Pjesë nga intervista e kryetarit te PD, Lulzim Basha, në Vizion Plus.
Basha: Shqipëria ka mundësinë të bëjë 3 herë më shumë sesa ka bërë deri tani me paketën e ndihmës. 120 milion euro koncesione për 10 oligarkë duhet të anullohen.
Pyetje: Ashpërsimi i masave duket se ka mbyllur një pjesë të konsiderueshme të bizneseve në vendin tonë. Nëse kjo situatë zgjat, rrezikojmë një kolaps, ndërkohë që kam informacione nga biznese të ndryshme të cilët kanë menduar reduktime drastike të stafeve të tyre. Si zgjidhet situata ekonomike në Shqipëri?
Lulzim Basha: Qeveria është shumë vonë në marrjen e masave për të përballuar një front tjetër të kësaj lufte që është kriza ekonomike. Ne kemi pothuajse 3 jave që kemi propozuar paketën tonë, disa propozime janë pranuar, me vonesë por janë pranuar. Unë e kam përshëndetur pranimin e tyre. Por nga ana tjetër nuk po zbatohen. Akoma nuk e dimë nëse në fund të marsit njerëzit që janë mbyllur në shtëpi, qofshin ata të vetëpunësuar apo punëmarrës tek bizneset të cilat janë mbyllur dhe nuk janë në gjendje të paguajnë pagat e punonjësve të tyre, do të kenë mundësinë të kenë minimumin jetik të garantuar në kontot e tyre bankare. Për këtë kemi kërkuar transparencë. Kemi kërkuar që masat e marra dhe të shpallura të detajohen dhe njerëzit ta dinë se kush përfiton dhe si përfiton. Deri tani nuk e kemi këtë.
Pyetje: A e ka mundësinë Shqipëria për këtë?
Lulzim Basha: Pa diskutim. Shqipëria ka mundësinë të bëjë 3 herë më shumë sesa ka bërë deri tani, në kuptimin e fondeve buxhetore, dhe për këtë ne kemi treguar fare qartë se ku janë paratë. 120 milion euro të cilat janë të buxhetuara këtë vit për 12 koncensione për 10 oligarkë, siç i njeh tashmë populli, duhet të anullohen menjëherë. Afro 40 milion euro në shpenzime operative duhet të ridestinohen menjëherë. Afro 100 milion euro në investime publike, mund të ridestinohen menjëherë. Në vend të kësaj shohim që vetëm në 10 ditët e fundit, kanë shkuar afro 30 milion euro për beton. Betoni nuk është prioritet sot. Sot prioritet është shëndetësia, siguria e jetës së qytetarëve, janë shtresat në nevojë të cilat po afrohen në një pikë vlimi ku nuk kanë më me çfarë të përballojnë të përditshmen e tyre dhe është ndërtimi i mekanizmave për të mbrojtur ekonominë. Të gjithë ekonominë, biznesin e vogël pa diskutim pasi është prioritet. Është motori i ekonomisë, është shtylla kurrizore e ekonomisë, fermerët po kështu por edhe punëmarrësit e mëdhenj. Masat duhet të jenë të vendosura, duhet të jenë të shpejta sepse kjo, njësoj si fillimi i krizës, së infektimit nuk pret. Në qoftë se i shkojmë nga mbrapa, atëherë dëmet do të jenë shumë të mëdha dhe do të na kushtojnë shumë më shumë se në rastin kur veprojmë menjëherë, ashtu siç kemi sugjeruar, ashtu siç kemi propozuar me masa konkrete. Është koha për të frenuar çdo shpenzim korruptiv dhe abuziv. Siç e thashë, 30 milionë euro për beton do të mjaftonin 2 muaj për 70 mijë punonjësit e fasonerisë me pagë minimale.