqi, shteti mendon që unë jam anëtar i Lëvizjes Gulen, dhe mendoj se atje mund t’i nënshtrohem veprimeve keqtrajtuese”, shkruan Simsek, në letrën drejtuar autoriteteve shqiptare.
Simsek u arrestua së bashku me mësuesin turk, Harun Çelik, pasi do të udhëtonin drejt Torontos, me vizë kanadaze të falsifikuar. Mësuesi “gylenist”, Harun Çelik, u dëbua me forcë nga autoritetet shqiptare, ndërsa miku i tij, Simsek vijon përballjen me drejtësinë shqiptare, ku prej disa muajsh ndodhet në paraburgim. BW