Takimi i kryeministrit Edi Rama me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, rezervoi edhe një anë tjetër. Atë të mungesës së thellë të njohurive të kryeministrit shqiptar të raporteve mes dy vendeve dhe historikut jo të largët të marrëveshjeve që ka nënshkruar Shqipëria me Rusinë.
Gjatë konferencës për shtyp me kryediplomatin rus, Rama tha një gënjeshtër për kreun e opozitës, Lulzim Basha. Ky i fundit sipas Ramës, ka nënshkrua një marrëveshje në vitin 2004 në cilësinë e Ministrit të Jashtëm, por asokohe Basha s’ka qenë fare në atë detyrë. Madje PD ishte në opozitë. Më poshtë pjesa e bisedës mes Ramës dhe Lavrov, ku përmendet edhe kjo gafë e kryeministrit të Shqipërisë, i cili ishte në Moskë në cilësinë e kreut të OSBE-së.
Lavrov: “Kur bëhet fjalë për telefonatat me gjasë ajo që çfarë ju përmendët reflekton gjërat reale. Sa i takon takimeve personale, në 2004 menjëherë sapo u emërova Ministër i Jashtëm i Rusisë bëra një takim në Tiranë dhe më pas nënshkruam një traktat miqësie dhe bashkëpunimi me Ministrin e Jashtëm të asaj kohe. Nuk u ratifikua pasi pala shqiptare e la mënjanë këtë dokument, e harroi. Por ekziston, është gati dhe ne mund ta bëjmë efektiv në mënyrë që ti kemi të qarta parimet e marrëdhënieve tona. Megjithatë jam i sigurt që do të komunikojmë përgjatë këtij viti nëpërmjet telefonit dhe do të diskutojmë çështjet e OSBE, jemi të gatshëm për këtë,” ..
Rama: “Telefonatat që thashë që nuk janë bërë që nga Stalini do të vazhdojnë të bëhen me ju. Do të vazhdojmë të komunikojmë. Po ka pasur një marrëveshje të nënshkruar mes jush dhe udhëheqësit të sotëm të opozitës sepse ka qenë Ministër i Jashtëm i asaj kohe por më duhet t’i mbetem parimit që diçka që është nënshkruar nga qeveria e mëparshme natyrisht nuk është se nuk duhet pranuar nga qeveria aktuale. Kur të kthehem në vend do ta shoh me kujdes dhe do t’ju dëshmoj që unë them çfarë bëj dhe bëj çfarë them,”