Përdorimi i drogave dhe alkoolit është një problematikë që ka prekur shumë shoqëri. Përqindja e personave që vuajnë nga çrregullimet në përdorimin e drogave dhe alkoolit në vendet e rajonit është më e lartë se mesatarja botërore. Në Shqipëri, ajo përllogaritet 2.33%, duke u renditur pas Malit të Zi dhe Bosnjës, e cila mban rekordin në rajon për përqindjen më të lartë.
Në Bosnjë-Hercegovinë, përqindja e individëve që kanë çrregullime me përdorimin e drogave dhe alkoolit është 3.53%, ndërsa në Malin e Zi, rreth 2.47%.
Shqipëri dhe Serbia janë në të njëjtin nivel, me një diferencë shumë të ngushtë, respektivisht 2.33 dhe 2.32%.
Maqedonia ka nivelin më të ulët, ku sipas të dhënave të publikuara nga Our World in Data, përqindja e individëve që vuan nga varësia e drogave dhe alkoolit është 2.27%.Përhapja e çrregullimeve të përdorimit të substancave (alkool dhe drogë) është më e lartë në Europën Lindore dhe Shtetet e Bashkuara, me një përhapje të çrregullimeve me 5-6% të popullsisë.
Kjo do të thotë se 1 në 20 individë atje vuan nga varësia prej substancave. Në Europën Perëndimore dhe Qendrore, Amerikës së Veriut dhe të Jugut dhe Oqeanisë, kjo përhapje zakonisht varion nga 2-5%. Në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Azi, përhapja zakonisht është më e ulët në 1-2%. Kur krahasojmë ndërmjet gjinive çrregullimet e përdorimit të substancave, janë më të përhapura te meshkujt sesa femrat.
Është vlerësuar se rreth 164 milionë njerëz në botë kanë një çrregullim të përdorimit të alkoolit ose drogës.
Varësia e përdorimit të alkoolit ose drogës përcaktohet nga Klasifikimi Ndërkombëtar i Sëmundjeve si prania e tre ose më shumë treguesve të varësisë për të paktën një muaj brenda vitit. Pirja e duhanit nuk është e përfshirë në këtë përqindje.