Dy fëmijë binjakë kanë gjetur vdekjen mëngjesin e sotëm në Berat. Fëmijët e moshës 5 muajsh, të dy djem, kanë mbërritur të vdekur në Repartin e Pediatrisë të Spitalit Rajonal Berat rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm.
Foshnjat R.Agalliu dhe R.Agalliu janë dërguar në Mongun e spitalit, ku i janë nënshtruar autopsisë mjeko-ligjore.
Nga autopsia nuk ka rezultuar të ketë pasur shenja helmimi në trupin e fëmijëve,edhe pse prindërit kanë pasur dyshime se fëmijët mund të jenë helmuar nga qumështi me kuti,me të cilin nëna i ushqente që nga dita e lindjes.
Mjekët e morgut të Beratit konfirmojnë se, në trupin e dy foshnjave nuk ka pasur shenja dhune. Ata dyshojnë se, fëmijët mund të kenë gjetur vdekjen si pasojë e mungesës së ajrit në dhomë, ndërkohë që kanë dërguar për ekzaminim në Tiranë analizat e foshnjave dhe janë në pritje të përgjigjes së tyre, për të zbuluar shkaqet e vdekjes.
Foshnjat binjake jetonin me prindërit Eduard dhe Merushe Agalliu dhe me motrën 6-vjeçe dhe vëllain 5-vjeç në një banesë dy katëshe në periferi të qytetit, në lagjen “Uznovë”. Kunata e Merushes, Natasha Agalliu tregon se,fëmijët ishin në gjendje të mirë shëndetësore në mëngjes dhe duke qën? se ishte ftohtë, e ëma Merushja i kishte zbritur në katin e parë tek ajo ku ishte ndezur soba me dru. Gjysëm ore më vonë ajo i kishte kërkuar kunatës të vinte të merrte fëmijët se do dilte,por në atë moment kanë vënë re që fëmijët nuk reagonin.
Ajo pohon se, i kanë dërguar menjëherë në spital por fëmijët ishin të vdekur. Natasha shprehet,se fëmijët nuk ishin të sëmurë,asnjëri prej tyre nuk kishte shfaqur shenja virozash apo temperaturë dhe askush nuk e kuptoi dot shkakun se përse vdiqën papritur foshnjat.
Natasha u shpreh se,prindërit e foshnjave binjake, pas autopsisë,i kanë varrosur që sot fëmijët në varrezat Suelasit.