Policia e Tiranës ka proceduar 28 persona të akuzuar për akte dhune në protestën e djeshme të opozitës së bashkuar. Sipas të dhënave zyrtare, Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arrestuar 7 shtetas, për veprime të dhunshme mbi institucionet kushtetuese, mbi Policinë dhe për shkatërrimin e pronës gjatë zhvillimit të protestës së opozitës nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ditën e djeshme para Parlamentit.
Veprimet proceduriale janë kryer në bazë të një analize të pamjeve filmike, raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor.
Janë proceduar në gjendje të lirë dhe 14 persona të tjerë, ndërsa 6 shtetas janë shpallur në kërkim.
Është proceduar penalisht gjithashtu sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, organizator i protestës së zhvilluar ditën e djeshme. Ky është një tjetër procedim për Bardhin, pas protestave të kaluara.
Policia thotë se janë arrestuar për konsumimin e elementëve të veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive”, shtetasit: Agim Sallaku, 49 vjeç, banues në Tiranë; Olsi Kasemi, 20 vjeç, banues Tiranë; Luis Buzheri, 22 vjeç, banues Tiranë; Maringlen Meçja, 22 vjeç, banues ne Elbasan; Aleksander Prenga, 23 vjeç, banues në Tiranë; Gjok Drezhaj, 46 vjeç, banues në Malësi të Madhe; Shefqet Sefaj, 45 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas policisë punohet për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë protestës së djeshme. Materialet proceduriale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.