Ish- kreu i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi i ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në News 24 ka komentuar pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës, për të cilën thotë se nuk ishte një skenë e dëgjuar për Shqipërinë, por si në filmat me kokainë në Kolumbi apo Ekuador.
Ai shton se Policia nuk duhet të presë që të ndodhin këto ngjarje pa të reagojë, por t’i parandalojë pasi grupet kriminale kur cënohen përgjigjen ashpër.
‘’Po kjo me aq sa jam informuar është rrjedhojë e aktiviteteve të organizuara kriminale dhe eksponentëve të organizatave kriminale. Tregtimi i kokainës është një nga majat e krimit të organizuar. Kemi të bëjmë me një shifër të madhe parash, dhe një eksponent nuk i hedh dot në treg po s’ka garanci.
Grupet kriminale arritën një pakt për të punuar me njëra- tjetrën se ishin të qeta dhe e kam thënë se kur do të cënoheshin sado pak atëhere do të agravohej situata. Policia duhet t’i parandalojë pasi kjo e fundit ishte si nëpër filma, në Kolumbi dhe Ekuador, dhe në Shqipëri kjo do një vëmendje.
Policia reagoi mirë, dhe më vjen mirë që bëri. Por nuk duhet të presim që të ndodhin këto ngjarje por Policia me Prokurorinë duhet që të bashkëpunojnë që të ndalojnë.’’- thotë Prençi.