Pas pezullimit të fluturimeve drejt Italisë së Veriut, Autoriteti i Aviacionit Civil ka nxjerrë një njoftim të rëndësishëm për pasagjerët e prekur nga anulimi i fluturimeve në kuadër të masave parandaluese kundër COVID-19. Autoriteti thotë se pasagjerët mund të kërkojnë një biletë të mëvonshme, ose kompensim.
Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) informon të gjithë pasagjerët e prekur nga anulimi i fluturimeve, për shkak të masave të marra në kuadër të parandalimit të përhapjes së COVID-19, se sipas parashikimeve të Udhëzimit Nr. 01, datë 26.02.2013, “Për Kompensimin dhe Asistencën e Pasagjerëve në Rastin e Mospranimit në Bord të Avionit dhe Anulimit ose Vonesës Gjatë Fluturimeve” pasagjerët:
– Kanë të drejtën e një itinerari të ri (një bilete të re të mëvonshme) nga ana e kompanisë OSE
– Kanë të drejtën e rimbursimit të çmimit të plotë të blerjes së biletës nga ana e kompanisë me të cilën kanë prerë biletën.
Për të përfituar të drejtën e tyre, në një nga mënyrat e detajuara më sipër, pasagjerët duhet të vendosin kontakt me kompaninë ajrore me email/telefon.
Në rastet e mos-përgjigjes nga kompania, pasagjerët kanë të drejtë t’i drejtohen Autoritetit të Aviacionit Civil, në cilësinë e autoriteti kompetent për zbatimin e udhëzimit të të drejtave të pasagjerëve.
AAC, pas marrjes së njoftimit (reklamimit të problematikës me një nga kompanitë) nga pasagjeri, menjëherë do të merr masa të nevojshme për të siguruar respektimin e të drejtave të tyre dhe do të mbajë çdo pasagjer të informuar për statusin e çështjes së tyre.
Adresa ku duhet të kontaktohet me autoritetin është [email protected].
Përfitojmë nga ky komunikim për t’i bërë edhe njëherë thirrje të gjithë qytetarëve të zbatojnë këshillat parandaluese të dhëna nga autoritetet shëndetësore për parandalimin e përhapjes së COVID-19.