BallinaAktualitetZëri i Amerikës: Shkodra, qytet i tronditur nga krimi, qetësia u përmbys...

Zëri i Amerikës: Shkodra, qytet i tronditur nga krimi, qetësia u përmbys në 13 janarin e 2018

spot_img
spot_img

Vrasja të shtunën në Shkodër e dy vëllezërve Astrit dhe Ibrahim Bilali ka rikthyer vëmendjen tek grupet kriminale që, prej vitesh, veprojnë në këtë qytet. Ibrahim Bilali, 61 vjeçar, ishte drejtues i shoqatës “2 Prilli 1992”, ndërsa vëllai i tij, Astriti 59 vreçar, ishte kampion i garave të hipizmit.

Policia njoftoi se “shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe janë vënë në ndjekje të autorëve të cilët, pas ngjarjes, janë larguar me një automjet, i cili është gjetur duke u djegur në një rrugicë, në brendësi të lagjes ku ka ndodhur ngjarja”.

Ndërsa Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, i cili mbërriti në Shkodër pak orë pas ngjarjes, në përfundim të një analize thuajse katër orëshe me ekspertët e policisë vendore dhe atyre të ardhur nga Tirana, deklaroi se “tentakulat e krimit te organizuar kanë arritur përsëri të godasin” dhe se pista kryesore që po ndiqet nga policia për zbardhjen e vrasjeve është “ajo e larjes së hesapeve”.

Dyshimet e para të policisë lidhen me hakmarrjen dhe përplasjen mes grupeve kriminale si dhe aktivitetin e djalit të Astrit Bilalit, Asmirit, një ish-kampion i sportit të boksit, i arrestuar në shtator të vitit të kaluar si pjesë e grupit kriminal “Bajri”.

Rreth një vit më parë, ish-Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, pati deklaruar se në Shkodër veprojnë 4 grupe kriminale, por pa identifikuar asnjërin prej këtyre grupeve.

Në të vërtetë, grupet kriminale që veprojnë në Shkodër kanë një histori më shumë se 25 vjeçare, mbushur me vrasje, kërcënime, trafik droge, prostitucion, rrëmbim të pronave, etj. Gjatë viteve, disa prej grupeve u larguan nga skena pas vrasjes së drejtuesve të tyre. Mbijetuan grupet më të fuqishme, ato që ishin organizuar në bazë familje.

Veprimtaria dhe mbijetesa e tyre deri më sot i dedikohet mosndërhyrjes në territoret dhe veprimtarinë e njëri-tjetrit dhe aftësisë për të mbështetur grupimet politike, herë të majta e herë të ndjathta, sipas rotacionit në qeverisje.

Por, qetësia mes grupeve u përmbys në 13 janarin e vitit të kaluar, pas një atentati me lëndë shpërthyese të telekomanduar ndaj biznesmenit Lulzim Kulla. Sipas policisë, ai ishte një figurë e njohur e krimit në Shkodër. Në këtë atentat, të kryer fare pranë tregut më popullor të qytetit, mbetën të plagosur 8 përsona, mes të cilëve edhe vetë Kulla.

Ngjarja u pasua nga atentate të njëpasnjëshme ku, deri tani, kanë mbetur të vrarë 9 përsona ndërsa dy të tjerë figurojnë të zhdukur.

13 janar 2018, atentat kundër biznesmenit Lulzim Kulla në afërsi të tregut popullor të qytetit të Shkodrës.

Qershor 2018, zhduken pa gjurmë Gëzim Hysa dhe nipi i tij Agron Molla.

18 qershor, ekzekutohet me armë Mehdi Kavaja, pronar i një servisi.

15 korrik, vriten në një atentat, në hyrje të banesës, ish-polici Boran Bercana dhe Silvi Ndoci, bashkëjetuese me të.

8 gusht 2018, vritet Fatbardh Lici, kunati i Lulzim Kullës dhe vellai i Mustafë Licit. Ky i fundit këshilltar bashkiak dhe drejtues i një partie politike me shtrirje lokale.

1 shtator 2018, vritet biznesmeni Arjan Ferracaku teksa po kaloronte bashkë me Asmir Bilalin. Dyshohet se autorët e atentatit ngatërruan shenjestrën.

14 nëntor 2018, në tregun popullor të Rusit vritet Fatos Ferracaku, kushëriri i Arjan Ferracakut.

20 mars 2019, në fshatin Grudë vritet Nard Polia, pronar i një bujtine në Theth, pjesëtar i administratës së Zonave të Mbrojtura.

30 mars 2019, vriten në derën e shtëpisë së tyre vëllezërit Bilali.

Policia nuk ka arritur të parandalojë asnjë prej këtyre ngjarjeve të rënda kriminale që kanë tronditur banorët e Shkodrës dhe që kanë patur jehonë brenda dhe jashtë vendit.

Vrasja e biznesmenit Arjan Ferracaku, në fillim të muajit shtator të vitit të kaluar, dhe tronditja e sigurisë në Shkodër ishin arsyet që opozita e bashkuar bojkotoi seancën plenare të sesionit të ri parlamentar. Përfaqësuesit e opozitës u mblodhën në Shkodër duke denoncuar situatën kriminale në këtë qytet dhe duke akuzuar qeverinë si të lidhur me krimin.

Duket se ky tencionim i situatës politike në vend i dha shtysë policisë që të nisi me shpejtësi operacionin “Oazi” për shkatërrimin e njërit prej grupeve më të fuqishëm, grupit Bajri. Operacioni policor, një ndër më të mëdhenjtë e zhvilluar vitet e fundit në Shqipëri, u shtri në Shkodër, Tiranë, Spanjë dhe Roterdam të Holandës duke çuar në arrestimin e 12 anëtarëve të këtij grupi, përfshirë edhe drejtuesit e tij. Kjo duket se qetësoi për disa muaj situatën e rendit në qytetin e Shkodrës, derisa në mëngjesin e të shtunës, 30 mars 2019, u vranë dy vëllezërit Bilali, ngjarje kjo që risolli në vëmendje deklaratën e ish-Ministrit Xhafaj se në Shkodër vepron jo një, por katër grupe kriminale.

Ndryshe nga sa pritej, operacioni policor i koduar “Oazi” nuk i dha fund vrasjeve dhe as hakmarrjes mes grupeve kriminale të Shkodrës. Këtë e pranoi edhe vetë Ministri Lleshaj në ditën e vrasjes së vëllezërve Bilali kur tha se “ megjithë goditjet që i janë dhënë krimit në Shkodër, prapë rezulton që lufta ndaj këtij krimi nuk është fituar ende. Metastazat e këtij krimi treguan se janë gjallë dhe kanë mundësi të godasin”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular