Të dielën u mbushën 74 vjet nga Masakra e Tivarit, ku u vranë dhe u varrosën masivisht disa mijëra djem të Kosovës.
Tragjedia e fshehur për shumë dekada nga qeveritë komuniste të Tiranës dhe Beogradit është zbardhur e plotë në një studim të historianit Uran Butka.
Ai thotë se në këtë udhëtim tragjik u nisën 13 mijë e 335 shqiptarë, të shpallur si robër lufte nga komunistët.
Gjatë rrugës nga Prizreni dhe deri në mbrëmjen e 31 marsit në Tivar u vranë 3 mijë e 447 burra e djem të Kosovës, ndërsa rreth 600 vetë të tjerë u zhdukën, duke e ngritur numrin e viktimave gjithsej në rreth 4 mijë persona.
Këtë fund marsi është 74 vjetori i masakrës së Tivarit, ku partizanët komunistë të Shqipërisë, Serbisë dhe malit të zi vranë masivisht disa mijëra mijëra djem të rinj shqiptarë të Kosovës.
Tragjedia e realizuar me marrëveshje të shkruar midis udhëheqësve komunistë në Tiranë dhe Beograd u mbajt e fshehtë për dekada të tëra.
Historiani Uran Butka botoi studimin 25-vjeçar “Masakra e Tivarit dhe përgjegjësia e shtetit shqiptar” me dokumenta të shumta arkivore nga disa shtete të rajonit.
“Masakra e Tivarit është një ploje e përgjakshme dhe e pashembullt. Ajo u realizua nga shteti komunist jugosllav në bashkëpunim të plotë me shtetin komunist shqiptar të Enver Hoxhës. Qëllimi i kësaj masakre ishte për të zhdukur dhe shpërngulur shqiptarët nga Kosova, pra, për një spastrim të plotë etnik”- thotë zoti Butka.
Masakra ishte një spastrim i mirëfilltë i popullit të Kosovës, të cilin ushtria jugosllave e arriti me duart e ushtrisë komuniste të Shqipërisë.
Rinia e Kosovës u thirr në një mobilizim ushtarak për të luftuar pushtuesit nazistë, por pasi u mblodhën në Prizren nga të gjitha anët e vendit, u çarmatosën dhe u nisën në kolona drejt Kukësit, Shkodrës dhe i nxorrën në Tivar, ku u vranë masivisht me mitralozët e malazezëve me 31 mars 1945.
“Ky libër im është edhe një homazh, sepse këtu janë edhe të gjitha listat e atyre viktimave të pafajshëm, që u vranë padrejtësisht, nga të gjithë trevat e Kosovës, bujq, blegtorë, ushtarë të Shaban Polluzhës, ushtarë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare nga Kosova dhe nga Shqipëria dhe që u nisën në këtë kalvar vdekjeje
Karvani i të rinjve kosovarë eci për një javë në kushte çnjerëzore dhe nën tytat e armëve të komunistëve shqiptarë dhe serbë, madje shumë prej tyre u vranë në çdo pikë të këtij itinerari tragjik, kur nuk i lejonin as të pinin ujë në burime as të futnin ushqim në gojë.
Libri përmban edhe listën e plotë të martirëve të kësaj masakre, familjet e të cilëve edhe më pas u persekutuan rëndë shtete komuniste në dy anët e kufirit.
Midis autorëve të kësaj masakre ishte edhe ministri i brendshëm Haxhi Lleshi, firmosi përkrah me homologun serb Rankoviç, dhe e mbrojti veprimin e tij derisa qe gjallë si “një vendim i duhur ndaj reaksionarëve”, thotë autori.
“Kolona e parë u nis më 24 mars nga Prizreni dhe kolonat e tjera më 26 dhe 27 mars, dhe 3 kolona të tjera në prill , u nisën për në territorin e Shqipërisë, sipas një marrëveshje midis ministrit të brendshëm serb Rankoviç dhe ministrit të brendshëm të Tiranës Haxhi Lleshi. Ishte një marrëveshje e pashembullt askund në botë, që e implikonte me djallëzi Shqipërinë dhe përfshiu territorin e saj, ku u vranë rrugës shumë prej tyre. Askund në botë nuk ka marrëveshje dyshtetërore për të bashkëpunuar në vrasjen masive të mijëra djemve prej bashkëkombasve të tyre” – tha studiuesi Uran Butka.
Ai shtoi se tragjedi të tilla tregojnë fytyrën e vërtetë të regjimit komunist, që u ngrit mbi pabesinë ndaj të rinjve kosovarë. “Këtu ndodhi pabesia dhe tradhtia, sepse ata, pasi u mblodhën nga të gjithë anët e Kosovës, iu dorëzuan UDB-së dhe Divizionit 52 jugosllav me urdhër sekret të Enver Hoxhës” – citoi ai telegramin e shifruar. Edhe sot ata nuk nderohen si martirë, edhe një afrim edhe një pajtim I vërtetë mes shqiptarëve në të dy anët e kufirit mund të kryhet sinqerisht me respektimin e viktimave të asaj tradhëtie që kaloi mes për mes Shqipërisë dhe kulmoi në Tivar, ku edhe deti u mbush me plisat e tyre të bardha.
“Po të ishin ndëshkuar kriminelët dhe krimet, ato nuk përsëriten. Dhe është detyrë e shtetit të Kosovës që t’i njohë dhe t’i trajtojë këta si martirë të Kosovës. Po ashtu edhe Shqipëria në shenjë ndjese për atë bashkëpunim kriminal, që u bë nga shteti komunist të Enver Hoxhës, duhe t’i trajtojë ata si martirë të popullit dhe kombit shqiptar” – tha zoti Butka. Masakra e Tivarit është një nga faqet më të errëta të historisë së Ballkanit dhe të popullit shqiptar. Ndriçimi i saj i plotë, ndriçimi i bashkëpunimit kriminal Tiranë – Beograd kundër rinisë së Kosovës do të nxirrte shumë mësime për të sotmen dhe të ardhmen e rajonit. VOA
… [Trackback]
[…] Find More Information here to that Topic: startnews.news/2019/03/31/sot-74-vjet-nga-masakra-e-tivarit-qeverite-komuniste-te-tiranes-dhe-beogradit-vrane-4-mije-kosovare/ […]
Comments are closed.