Kush e di ç’kryevepra do të ishin realizuar, sikur në diktaturë piktorët të lejoheshin të hidhnin në telajo ëndrrat e tyre…
Por sistemi komunist që pat mbërthyer Shqipërinë për afro një gjysmë shekulli, edhe realitetin e kërkonte të manipuluar. Piktori Arben Basha, që farat e artit të vet i mbillte sa në ish-Kinostudio aq edhe në konkurse e ekspozitat e Galerisë së Artit, këtë shtrëngesë lirie e ka ndierë në çdo qelizë si artist, në shpirtin e të cilit frymon dashuria për të bukurën.
Me gjurmë të pashlyeshme në kinematografi, ku kontribuoi si skenograf e piktor filmi në më shumë se 40 filma artistikë… me 20 vepra në Fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, të tjera të ekspozuara apo që presin ‘t’i flasin’ publikut, mund të thuhet se Arben Basha i rezistoi rrymës së egër të ideologjisë komuniste. E pranon se nuk ka qenë aspak e lehtë dhe grushtet e para i provoi që në rini, pak vite pasi kish dalë nga bankat e Institutit të Arteve në ’69-ën.
Ishin vitet ‘70, kur veprat e tij lakoheshin mes punimeve me vlera artistike, si ato të Edison Gjergos apo Edi Hilës, por po i njëjti sistem që do t’u njihte shkëlqimin, do t’u impononte artistëve përmes “damkosjeve” edhe rënien morale… “Damka” për piktorin Basha u vendos në një përballje sa të guximshme, aq edhe të rrezikshme për jetën. Ishte viti 1975 dhe ai refuzon në zyrën e shefit të Ministrisë së Mbrojtjes të punojë për Sigurimin e Shtetit. Piktori e rrëfen ngjarjen dhe “koston” e qëndrimit të tij 45 vite më pas, ekskluzivisht për “Panoramën”.
Ai ishte vetëm 28 vjeç dhe prej rezistencës që bëri, krerët e Sigurimit vulosën fatin e tij. Asnjë vlerësim, pavarësisht se talenti i tij do të pëshpëritej korridoreve. Refuzime të veprave nga Lidhja dhe artistë të njohur, si skulptori Kristaq Rama. Censurë deri në djegie të veprave dhe autocensura e dhimbshme, ku pas çdo refuzimi, piktori griste letrën e veprës së tij, për të pikturuar në to dy peizazhe që s’do cenonin egon komuniste. Në këtë vorbull intrigash, ku Arben Basha është i vetëdijshëm se punët mund të kishin shkuar edhe më keq, piktori zgjodhi që pas ’90-ës, ndryshe nga kolegu i tij Edison Gjergo, episodin që i imponoi një jetë me frikë e dilema, të mos e bërtasë.
Në vitin 1991, kur pinjollët e diktaturës me duart e pista përpiqeshin të përkëdhelnin sedrën e artistëve që luftuan, Basha refuzon titullin “Artist i merituar”. “Një titull monist që m’u mohua për 3 dekada, isha i vendosur për t’i thënë ‘Jo’”, tregon piktori. Mirëpo, Sigurimi s’do ta linte me kaq. Artistëve si Basha apo Justina Aliaj, që për dekada s’do t’u lejonin të kalonin “pragun” e mëmëdheut, në ’91-shin do t’u hapeshin dyert. “Donin të më merrnin me të mirë, si të më thoshin: Ik tani, arratisu! Diçka të tillë ia kam rrëfyer edhe Justina Aliajt, se në ’91-shin jashtë shtetit na ka çuar Sigurimi i Shtetit”, tregon piktori.
Zoti Basha, në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku ruhen 20 prej punëve tuaja, së fundmi me “Tirana patience” është ekspozuar piktura “Unë do të shkruaj”. Në çfarë konteksti është realizuar kjo vepër?
Është e vërtetë. Në Fondin e Galerisë, unë kam rreth 20 punë. Dy prej tyre, “Unë do të shkruaj” dhe “Peizazh fshati”, janë realizuar në vitin ’71. Sapo kisha përfunduar Institutin e Arteve dhe dukej sikur ishte krijuar një frymë liberalizmi, një koncept modernizmi që po ndihej në muzikë, festivale etj. Unë mora pjesë në konkurs me “Peizazhin” dhe grupi i kritikëve, që ishin njëherazi edhe profesorët tanë artistë dhe synonin të stimulonin të renë, vlerësuan tre autorë: Edi Hilën me “Mbjellja e pemëve”, Edison Gjergon me “Epika e yjeve të Mëngjesit” dhe mua me këtë vepër. Ndërsa piktura tjetër “Unë do të shkruaj” u kritikua si asketike dhe hermetike. Sipas tyre, ishte shumë moderne për kohën dhe nuk e përcillte sa duhet mendimin.
Në të vërtetë, “Unë do të shkruaj” të krijon përshtypjen se ka disa elemente që shikojnë përtej realizmit socialist, që në paraqitjen e vajzës, te fleta e bardhë ende e pashkruar…
E vërteta është se unë kam “luajtur” në këtë vepër, çka vërehet edhe në titull. “Unë do të shkruaj”, thotë nxënësja duke mbajtur një letër të bardhë, në të cilën nuk është shkruar asgjë, kur skema ishte për Partinë, ideologjitë e saj etj. Pra, unë e kisha konceptuar këtë vepër në një prizëm, ku nxënësja i drejtohet atij që e shikon: “Do bësh mirë për këtë vend? Unë do të shkruaj. Do bësh keq për këtë vend?! Unë prapë do të shkruaj. Nga ana tjetër, nxënësja duhet të kishte shallin e pionierit, të cilin nuk ia kam vendosur. Sigurisht që asokohe çdokush bënte pyetjen se ç’është kjo nxënëse pa shallin e pionierit.
Pas Plenumit VI, për fatin tim të mirë, kjo punë përfundoi në magazinat e Galerisë së Arteve. Nëse do të ishte kthyer, unë do ta kisha prerë dhe me të do të realizoja dy peizazhe, siç bëja në të tilla raste, pasi asokohe na mungonte edhe letra. Pas kësaj, vepra u zhduk dhe unë nuk e kam parë nga viti ’72 deri në mesin e viteve ’90 (1995-1996). Pas më shumë se 4 dekadash, më thërrasin dhe më tregojnë këtë punë timen. Duket e pabesueshme të shikosh një vepër tënden pas kaq shumë vitesh, është si të takosh një njeri të dashur pas një periudhe të gjatë…
Kur shfletojmë albumin tuaj “Impenjim dhe ngjyra”, vërehen disa vizatime e punë të tjera që janë të guximshme për kohën. A janë pikasur këto tentative tuajat për të kapërcyer socrealizmin?
Pas vitit ’75 nisën të marrin masa ndaj elementëve “të dyshimtë” për ta. Edi Hilën e çuan në punë prodhuese, Edison Gjergon e burgosën, ndërsa unë u detyrova të digjja shumë prej punëve të realizuara në letër. Mandej veprat që kisha në kanavacë i lyeja sipër dhe nuk kuptoheshin. Ajo ka qenë një periudhë shumë e vështirë për ne, ndihej terrori në art. Ndërkohë që po në këtë kohë unë vijova të marr pjesë në konkurse, kur më pranuan në njërin prej tyre, mendova: Shpëtova, nuk do më fusin në burg! Mirëpo, as unë nuk do “t’ia hidhja paq”. Shumë shpejt, në Kinostudio ku punoja vjen një person i panjohur për të më takuar. “Jam operativ i Arteve, – më thotë, – doja të të njihja”. Ndenji pak, mandej u largua. Mua nuk më ka zënë gjumi atë natë. Pas dy javësh vjen përsëri.
-A do të të pranojnë në ekspozitë? – më pyet.
-Nuk e di, – i them, – të presim.
-Po ne kemi shokët tanë, mund të bëjmë ndonjë gjë…, – ma kthen.
-S’ka nevojë, – i them unë…
Dhe kështu, nisi të vinte çdo javë, duke më krijuar një shqetësim të madh.
Konkretisht, çfarë synonte ky operativ?
Në një nga vizitat e tij, më në fund “nxjerr kokën” dhe më thotë: Shefi i Ministrisë së Brendshme (vitet ’75) kërkon të të takojë. Isha i detyruar ta takoja. Shkova në zyrën e tij, ku ai nisi të më marrë me të mira. “Je djalë i mirë, i talentuar dhe rrugën e ke para… Partia e do që të na ndihmosh”. Unë e kisha nuhatur qëllimin e tyre.
-S’të kushton asgjë, një herë në muaj do na thuash si është filani, çfarë bën etj.”, këmbëngulte shefi.
-Nuk është nevoja, – ia kthej, – nëse ka diçka që nuk shkon, vij unë e jua them.
Më kanë mbajtur aty për dy orë rresht, duke u përpjekur të më bindnin. Sa më shumë kohë kalonte, më shumë shtohej tensioni. “Çfarë ke, – më thonë, – do të të vendosim një pseudonim dhe kur të takosh njeri, do vish të na thuash”. Kur kuptojnë se nuk pranova, ndryshuan katërçipërisht qëndrim, nga lajkat kaluan te kërcënimet: “Ti, me një xhaxha në burg dhe një dajë në Amerikë… ne s’kemi nevojë për njerëz reaksionarë. Mirëpo, po i the dikujt për këtë që ndodhi këtu, ne do të të kalbim në burg”… Nga familje e mirë që isha pak minuta më parë, u bëra familje e keqe, me një xhaxha mjek që e kishin burgos një vit pa asnjë arsye. Pas kësaj kam jetuar me frikë dhe nuk e di se si kam shpëtuar.
Do të ndikonte kjo ngjarje në karrierën tuaj si piktor më vonë?
Unë prej këtij takimi e mora vesh se kjo ngjarje do të më shoqëronte si damkë në çdo hap dhe nuk do më lejonin të bëja përpara e as të merrja ndonjë çmim. Në vitin 1978, unë mora pjesë në konkurs me veprën “Punëtori i Komanit”, në të cilën u përkushtova shumë. Do ndaheshin tri çmime kryesore për portret, peizazh dhe kompozim, si dhe një inkurajues. Mendova se me punën e bërë dhe unë do isha pjesë e të vlerësuarve. Puna ime ishte vepër e realizmit socialist natyrisht, hynte te portretet dhe mendova ta “qëndis” si të tillë. Mirëpo, brenda meje gëlonte ajo dëshira për të shtuar një element kundër realizmit, ndaj mendova që ta realizoj natën. Zakonisht, elementë të Partisë vinin dhe bënin kontrolle përpara se veprat të çoheshin në ekspozitë. Vëzhgonin tematikat, si po punohej etj. Sigurisht që e kishin bërë të udhës të mos largoheshin pa bërë ndonjë vërejtje, se Partia diçka duhet ta thoshte. Kështu më vjen në studio Anastas Kondo dhe ndërsa shikon këtë pikturën, përpiqej të kapej pas ndonjë elementi ku mund të kritikonte, por vepra qe punuar mirë dhe të jem i sinqertë, s’qe aspak e lehtë për të… Mirëpo, në një moment ai ndal e pyet: “Po përse natën mor burrë, ta kishe bërë me një diell socialist”. Unë për çdo punë që ndërmerrja bëja gati dhe “vetëmbrojtjen”, po kështu edhe për këtë rast. “E kam bërë në këtë formë se doja të nxirrja në pah forcën e punëtorit në momentin më të vështirë, që normalisht është në turnin e tretë. Dhe simbolika është e thjeshtë: Ashtu si ndriçojnë yjet në errësirë, ashtu ndriçon dhe ky djalosh i fuqishëm në punë”, -i them. Ngeli. “Mirë, mirë…”, tha mendueshëm dhe u largua… Megjithatë, mua më la me dilemën: A do të ekspozohej puna apo jo. Deri në minutën e fundit kam qenë në ankth, shkova në Galeri… Në sallën e parë ishin Artistët e Merituar, ndërsa sipër, për fat, në një qoshe pashë dhe veprën time. “Qenka”, thashë me vete i çliruar.
Thatë se u përkushtuat shumë te ky portret, në fund u vlerësuat për të?
Pas ekspozimit, të nesërmen do jepeshin çmimet. Nja nga anëtarët e komisionit më thotë: Portretin e kishe qarë, ‘e thave’ çmimin e parë. Mirëpo, shumë shpejt u mor vesh se çmimi i parë qe caktuar për dikë tjetër. Epo, mendova se më kanë spostuar tek i dyti. Erdhi koha që u shpallën emrat e fituesve. U dha çmimi i parë, po kështu dhe i dyti e i treti me radhë, por emri im nuk u përmend. Mendova se së paku do më kishin lënë çmimin inkurajues, por nuk ndodhi kështu… Dhe ky çmim u caktua për dikë tjetër…
Kjo ishte një nga pasojat që refuzuat të bashkëpunonit me Sigurimin?
Ishte për shkak të asaj… Mirëpo, vlen të përmendet fakti se në Galerinë e Arteve, pas revizionimit, në sektorin socialist nuk gjendet vepra e asnjërit prej atyre që fituan çmime të para. Megjithatë, unë e dija se refuzimi im do të kishte kosto, ndaj gjithmonë më shoqëronin dilemat se deri ku do më linin të shkoja. Pengesat i hasa ngado, madje edhe për të dalë jashtë shtetit, kur nisën të lejonin piktorët e tjerë, e dija se unë s’do isha pjesë e tyre. Mua më kanë nxjerrë jashtë vendit në ’91-shin… kjo ishte një përpjekje që të më merrnin me të mirë, që të më thoshin: Ik tani, arratisu! Diçka të tillë ia kam rrëfyer edhe Justina Aliajt, i thashë: Në ’91-shin jashtë shtetit të ka çuar Sigurimi i Shtetit. Ka qenë një grup me ish-të burgosur, të internuar etj., dhe unë, donin që të ishim larg. Sikur kjo të mos mjaftonte, po në këtë periudhë mua më dërgojnë shefen e Kuadrit, e cila më thotë: “Beni, kemi menduar të të bëjmë Artist të Merituar”… Refuzova. “Deri dje nuk isha, – i thashë, – dhe sot ju u kujtuat të më dekoroni”. Në këtë periudhë isha duke punuar më Gjergj Xhuvanin dhe ai më thotë: “Po pse nuk pranove, mendoje një herë se ndoshta do të duhet kur të dalësh në pension”. Por isha i vendosur për t’i thënë “Jo”. Ai qe një titull monist dhe kjo do të ishte hera e fundit që do të ndahej, tani ka një tjetër emërtim.
Ka pasur raste të tjera, ku ndoshta e kanë refuzuar veprën tuaj?
Ka pasur edhe të tilla. Për shembull, në vitin 1978 shënonte 100-vjetorin Lidhja e Prizrenit dhe unë bëra një pikturë të Progonit të Krujës. Ishte prijësi i principatës së Arbrit, paraardhës i Skënderbeut, që ishte njohur nga Raguza si princ. Në sfond kam një mal të ndarë në dysh, që personifikon Shqipërinë e Kosovën. Po ashtu, kam pikturuar edhe shpatën e plakun që shikon mendueshëm, duke bluar se si do t’i vejë halli këtij kombi… Puna nuk u pranua, një nga shefat e Lidhjes e refuzoi, më thanë: “Nuk ka optimizëm”. Për fat, nuk e prisha dhe e ruaj ende sot. Është një perlë.
Thatë se u detyruat të digjnit disa prej veprave tuaja, përpos kësaj ju mohuan vlerësimet, daljet jashtë vendit… Lidhur me pikturën, cili është pengu më i madh që ndoshta ju ngacmon herë pas here?
Veprat e djegura janë vuajtje për çdo artist. E madhe ishte edhe autocensura që vijoi deri në vitin ’91, ku edhe pse ndihej fryma e re, komunistët kishin ende situatën në dorë. Kujtoj një pikturë timen: Me diell, një djalë me një vajzë në shinat e trenit dhe në fund tuneli… Këta ishin studentët që po dilnin nga tuneli komunist, por nuk ma pranuan. Në juri, kryesori ishte Kristaq Rama, i cili më thotë: “Beni nuk është akoma e realizuar si duhet”… I mërzitur, mora pikturën me vete, shkova në studio dhe e grisa. Mirëpo, më ka ngel pishman…
Ndërkohë, sot në Fondin e Galerisë ruhen 20 vepra tuajat, si e shikoni trajtimin që ju bëhet?
Për fat, pas rënies së diktaturës kam pasur mundësi dhe i kam rënë përqark Europës, duke parë muze e galeri arti. Madje, nëse shkoj diku e nuk shikoj galeritë, më duket sikur nuk e kam vizituar atë vend. Kam vënë re se “hyzmeti” që ata u bëjnë galerive është i madh, ndërsa Galeria jonë, për fat të keq është në kushte skandaloze, edhe për sa u përket hapësirave ekspozuese. Nuk jam i mendimit që veprat të mbahen në bodrum, ato duhet të ekspozohen. Njerëzit duhet ta njohin artin që është krijuar në periudha të ndryshme. Galeria duhet të jetë më e madhe dhe t’u japë mundësi artistëve të ndryshëm të talentuar të ekspozojnë veprat e tyre.
Nuk e kuptoj indiferencën e qeverisë sonë ndaj artit e kulturës, në një kohë që investimi në këtë drejtim do të stimulonte edhe më shumë turizmin. Sot, një vizitor i huaj vjen në Tiranë dhe nuk ka se çfarë sheh. Përse nuk investohet për një muze të artit etnografik?! Ne kemi kostume të mrekullueshme.
Nga ana tjetër s’kemi asgjë për t’u afruar të huajve, përveçse çmimit të lirë. Është e qartë se mungon kujdesi për artin figurativ. U bë ekspozita e “Novecento-s italiane”, atje ishte një pjesë e mirë e Qeverisë, ndërsa për ekspozitat e piktorëve shqiptar nuk vjen asnjë nga Ministria e Kulturës. Nga ana tjetër, mua për ekspozitën time m’u desh të paguaja sallën e muzeut… Kjo është situata reale.
Një situatë e përgjithshme politike, që për mendimin tim duhet të ndryshojë rrënjësisht. Një sinjal pozitiv qenë protestat e studentëve. Ndjeva një kënaqësi të madhe, sikur ai mentalitet i mbrapshtë i trashëguar po luftohej. Mirëpo, nuk rezistoi gjatë. Për fat të keq, të rinjtë u mashtruan. Do uroja të ngriheshin prapë për të ardhmen e tyre!