Ky është Elio, vogëlushi nga Kukësi i cili me buzëqeshjen e skalitur në fytyrë dhe forcën për t’iu kthyer sërish jetës së mëparshme, ka rrëmbyer zemrat e shqiptarëve. Deri para pak kohësh, beteja e 9-vjeҫarit ishte të zgjidhte sa më shpejt problemat në orën e matematikës, ndërsa tashmë një sëmundje e rëndë po e sfidon vogëlushin. Elio Rexhmati është diagnostikuar me “Limfom Malinje B-NHL” dhe ka nevojë urgjente për një transplant të palcës kurrizore.
Elip ndodhet në një klinikë në Mynih në Gjermani dhe ndërhyrja kirurgjikale, përfshirë edhe trajtimin me kimioterapi, kushton 224.000 euro. Por familja dhe të afërmit e Elios nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar operacionin. Mbështetja dhe forca më e madhe e Elios është vëllai i tij i vogël i cili qëndron gjithë kohës pranë shtratit.
“Kam nevojë për ndihmën tuaj që të fitoj këtë betejë që buzëqeshja ime të mos ndalojë për asnjë moment”, -thotë 9-vjeçari i cili i bën thirrje për ndihmë të gjithë atyre që kanë mundësi të kontribuojnë që djaloshi të fitojë betejën me sëmundjen e t’i gëzohet sërish jetës.