Nga Vasil Dardha
Që në krye të herës së këtij shkrimi bie dakord që masat ndonëse ekstreme të marra nga qeveria janë të domosdoshme për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit vdekjeprurës Covid-19.
Shumica dërrmuese e shqiptarëve janë pajtuar me to, edhe opozita shqiptare madje, ndonëse këto masa janë marrë shumë kohë në vonesë kur virusi nisi të bëj “kërdinë” në Itali, në vendin fqinj ku ende as atje nuk ka njohur kulmin e kurbës.
Masat që ndërmerr qeveria janë të ashpra dhe ato dita-ditës po bëhen më ekstreme dhe sërish qytetarët, biznesi, e çdo faktor i shoqërisë po e mirëkupton kryeministrin duke u pajtuar me to. Siç duket këto masa po konsumohen të gjitha, por a do të mjaftojnë ato për t’i bëre ballë kësaj gjëme që preku shqiptarët fill pas tërmetit shkatërrimtar.
“Dy javët e ardhshme do të ketë më shumë të infektuar. Gjithë populli ushtar me armë, durimin. Bëni yoga, hani 2 herë, 16 orë agjërim”-tha Rama sot.
Pyetja që shtrohet është: Kur qytetarët po i përgjigjen qeverisë, ajo a është gati me një plan masash jo thjesht urdhera ushtarakë për të iu përgjigjur atyre?
Kjo pyetje është e drejtë jo thjesht për të ditur sa qeveria është e gatshme për t’i bërë ballë sa mundet duke bërë të pamundurën të minimzojë dëmet që mund të shkaktoj direkt ky virus, por dhe ndihmës konkrete që i duhet ofruar një shtrese të shoqërisë e cila e izoluar brenda në shtëpi nuk ka mundësi të ushqehet nga pamundësia ekonomike. Ndonëse për tërmetin na u gjendën nderkombetaret, gjasat janë për Koronavirusin duhet t’i bëjmë vet ballë kësaj situate dhe keshtu do të ndodh.
Që të jemi të qartë: Ndoshta qeveria i ka marrë masat, por deri më tani nuk kemi dëgjuar asnjë veprim konkret të akordimit të fondeve të duhura për luftën ndaj koronaviruesit duke nisur që nga përkujdesi ndaj personalit shëndetësor, blerja e mjeteve dhe aparaturave të duhura për pacientët, deri tek qytetarët të cilët nuk kanë mundësi të ushqehen, nëse kjo situatë do të zgjasë dhe gjasat janë që kjo do të ndodh!
Për argument, pa u rrekur tek shifrat galopante që kanë ofruar për përballimin e kësaj situate nga Kina, Italia, Gjermania, Britani, Belgjika, Franca dhe SHBA, po ndalemi veç tek Kosova, e cila që në fillimet e saja ka ofruar 3 herë me shumë së Shqipëria fonde si dhe ka blerë 20 respiratorë të rinj.
Nga qeveria Rama po shohim marrjen e masave ekstreme që sic e thamë në fillim shqiptarët janë dakord pasi ato janë parandaluese për përhapjen e virusit, por ato do të mbarojnë një ditë. E nëse shqiptarët nga dëshira apo paniku po i zbatojnë këto masa me përpikmëri dhe përhapja e virusit do të jetë e madhe siç të paktën e tha Rama sot, pyetja që shtrohet është: Sa qeveria ka bërë që të iu vijë në ndihmë shtetasve të saj përballë kësaj situate kritike. A mjaftojne 3.5 milione eurot e deklaruara si zhbllokim fondi per situaten thuajse kaotike qe ndodhemi?!
Opozita shqiptare, ende kur Rama mburrej se kjo sëmundje nuk na prek, ska nevojë për panik se rreziku eshte i ulet, ka propozuar planin e masave të saj publikisht, por që ra në veshin e shurdhër. Një pjesë e këtyre masave janë vënë në zbatim nga qeveria, ajo më kryesorja jo. Nuk është akorduar buxheti i nevojshëm në këtë situatë. Askush nuk di, ose të paktën nuk ka transparencë nga qeveria, gjë të cilën e bëjnë të gjitha qeveritë të cilat po përballën me një situatë të paprecedente në historinë e njerëzimit.
Ndaj, në vend të propogandës, masave ekstreme kur shoqëria i është përgjigjur, qeveria duhet të zgjidh qesen për blerjen e respiratorëve (aparateve të oksigjenit), mjeteve për gjithë personelin mjekësor në çdo spital, ndihmën ndaj shtresave të varfëra që e kanë të pamundur të ushqehen nëse kjo situatë do të zgjas etj. Qeveria duhet të interesohet të ketë një plan konkret veprimi, ose të paktën të implementoj plotësisht propozimet e opozitës pa komplekse me qëllim që situata të jetë sa më lehtësuese.
Kur me të drejtë ju kërkojmë njerëzve të rrinë në shtëpi, si do t’i sigurojnë shumica e tyre të ardhurat për ushqime dhe mjete higjeno-sanitare?
Kur me të drejtë ju kërkojmë njerëzve të rrinë në shtëpi, si do ti paguajnë faturat qytetarët në kushte të mungesës së të ardhurave nga mosshkuarja në punë, duke qenë se pjesa më e madhe e bizneseve do jenë të mbyllura? Pse hezitohet për PAKETËN E INTERNETIT FALAS per nxenesit qe qe jane en shtepi? Pse nuk alokohen fonde për të ngritur SOT pavione shtesë? Çfarë masash po merren për të rritur urgjentisht numrin e kiteve dhe paisjeve testuese? Po për paisjet respiratore dhe të trajtimit të të sëmurëve nga virusi, kur vetë qeveria paralajmëron dy herë në ditë se pritet rritje e numrit të të infektuarve?
Këto janë pyetje që meritojnë një përgjigjie.
Pra, shqiptarët reaguan iu përgjigjen qeverisë, presin që qeveria të iu përgjigjet atyre.