BallinaKryesoreFOTOT/Qyteti i betonit — Si do ndryshojë Muzeu Kombëtar, Pallati i Kulturës...

FOTOT/Qyteti i betonit — Si do ndryshojë Muzeu Kombëtar, Pallati i Kulturës dhe qendra e Tiranës

spot_img
spot_img

Ndryshimi tërësor i qendrës së Tiranës është një obsesion mbi 20-vjeçar i Edi Ramës. Në fillim të viteve 2000, kur sapo ishte zgjedhur Kryetar i Bashkisë Tiranë, ai hartoi një masterplan për qendrën e Tiranës, i cili parashikonte transformimin tërësor të Sheshit Skënderbej dhe hapësirës nga ky shesh deri tek Parku i Liqenit.

Plani i hartuar nga firma Architecture Studio në vitin 2003 parashikonte rrethimin e Sheshit Skënderbej me rreth 10 kulla të larta, si dhe ndërtimin e një sërë kullash në hapësirën e qytetit midis Sheshit Skënderbej dhe Parkut të Liqenit, në të dy anët e Bulevardit Dëshmorët e Kombit.

Këtij plani iu shtua në vitin 2005 ai për rindërtimin e Sheshit Skënderbej, hartuar nga studio 51N4Edhe Anri Sala. Në vitin 2008, iu shtua Masterplani i Liqenit të Tiranës, i hartuar nga studio MVRDV, i cili propozonte ndërtimin e disa kullave të larta në pjesën poshtë digës së liqenit.

Përpara ardhjes në pushtet në vitin 2013, Edi Rama mundi të realizonte vetëm objekte të izoluara të këtyre planeve, përfshi Kullën ABAKullën TID, si dhe Kullën 4rever Green, e cila është ende duke u ndërtuar.

Vetëm pas vitit 2015, kur vetë ishte Kryeministër dhe në krye të Bashkisë Tiranë erdhi Erion Veliaj, Edi Rama mori në duar gjithë vendim-marrjen teknike dhe financiare për të vënë në jetë planin e tij të vjetër për të ndryshuar rrënjësisht gjithë pjesën qendrore të Tiranës, duke shuar thuajse çdo gjë që ekzistonte para tij.

Më poshtë ne po përshkruajmë ecurinë e zbatimit të këtij plani deri tani dhe atë që pritet në vitet e ardhshme.

Muzeu Kombëtar

Ndërtesa e tanishme e Muzeut Kombëtar është planifikuar të kthehet në një qendër argëtuese dhe tregtare. Në të do të ketë librari, kinema, sallë aktivitetesh, sallë eskpozitash, bare, restorante, dyqane. Nëpër godinë do të ketë disa ekspozime etnografike, të realizmit socialist, dhe dokumente të periudhës së totalitarizmit në Shqipëri. Në mes të godinës do të ndërtohet një strukturë xhami, në majën e së cilës do të ndërtohet një restorant “shik me ushqime shqiptare”.

Ja si e përshkruan, me nota romantike, Kryeministri Rama idenë e tij për ndërtesën e Muzeut Kombëtar:

Muzeu i vjetër Historik, që lëngon si gërdallë barkzbrazur, gjynah e turp pas njëzet vjetësh nga rënia e komunizmit dhe Realizmit Socialist. Riprogramohet si një hapësirë e gjallë e trashëgimisë kulturore e historike, […] nga shtresa e parë e objekteve origjinale arkeologjike në hyrje, te zona e tregtimit të librit shqip në mjedisin e katit të fundit, ku shkohet duke kaluar me një rend të studiuar mirë përmes shëmbëlltyrave më të vyera të kulturës etnografike, veprave më përfaqësuese të artit bizantin, një koleksion permanent origjinalesh të Realizmit Socialist, kombinuar me dëshmi autentike të terrorit totalitar, të ndërthurura me dhoma projeksionesh, filmime, burime të aksesueshme për publikun të informacionit të thelluar dixhital, pika shitje të botimeve e suvenireve nga udhëtimi brenda muzeut, kënde relaksi e bare të vogla, një sallë konferencash moderne dhe po ashtu një mjedis ekspozitash të përkohshme, si dhe një bibliotekë dixhitale e gjithçka gjendet e shkruar në gjuhën shqipe, së bashku me një restorant shik ushqimesh tradicionale.”

Teatri i Kukullave

Ndërtesa e Teatrit të Kukullave është planifikuar të rindërtohet dhe të kthehet në Muze i Harmonisë Fetare. Hapësira mes ndërtesës së Teatrit dhe ministrive tashmë është rindërtuar dhe është kthyer në një hapësirë të betonizuar me disa stola guri dhe disa çadra të varura nëpër pemë.

Është e paqartë ku do të zhvendoset Teatri i Kukullave. Kryeministri Rama u shpreh në Kongresin Zgjedhor të PS-së, javën e shkuar, se ai do të jetë në kompleksin që do të ndërtohet në territorin e tanishëm të Gardës së Republikës. Ndërsa në një intervistë në Opinion në Tv Klan, të enjten, Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ky teatër do të vendoset në një godinë që do jetë pjesë e kompleksit të ri të kopshtit zoologjik dhe botanik, që është planifikuar të ndërtohet.

Mendimin e tij për Teatrin e Kukullave Edi Rama e ka shprehur sërish në librin Kurban:

“Teatrit të Kukullave, katandisur sot në një shëmbëlltyrë të turpeve të bëra në këtë vend me objektet e trashëgimisë kulturore, që sipas projektit kthehet në identitet e lidhet me katrorin e sheshit përmes ishullit të pishave krah Bankës së Shqipërisë, duke ofruar një hapësirë çlodhëse nën hije për gjyshërit e prindërit, teksa fëmijët mblidhen, hyjnë e dalin në teatër ose luajnë në mjedisin e arreduar me një zonë rëre e lodrash të dizajnuara apostafat për atë hapësirë si skulptura funksionale.”

Pallati i Kulturës

Edi Rama ka vendosur ta ruajë godinën e Pallatit të Kulturës, por do ta rindërtojë atë, duke ia ndryshuar rrënjësisht arkitekturën. Pjesa e Teatrit të Operas dhe Baletit po rindërtohet dhe do të mbetet siç është nga pikëpamja arkitekturore. Pjesa qendrore e ndërtesës do të zhvishet krejtësisht nga muret e brendshme, duke lënë vetëm kolonat dhe hapësirë boshe tejpërtej godinës, e cila do të shërbejë si një hapësirë kalimi, që do të lidhë Sheshin Skënderbej me Lulishten Viktor Eftimiu pas ndërtesës.

Në librin Kurban, Edi Rama ka shprehur vizionin e tij arkitekturor për këtë ndërtesë dhe lulishte:

“Pallati i Kulturës ruhet në dukjen e tij si paja e madhe e martesës shtetërore të kohës së Perandorisë Komuniste, por u afrohet qytetarëve si një hapësirë e rifituar aktivitetesh publike e kulturore […] Kollonada e lartë riorganizohet si hapësirë publike, ndriçohet së brendshmi për t’u dhënë natën mundësi njerëzve ta jetojnë riprogramimin e saj dhe, nga ana tjetër, për ta vizituar së jashtmi të gjithë fasadën e gjatë me një siluetë të errët vertikalesh ritmike që i bëhet perde sheshit ‘Skënderbej’.”

Biblioteka Kombëtare

Biblioteka Kombëtare do të largohet nga Pallati i Kulturës, ku është tani, dhe do të vendoset në një ndërtesë të re, që pritet të ngrihet në truallin e tanishëm të Gardës së Republikës.

Lulishtja pas Monumentit të Skënderbeut

Hapësira pas monumentit të Skënderbeut do të shtrohet me bar sintetik, si ai i stadiumeve, dhe do të shërbejë si hapësirë për koncertet rinore.

Vizionin e tij për këtë pjesë, si për gjithë qendrën e Tiranës, kryeministri e ka shpalosur në librin Kurban:

“Arena e gjelbër pas monumentit të Skënderbeut mundëson hyrje-daljen jugore të këmbësorëve nga qyteti i makinave në këtë hapësirë jete cilësore urbane në zemër të qytetit, krijon mundësinë e koncerteve rinore, shfaqjeve të teatrit të rrugës, takimeve masive të të rinjve mbi tapetin e barit të kuruar enkas me teknologjinë e fushave të blerta të stadiumeve.”

Sheshi Skënderbej

Sheshi Skënderbej u kthye në zonë kombësore, u rindërtua si një piramidë e lehtë, duke u shtruar me pllaka dhe duke prishur krejtësisht identitetin arkitekturor dhe historik të Sheshit. Në Exit.al kemi shkruar gjerësisht për sheshin në të shkuarën, disa nga shkrimet mund të gjenden këtukëtu dhe këtu.

 10 kulla përqark Sheshit Skënderbej

Render i planit francez me kullat në qendër të Tiranës

Sheshi Skënderbej do të jetë tërësisht i rrethuar me kulla të larta, dhjetë të tilla, dhe praktikisht do të shërbejë si oborri i këtyre ndërtesave private.

Libri Kurban shpalos vizionin arkitekturor dhe urban të Kryeministrit për këtë pjesë të qendrës:

“Rrotull Skënderbeut [do të ketë] hapësira tregtare të dyqaneve, restoranteve, librarive, zyrave, agjencive, kinkalerive, kafeneve, kinemave, që plani francez i parasheh si ringjallje bashkëkohore e Pazarit të Vjetër në sipërfaqen e gropës së mbuluar të Hajdinit.”

Deri më tani, nga kullat e larta të parashikaura në qendër të Tiranës janë ndërtuar:

— Kulla ABA, në krah të Ambasadës Italiane, ku sot ndodhet qendra tregtare Coin;

— Kulla TID, ku sot ndodhet Hotel Plaza;

— Kulla 4EverGreen, përballë Kishës Ortodoke, e cila më në fund po vishet me fasadë dhe pritet të përfundojë;

— Kulla Ambasador 3, pas stadiumit kombëtar;

— Në truallin ku sot është Qendra Toptani ishte planifikuar një kullë e lartë, por për arsye të paqarta në vend të saj u ngrit qendra e tanishme tregtare pesëkatëshe.

Kulla ‘4ever green’

Ndërkohë janë dhënë leje ndërtimi për pesë kulla të tjera, për të cilat sapo ka filluar apo pritet të fillojë së shpejti ndërtimi:

— Kulla Eyes of Tirana, e cila do të ndërtohet në pjesën perëndimore të Sheshit, aty ku bashkohen Rruga e Kavajës dhe ajo e Durrësit.

— Kompleksi Book Building pas Kullës së Sahatit, i cili do të përbëhet nga dy kulla, njëra 11-katëshe dhe tjetra 16-17-katëshe. Njëra nga ndërtesat do të shërbejë si qendër biznesi, ku do të marrë zyra edhe Bashkia Tiranë, në shkëmbim të tokës, kurse tjetra është planifikuar të jetë hotel.

 — Kulla Tirana’s Rock ose Kulla The Head, në krahun lindor të Hotel Tiranës, në vendin ku dikur ka qenë Libraria Flora.

— Kulla 25 katëshe pas Hotel Tiranës, e cila do të shërbejë si qendër tregtare dhe ambiente shtesë për Hotel Tiranën. Për këtë ndërtesë, Kryeministri Rama është shprehur në librin Kurban:

“Hotel “Tirana” rikonceptohet në fasadë e në volumet e pasme (ndërtohet pas saj), që e zëvendësojnë atë centralin e shëmtuar elektrik në mes të qytetit me një zonë komerciale të klasit të parë.”

 — Dy kulla, ende të paprojektuara, janë planifikuar të ndërtohen në lulishten pas Pallatit të Kulturës.

Kompleksi i Teatrit Kombëtar

Siç dihet tashmë, Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë vendosur të prishin ndërtesën e Teatrit Kombëtardhe në vend të saj të ndërtojnë një tjetër ndërtesë për Teatrin Kombëtar, ndërkohë që gjithë hapësira midis ndërtesës së tanishme dhe Qendrës Toptani është planifikuar të ndërtohet me kulla.

Në planet e tyre është, gjithashtu, që aty ku sot ndodhet ndërtesa Sarajet të ndërtohet një kullë e lartë 35-katëshe, por disa nga pronarët trashëgimtarë vazhdojnë të refuzojnë ta prishin ndërtesën për të ndërtuar mbi truallin.

Edhe në vend të ish-ndërtesës së Partisë Demokratike, në krah të Sarajave, është planifikuar një ndërtesë e lartë.

Territori i Gardës së Republikës

I gjithë territori i Gardës së Republikës dhe një pjesë e parkut të Liqenit ngjitur me të do të kthehen në zonë ndërtimi. Aty qeveria ka planifikuar disa godina shtetërore, përfshi ndërtesën e Bibliotekës Kombëtare.

Ndërkohë, në këtë hapësirë do të ketë disa ndërtime private, por që mbahen ende konfidenciale nga Bashkia.

Zona e Stadiumit Kombëtar

Një kullë e lartë 24-katëshe është duke u ndërtuar si pjesë e ndërtesës së stadiumit të ri kombëtar, i cili po ndërtohet pas prishjes së stadiumit të vjetër, që ishte pjesë e kompleksit monumental historik të Sheshit Nënë Tereza.

Ndërkohë ka filluar ndërtimi i kullës 24-katëshe, Pylli Vertikal, pas stadiumit kombëtar, në krah të godinës Ambasador 3.

Kulla në njërën anë të stadiumit të ri kombëtar

Zona e Urës së bulevardit dhe të Rrugës së Elbasanit

Një kullë 17-katëshe ka filluar të ndërtohet pas Hotel Dajtit.

Ndërkohë një kullë 35-katëshe, Downtown Albania, ka filluar të ndërtohet në territorin ku ka qenë këndi i lojrave “7 Xhuxhat”, në krahun jugperëndimor të urës së Rrugës së Elbasanit. Ajo do të jetë kulla më e lartë nga të gjitha ato që janë planifikuar.

Punimet për kullën DownTown

Zona e Bllokut

Dy kulla do të ndërtohen në zonën e ish-Bllokut.

Për kullën Bllok, projektuar nga arkitekti italian Stefano Boeri, punimet kanë nisur në gusht 2018. Ajo po ndërtohet në territorin e ish-Bar Rovenës.

Bllok do të jetë një godinë multifunksionale, pra qendër tregtare, zyra dhe apartamente, që do të ndërtohet nga kompania Invest shpk. Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), kjo kompani është krijuar vetëm një vit më parë.

E njëjta kompani, Invest shpk, po ndërton dhe kullën West Residencepas ndërtesës së Presidencës. West Residence është projektuar sërish nga Stefano Boeri dhe do të jetë një tjetër ndërtesë “shumëfunksionale” për shërbime, banim dhe zyra. Sigurisht, edhe kjo ndërtesë do të shoqërohet në sipërfaqe me disa pemë, që do të dekorojnë një fasadë masive betoni.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular