BallinaTe tjeraDëshmia rrëqethëse e gjeneralit të njohur për dajën e Mirush Kabashit: Si...

Dëshmia rrëqethëse e gjeneralit të njohur për dajën e Mirush Kabashit: Si i ekzekutuam Skënder Çelën dhe Mark Toçin, urdhri i Koçi Xoxes dhe Ballukut

spot_img
spot_img

Kjo eshte historia e panjohur e Skënder Çelës dhe Mark Toçit, dy të rinjve komunistë drejtues të Rinisë Antifashiste në qarkun e Durrësit në periudhën e pushtimit Italian të vendit dhe më pas me funksione drejtuese si kuadro në brigadat partizane.

Ata pas mbarimit të Luftës, drejtuan për disa kohë organizatën e Rinisë Antifashiste të qytetit bregdetar, hynë në konflikt me krerët kryesorë të Partisë Komuniste në Tiranë, ata ishin kundër diktatit që vinte nga “qendra”?!

Si filloi eliminimi i tyre pasi ata nuk “reflektuan” edhe pas këshillave të Nako Spiros dhe Teodor Hebës, si dhe presioneve të Ministrit të Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Koci Xoxes, që e thirri në zyrë Skënderin dhe teksa rrotullonte revolverin në tavolinë në shenjë presioni, i kërkoi që të tërhiqej nga rruga e tij?!

E gjithë historia e tyre tragjike që nga transferimi fillimisht në Konispol e Leskovik , dhe më pas duke i mobilizuar si ushtarë në Qarkun e Korçës, ku sipas dëshmisë së gjeneral-major, Baki Starja, më 26 dhjetor të vitit 1946, me urdhër të Koçi Xoxes, gjeneral-major Beqir Balluku dhe kolonel, Panajot Plaku, përkatësisht komandant dhe komisar të Divizionit të Korçës, i morën Skënderin dhe Markun të lidhur në “Chevrolet”-in e tyre dhe i dërguan në buzë të liqenit të Pogradecit, ku dhe i ekzekutuan me disa plumba në kokë! Dëshmia e Bajram Vulës në Kongresin e parë të PKSH-së, në 1949-ën, lidhur me vrasjen tragjike të tyre, duke treguar se me urdhër të Koci Xoxes, të nesërmen ai me Beqirin dhe Panajotin kishin shkuar përsëri në vëndin e ekzekutimit, për t’i zhvarrosur dhe groposur më pas diku në një vënd tjetër në anët të rrugës nacionale në Qafë-Plloçë…?!

 Ishte fund dhjetori i largët i vitit 1946. Një “Chevrolet” i vjetër çante mes për mes errësirën e natës nga qyteti i Korçës për në Pogrades, me destinacion në kallamishtet buzë liqenit. Në automjetin e zi, udhëtonin pesë njerëz: Panajot Plaku, Beqir Balluku, Bajram Vula dhe dy të tjerë që qëndronin të lidhur me pranga në portobagazhin e “Chevrolet”-it. Fare pranë buzës së ujit disa krisma armësh përzihen me zhurmën e dallgëve të liqenit dhe gjithcka mbulohet me një vello misteri…

Kush ishin ekzekutorët?

Kush ishin këta njerëz që udhëtonin atë mesnatë të largët të vitit 1946? Nga vinin dhe për ku shkonin? Ç’farë misioni kishin marrë dhe nga kush, e kundra kujt u drejtuan ato breshëri armësh?

Kjo ngjarje misterioze do të zbardhej pjesërisht disa vite më vonë në Kongresin e parë të Partisë Komuniste Shqiptare, dhe e plotë vetëm pas shëmbjes të regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe hapjes së arkivave. Në atë makinë udhëtonin “dy armiq të Partisë Komuniste”, si dhe tre ekzekutorët, që më vonë edhe ata do pësonin të njëjtin “fat” me viktimat e tyre të asaj nate të turbullt dhe pa hënë. Beqir Balluku, atëherë Komandant i Divizionit ushtarak të Korcës, vite më vonë ministër i mbrojtjes dhe zv/kryeministër (deri sa u pushkatua në vitin 1974, i akuzuar si kryetar i grupit puçist në ushtri). Panajot Plaku, Komisar i Divizionit dhe më vonë zv/ ministër i Punëve të Brendëshme dhe Ministër pa Portofol, e anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së (i shpallur më vonë si kundërshtar politik i Enver Hoxhës, i cili mundi të shpëtoj nga hakmarrja e tij vetëm pasi u arratis jashtë shqipërisë), dhe Bajram Vula, Komisar i Regjimentit II-të, të atij Divizioni.

Kushë ishin viktimat?

Dy personat e lidhur me tel ishin Skënder Çela, sekretar politik i celulës komuniste të fabrikës së Cigarave ”Stamles”, në periudhën e pushtimit Italian të vëndit, si dhe Mark Toçi, një ndër organizatorët e të parave demonstrata antifashiste të gjimnazistëve të Shkodrës. Skënderi ishte njëri nga ata që luftoi me armë në dorë në 7 prill të vitit 1939 në Bestrovë të Vlorës ku asokohe kryente shkollën Tregtare. Një ndikim të madh në formimin e Skënderit dhe Markut kishte padyshim miqësia që ata kishin me Shefqet Bejën dhe Enver Sazanin dy eksponentë të lartë të Lëvizjes Antifashiste dhe më pas në Kryesinë e Këshillit të Frontit Demokratik e deputetë të Kuvendit Popullor, të cilët në vitin 1947 do të shpalleshin “armiq të popullit” dhe do të dënoheshin me vdekje, të akuzuar si krerët kryesorë të “Grupin të deputetëve”.

Në vitin 1943, Skënderi me Markun drejtonin grupimet antifashiste të rinisë punëtore të qytetit të Durrësit, kryesisht Fabrikën e Cigarave, “Stamles” dhe portit detar. Në sajë të atij aktiviteti, së bashku dhe me Drita Malilen dhe Hysen Ballhysën, u bënë katër eksponentët kryesor të Lëvizjes Antifashiste të rrethit të Durrësit.

Pas demonstratës të 1943-it, Skënderi me Markun u arrestuan nga autoritetet italiane duke u konsideruar si persona tepër të rrezikshëm dhe u nxorrën para gjyqit dhe pas marrjes së dënimit ata u dërguan në burgun e Tiranës.  Pasi vuajtën disa kohë në atë burg, ata mundën të lirohen që andej me ndërhyrjen e Prefektit të Tiranës, Qazim Mulleti. Pas daljes nga burgu ata nuk mund të ktheheshin më në qytetin e tyre dhe dolën në mal në rradhët partizane. Skënder Çela u caktua në Batalionin Krujë-Ishëm dhe më vonë në Brigadën e 23-të Sulmuese që operonte në rrethin e Krujës, kurse Mark Toci, në Batalinon e tretë të Grupit të Pezës. Që nga ajo kohë e deri në mbarimin e Luftës që ata ishin në rradhët partizane, kryen detyra të ndryshme si kuadro drejtues të atyre formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu. Akoma pa mbaruar mirë Lufta, nisur edhe nga fakti se ata kishim mbaruar Shkollën Tregtare, në nëntorin e 1944-ës, me kërkesën e përfaqësuesve të Durrësit, Marku dhe Skënderi thirren dhe vihen në shërbim të pushtetit lokal të sapo krijuar në qarkun e Durrësit. Kështu pa u shkëputur nga puna me rininë durrsake, Skënderi drejtonte Seksionin e Ekonomisë dhe të Punëve Botore, kurse Marku ato të Financës dhe Kulturës.

Rebelimi dhe konfliktet me udhëheqjen e PKSH-së

Gjatë asaj periudhe që ata të dy punuan në ato sektore si dhe rininë antifashiste të qytetit bregdetar, iu lindën konflikte të ndryshme pasi ata nuk mund të pajtoheshin me shumë udhëzime që iu vinin nga “qëndra” si dhe diktatin që ushtrohej ndaj tyre për zbatimin e urdhërave dhe detyrave që vinin nga Tirana. Këto konflikte me “qëndrën” u acaruan së tepërmi, sidomos pas zgjedhjeve për në organet drejtuese të Rinisë Antifashiste të Durrësit, ku ata ishin të zgjedhur. Të gjitha këto dhe problemet e tjera që kishin dalë në organizatën e Rinisë Antifashiste të atij rrethi, iu bënë menjëherë prezent udhëheqjes së lartë të Partisë Komuniste nëpërmjet Adil Çarçanit (ish-kryeministër i më vonëshëm shqiptar në vitet 1982-1990), në atë kohë Sekretari i Qarkorit të PKSH-së për Durrësin, i cili në mes të tjerash i shkruante Komitetit Qëndror dhe Enver Hoxhës: ”Në pasdrekën e ditës së zgjedhjeve, shoku Koço Pepo sekretar i Komitetit të nënprefekturës, ka lajmëruar Skënder Çelën dhe Mark Toçin, se në orën katër do të ishte mbledhja e komisionit të agjit-propit ku bënin pjesë. Skënder Çela duke mejtuar se mbledhja e komisionit mos gjoja qe caktuar për të sabotuar vajtjen e atij në zgjedhjet e rinisë, i inatosur karshi Koço Pepos, i gerthet me gjaknxehtësi, duke i thënë pikërisht këto fjalë.”E di unë more Koço Pepo që ti i bën të gjitha këto për të sabotuar që unë të mos shkoj në zgjedhjet e rinisë, por unë do të shkoj se më do rinia. E shkon në zgjedhje”….

Letrat e Adil Çarçanit dërguar Enverit për veprimtarinë “Katërshes”

Çfarë kërkonin Skënder Çela me Mark Toçin që e detyruan Adil Çarçanin  të vinte në “korent” udhëheqjen e lartë të Partisë Komuniste dhe personalisht, Enver Hoxhën?! Si idealistë që ishin, Skënderi me Markun nuk mund të pranonin diktatin që ushtrohej nga “lart”, pasi ata ishin kundër centralizimit të tejskajshëm që po vihej re si në parti ashtu dhe në organet e qeverisjes, gjë e cila i shtyri ata të kundërshtonin dhe denonconin manipulimet që po bëheshin në procesin e zgjedhjeve të organizatës së Rinisë Antifashiste të Durrësit. Lidhur me këtë, në ditarin e tij, mes të tjerash, Skënderi shkruante: “Ne filluam një luftë parimore, kurse nga qëndra nuk ishin të këtij mendimi”. Kështu, në veprimtarine e tyre, përveç Drita Maliles e Hysen Ballhysës, ata u mbështetën edhe nga një grup i madh të rrinjësh durrësak, i cili u konsideruar si ”Grupi i 47 të rinjëve”. Kështu në kundërshtim të plotë me të gjitha porositë e udhëzimet e qëndrës në zgjedhjet e Rinisë Antifashiste, në mbledhjen e organizuar në kinemanë e qytetit, populli kërkoi që Skënder Çela të ishte president i Rinisë për Durrësin. Në kundërshtim me kandidaturat e sjella nga qëndra u zgjodhën dhe Mark Toçi dhe Hysen Ballhysa në zgjedhjet për pushtetin lokal, megjithëse “grupi të katërshes“, ju bë presion i madh që të mos vinin kandidaturat. Nisur nga fakti se ata nuk po “reflektonin” dhe po nuk zbatonin udhëzimet e porositë e “qëndrës”, ndaj tyre filluan presionet që ata të tërhiqeshin. Kështu Skënder Çela thirret në zyrën e general-letinant Koçi Xoxes (në atë kohë mbante postin e Ministrit të Punëve të Brendëshme dhe sekretarit organizativ të PKSH-së) , i cili i bëri shantazhe dhe presion që ai të tërhiqte kandidaturën ku ishte zgjedhur. Lidhur me këtë takim, sipas disa dëshmive, Skënder Çela do t’u tregonte në koefidencë familjaravë të tij: “Ndërsa Koçi Xoxe më fliste, në tavolinë rrotullonte një revolver”!

Në Durrës për “dy rebelët” dërgohen Nako Spiro dhe Teodor Heba

Nisur nga fakti se organizata e Rinisë Antifashiste të Qarkut të Durrësit “po dilte nga binarët”, udhëheqja e lartë e PKSH-së, vendosi që atje të dërgonte si të deleguar, Nako Spiron dhe Teodor Hebën, dy nga kuadrot durrsakë më të lartë që kishte udhëheqja se PKSH-së. Nako me Hebën, e parandjenë rrezikun që po u kanosej Skënderit dhe Markut, dhe ju bënë thirrje atyre që të tërhiqeshin nga veprimet e tyre dhe gjenin një mundësi të largoheshin nga ato detyra që mbanin, duke e kërkuar vetë atë gjë. Madje, po të ishte e mundur ta linin dhe Durrësin dhe të largoheshin që andej, duke kërkuar të shkonin me studime të larta jashtë Shqipërisë. Por ata të vendosur në idealet e tyre nuk e pranuan as “ofertën“ e Nakos, edhe pse ajo ishte mjaft dashamirëse.  Ata ishin të vendosur në luftën e tyre të pa kompromisë kundër diktatit që zhvillohej nga lart në Partinë Komuniste. Më pas, kurë vota e lirë dhe vendimi i zgjedhjeve nuk u zbatua dhe në organet drejtuese u vendosën njerëz të diktuar nga lart, Skënderi e Marku, të pasuar nga Hyseni e Drita, shpallën publikisht daljen nga Partia komuniste. Ky ishte një aktë i pashembullt dhe që ndodhte për herë të parë në rradhët e kësaj partie. Dalja e këtyre publikisht nga rradhët e Partisë Komuniste Shqiptare, i solli jo pak probleme dhe telashe udhëheqjes së lartë në Tiranë, pasi ata kishin dhe gëzonin një popullaritet të jashtëzakonshëm në qytetin e tyre, sidomos në rardhët e organizatës së Rinisë Antifashiste. Po çdo të bëhej me ta? Eleminimi i tyre nuk mund të bëhej shumë lehtë, kur dihej përkrahja e madhe që ata gëzonin në qarkun e Durrësit. Gjë e cila u duk qartë më pas kur ata duke mos qenë fare në listat elektorle të përpiluara nga qëndra, populli i votoi pa qenë present në sallë dhe duke fituar bindëshëm me kandidatët e qëndrës në raportet 5 me 1.

Qëndra demaskon “tradhëtarët” Çela dhe Toçi  

Pas gjithë këtyre që po ndodhnin me dy “rebelët” durrsakë, duket se “qëndra” në Tiranë e humbi durimin dhe vendosi të hartonte skenarin për eleminimin e tyre fizik, por fillimisht ata duheshin demaskuar. Kështu në Durrës, sipas porosive dhe udhëzimeve konkrete të ardhura nga Tirana, Adil Çarçani, Kiço Kasapi, Eleni Terezi,(Pashko) udhëzuan të bëheshin mbledhjet e celulave ku ata u shpallën armiq. Në mbledhjen e celulës së Komitetit Ekzekutiv, Drita Malile që ishte mbështetësja kryesore e Skënder Çelës dhe Mark Toçit, u ngrit hapur kundra Kiço Kasapit, kur ai u shpreh se: “Skënderi me Markun ishin armiq”.  “Ne, na ka zgjedhur populli me votë të lirë dhe në mënyrë demokratike”, u shpreh e revoltuar ajo në atë mbledhje. Por, pas demaskimit që i’u bë atyre si element armiq dhe antiparti, filluan dhe arrestimet. Në fillim u arrestua Drita me Hysen Ballhysën, të cilët u mbajtën për gjashtë muaj në qelitë e Sigurimit të Shtetit, ku nuk munguan as torturat ndaj tyre. Ndërsa duke parë reputacionin e madh që kishin në popull Skënderi me Markun, ata nuk u arrestuan menjëherë, por i transferuan larg Durrësit, duke i dërguar në Konispol dhe Leskovik. Po a kishte dijeni Enver Hoxha lidhur me sa po ndodhte me Skënder Çelën dhe Mark Toçin dhe a mund të dënoheshin ata pa miratimin e tij?! Kjo gjë konfirmohet qartë nga disa dokumente arkivore, ku në një fletore shënimesh të Enver Hoxhës, gjendet një listë e shkruar me dorën e tij, ku janë të shënuar 41 kuadro të qarkut të Durrësit, listë e cila i përket vitit 1943 dhe aty Skënder Çela figuron i treti pas Kozma Nushit dhe Telat Nogës (Heronj të Popullit). Për Skënderin, Hoxha ka vënë shënimin, “nënpunës, i qartë dhe i vendosur”. Kurse Mark Toçi në këtë listë figuron i 23-ti me shënimin: “nënpunës, i qartë, ambicioz”. Ky dokument është shkruar nga Hoxha në vitin 1943. Në këtë dokument emri i Markut figuron i nënvizuar…?!

Skënderi me Markun, thirren për shërbimin ushtarak?!

Në gusht të 1946-ës, Markun dhe Skënderin i thërasin për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, gjë e cila për vetë ligjet e asaj kohe ishte një veprim i pa rregullt, pasi ata të dy kishin qenë partizanë, madje kuadro, me detyra drejtuese dhe nuk mund të mobilizoheshin tashmë si ushtarë të thjeshtë?! Transferimi i tyre në Konispol dhe Leskovik nuk ishte i rastësishëm, pasi sipas skenarit që ishte hartuar nga “lart”, atyre u “jepej” mundësia për ndonjë arratisje të mundëshme, ku ndonëse gjatë gjithë kohës ishin të survejuar. Duke parë se kjo arratisje nuk u relizua dhe Skënderi me Markun nuk po binin preh e atij kurthi që u ishte organizuar, atëhere “skenari” për eliminimin e tyre ndryshoi dhe ata dërgohen si rezervistë në Qarkun e Korçës. Kështu Skënderi dërgohet në Divizionin e tretë (regjimenti i dytë), kurse Marku në të tretin.  Disa kohë më pas, Skënderi transferohet në qytetin e Pogradecit. Lidhur me këtë, Petraq Laku, i cili ka qenë bashkë në një regjiment me Markun, në dëshmitë e dhëna për familjarët e tij shumë vite më vonë, kujtonte se atë fund dhjetori ai takohej pothuajse për ditë me të. Markun në atë kohë e tërheqin nga regjimenti, duke e veçuar dhe e ngarkojnë si përgjegjës të bibliotekës së regjimentit në Korçë, gjë e cila bëhej ndoshta për ta pasur nën kontroll? Petraqi dhe Marku janë takuar deri në ditën e Krishtlindjeve më 25 dhjetor kur papritur kanë takuar dhe Skënderin me të cilin kishin katër muaj pa u parë. Petraqi la takim me Skënderin të nesërmen, por ai nuk u duk as dhe dy tre ditët e tjera?! Më 29 dhjetor nuk u duk as Marku në takim?! “Më 1 janar, kujtonte Petraqi, në Korçën e mbuluar nga bora takova një shok nga Tirana (Adem Fagu) dhe më tha se Mark Toçi së bashku me një shok të quajtur Skënder Çela janë arratisur…?! Kjo gjë m’u duk e pabesueshme se ata i kisha aq shumë shokë, sa nuk mund ta bënin një gjë të tillë pa e ditur dhe unë”!

Kongresi i parë: Akuzat bien mbi Xoxen

Po ç’kishte ndodhur me Skënder Çelën e Mark Toçin dhe si qëndron e vërteta rreth misterit të tyre? Kjo gjë do të zbardhej pjesërisht vite më vonë në Kongresin e parë të Partisë Komuniste Shqipotare. Kështu pas eleminimit që Enver Hoxha i bëri bashkëpunëtorit më të ngushtë të tij që nga koha e Luftës, Koci Xoxes, të gjitha krimet, vrasjet, torturat, internimet dhe reperkusionet që kishin ndodhur deri në atë kohë, ai (Enveri), do t’ia ngarkonte atij, ndonëse siç do të dëshmonte Xoxe në deponimet e tij, ai çdo gjë e kishte bërë me dijeninë dhe aprovimin e “Komandantit”. Po kështu u veprua dhe me misterin Çela- Toçi. Në një nga seancat e Kongresit të parë të PKSH-së, Bajram Vula do të dëshmonte: ”Në qershorin e 1946-ës, kam qenë në pushim kur është bërë revizionimi në parti, atëherë dolën 27 anëtar antiparti, armiq të partisë. Kur u bë thirrja në ushtri, erdhën dhe dy prej tyre Skënder Çela dhe Mark Toçi. Në këtë kohë me 26.12.1947 ka ardhur Koçi Xoxe në Korçë për të punuar konventën ekonomike me Jugosllavinë. Po në këtë periudhë ka ardhur dhe Beqiri me Panajotin dhe më thanë të shkojmë në komandë. Ka qenë ora 11.00 e natës. I morëm të dy usharakët dhe i vramë. Të nesërmen shkuam dhe i fshehëm. Unë i thashë shokut Panajot që t’ua bëjmë gjyqin, të mbledhim ushtarët dhe pastaj t’i vrasim në sy të ushtarëve. Kjo vepër është vepër kriminale sepse këta janë vrarë pa ligje. Koçi me shokët e tij nuk kanë zbatuar urdhërat e Partisë. Unë nuk kam qënë i qartë për gjyqet e popullit. Unë si komisar Regjimenti nuk ndihem të kem faj në këtë vepër, prandaj faji parë është i Koçi Xoxes, i dyti i Beqir Ballukut dhe i treti imi. Por nuk më lë të qetë ndërgjegja se Koçi nuk i vrau vetë, po me anë tonë”.

Ky është diskutimi i Bajram Vulës i mbajtur në Kongresin e pare të PKSH-së, kurse në një deklaratë tjetër të bërë prej tij pas shëmbjes së regjimit komunist (në vitin 1993) për të afërmit e tyre, ai e shtjellon më tej këtë çështje, ku midis të tjerash shton:

Nata e krimit, dëshmojnë autorët

“Më bëri përshtypje se Panajot Plaku nuk e kishte marrë shoferin, por e ngiste vetë makinën. Kur hypa në makinë pashë mbrapa Skënder Çelën dhe Mark Toçin të lidhur me litar. Pasi ndaluam makinën diku në breg të liqenit në qendër të plazhit të sotëm, Beqiri dhe Panajoti me shpejtësi I nxorrën nga makina dhe i qëlluan disa herë me revolver. I ndodhur në befasi në këtë skenë, protestova për veprimin të paligjshëm duke iu drejtuar Panajotit se; veprime të tilla duhet të bëhen vetëm me vendime gjyqi. Ndërsa në momentet e mbulimit të kufomës me rërë, Beqir Balluku, i ekzaltuar u përgjigj se kishte një urdhër nga gjeneral Koçi Xoxe. Të nesërmen në darkë rreth orës 23.00, nga frika se do të zbulohej vëndi, i morëm kufomat dhe i varrosëm në një cep të rrugës automobilistike para se të arrish në Qafë – Plloç, vetëm se këtë herë në vënd të Beqir Ballukut, erdhi Baki Starja. Unë dhe Bakiu hapëm një gropë dhe mbuluam kufomat, kurse Panajoti ndriçonte vendin me dritat e makinës”.

Kështu në atë fund të dhjetorit të 1946-ës, me urdhër të Koçi Xoxes, Skënder Çela dhe Mark Toçi u pushkatuan prej Beqir Ballukut, Panajot Plakut dhe Bajram Vulës në Pogradec.

Dëshmitë e fundit: Krimi zhvarroset

Ndërsa në një dëshmi tjetër që bën fjalë për këtë ngjarje të dhënë për familjarët e Skënder Çelës dhe Mark Toçit, ish-shefi i Stërvitjes i Regjimentit të Pogradecit në atë kohë, Baki Starja, (më pas gjeneral-major), thuhet se: ”Më ka ardhur Panajot Plaku duke më thënë se: ‘Sot do të zhdukim kufomat e dy armiqëve që i kemi vrarë mbrëmë, detyra është shumë sekret dhe duhet konspiracion i madh’. Nga mënyra se si m’u komunikua detyra, mendova se kishim të bënim me një detyrë shumë të rëndësishme, ku nuk përjashtohej mundësia që pas kryerjes së detyrës mund të më zhduknin dhe mua për të humbur gjurmët, prandaj mora me vete revolverin të mbushur plot me fishekë. Në vënd ngjarje shkuam unë dhe Bajram Vula, ai me një lopatë xheniere më tregoi vendin ku ishin kufomat. Pas ç’varosjes, unë njoha menjëherë Skënder Çelën se ishte rezervist në repartin tonë dhe një tjetër më të dobët dhe më të gjatë. Të dy kufomat që ishin goditur disa herë prapa koke me plumba, menjëherë i ngjitëm në “Chevrolet”-in e Panajotit, i cili nuk doli për asnjë çast nga makina. Makinën e ndaluam në Qafë – Plloç dhe duke shfrytëzuar një transhe të luftës italo-greke, bëmë varrosjen e kufomave. Panajoti rrinte përsëri në makinë duke na ndriçuar vendin me dritat e maknës. Unë e njihja personalisht Skënderin në regjiment, ku ngrinte probleme që ishin në kundërshtim me vijën e partisë… Mua nuk më është dukur asnjëherë e drejtë vrasja e tyre, pavarësisht se kisha rezervat e mija për ta”.

Hoxha eleminon autorët e krimit

Duke parë dëshmitë dhe dokumentat e mësipërme që hedhin dritë mbi misterin “Çela-Toçi”, duket qartë se udhëheqja e lartë e PKSH-së dhe personalisht Enver Hoxha, shihnin tek ata dy djem të rinj komunistë idealistë, dy kundërshtarët politkë, që mund t’u sillnin”telashe” të mëdha sistemit autoritarist që ata po instalonin në Shqipëri, gjë e cila kishte filluar që nga periudha e Luftës. Vetë angazhimi i krerëve kryesorë të atij rregjimi për eleminimin fizik të Skënder Çelës dhe Mark Toçit, e konfirmon dhe e tregon më së miri këtë gjë. Një fakt tjetër që e bën më bindës këtë ngjarje, janë edhe njësërë dokumentash të gjendura në arkivat e ish-Sigurimit të Shtetit, që hedhin dritë “mbi veprimtarinë tepër të rrezikshme të Skënder Çelës si nisiator i krijimit të Partisë Social Demokrate, i nxitur dhe përkrahur nga mësuesi i tij, që ai e kishte si idhull, Skënder Luarasi dhe miqtë e tij Shefqet Beja dhe Enver Sazani”. Nga të gjithë njerëzit e tij të ngushtë që Hoxha përdori për eleminimin fizik të Çelës dhe të Toçit, vetëm Adil Çarçani mundi t’i shpëtonte dorës së tij të hekurt. Kështu siç dihet tashmë, në periudha kohë të ndryshme ata patën një fat tragjik duke rënë viktima e idealit të tyre që përqafuan që në rininë e tyre, si: Nako Spiro, Koçi Xoxe, Panajot Plaku, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu etj. Kështu në vitin 1975 njëri nga ekzekutorët e Çelës e Toçit ish-nënkryeministri dhe ministri i mbrojtjes Beqir Balluku do të shkonte po në mesnatë po në atë fshehtësi drejt vdekjes, por këtë rradhë jo në rolin e ekzekutorit si dikur me Çelën e Toçin, por këtë rradhë në atë të viktimës.

Në Qafë- Plloçë pak metra anës rrugës nacionale, koha ka mbuluar me mister eshtrat e Çelës e të Toçit. Megjithë dashamirësin e njërit nga personazhet e kësaj ngjarjeje të largët Baki Starjes që shkoi disa herë aty, ato varre akoma nuk janë gjetur…?! Ndërsa edhe Baki Starja është ndarë prej kohësh nga kjo jetë, dy nipat e Skënder Çelës, Mirush Kabashi (aktori i madh) dhe Ylli Rusi, si dhe vëllai i Mark Toçit, (Vangjel Toçi), edhe pse u endën për shumë vite duke shpresuar të gjenin atje vënd-groposjen e dy njerëzve të tyre të shtrenjtë, ajo gjë akoma nuk është bërë e mundur…?! Por në shënje të kujtimit të tyre dhe asaj ngjarje që iu morri jetën, nga viti 2011, ata kanë ngritur një memorial të vogël, mbi të cilin herë pas here gjendet ndonjë tufë me lule…/Memorie.al

20200123_15050420200123_15103920200123_16045320200123_16053020200125_00415220200125_004231-120200125_00565120200125_00590220200125_011100

 

 

 

 

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular