Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj ka njoftuar se do të hiqen targat diplomatike të automjeteve që përdorin Konsujt e Nderit në Shqipëri.
Në një deklaratë për mediat, ministri Cakaj u shpreh se këto janë privilegje në shkelje të ligjit, pasi në raste të tilla përcaktohet se vendoset vetëm një shenjë dalluese në mjet dhe jo targa të tilla.
Sipas Gent Cakajt, në Shqipëri janë 38 Konsuj Nderi që mbajnë targa diplomatike në automjetet e tyre dhe përfitojnë privilegje kur udhëtojnë brenda dhe jashtë vendit.
Ministri i Jashtëm bëri me dije gjithashtu se për zbatimin e kësaj mase do të bashkëpunohet edhe me Ministrinë e Brendshme dhe atë të Transportit.
‘Shqipëria është e nderuar t’i ketë këta Konsuj Nderi. Ky privilegj special unikal në Europë është i pajustifikueshëm, prandaj ai duhet të marrë fund. Zyra e protokollit do të fillojë menjëherë me kontaktimin e tyre dhe janë të detyruar të dorëzojnë targat diplomatike dhe të pajisen me shenjën ovale.
Në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Transporteve do të veprohet në eficencë të plotë për të marrë masat që targat në fjalë të dalin jashtë funksionit. Kjo masë nuk ndërlidhet me emra të veçantë, por vjen nga domosdoshmëria e respektimit të ligjit’, tha ministri i Jashtëm Gent Cakaj.