BallinaEkonomiFMN: Ulja e pragut të TVSH-së rriti koston për bizneset, shtoi ngarkesën...

FMN: Ulja e pragut të TVSH-së rriti koston për bizneset, shtoi ngarkesën për tatimet, por nuk solli të ardhura

spot_img
spot_img

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin e asistencës teknike për administrimin e të ardhurave. Raporti në përgjithësi është pozitiv dhe vlerëson progresin në modernizimin e administratës dhe sistemit të taksimit. Ka evidenca se nismat e reformave në të tre komponentët e administratës—njerëzit, proceset dhe teknologjia—–po japin rezultate të prekshme, thuhet në raport.

Megjithatë, rekomandon FMN, duhet të ruhet ritmi i ndryshimit në mënyrë që të arrihen objektivat e reformave.

Por FMN ka shprehur rezerva për efektin që ka sjellë në buxhet ulja e pragut të TVSH-së, për rikthimin e vonesave në rimbursimin e TVSH-së si dhe ka dhënë rekomandime për mbledhjen e detyrimeve të papaguara të bizneseve.

Në raport, FMN i ka kushtuar vëmendje uljes së pragut të TVSH-së për biznesin e vogël nga 5 në 2 milionë lekë, që filloi të zbatohet nga 1 prilli i vitit të kaluar. Në raport thuhet se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve (DPT) u përball me një sfidë të madhe në 2018 në menaxhimin e një zgjerimi të madh të regjistrit të TVSH-së, pas reduktimit të pragut të regjistrimit. Ky reduktim futi rreth 13,000 biznese të vogla në sistemin e TVSH-së për herë të parë në prill 2018. Kjo përbënte një rritje prej gati një të tretën në regjistrin e TVSH-së.

FMN vlerëson se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e përballoi këtë sfidë në mënyrë profesionale dhe tepër të organizuar. Si rrjedhojë, normat e përmbushjes së deklarimit ishin tepër të larta me 96% të 13 mijë bizneseve që dorëzuan deklaratat e TVSH-së.

Megjithatë, FMN thekson se ky zgjerim i regjistrit të TVSH-së do të ketë një ndikim të vazhdueshëm negativ në ngarkesën e punës të DPT- dhe kostot e përmbushjes së deklarimeve për bizneset e vogla – pa sjellë rritje të konsiderueshme të të ardhurave. FMN ka vlerësuar tatimet për kalimin me sukses të 13,000 mikro-bizneseve në sistemin e TVSH-së në vitin 2018. Por, Fondi ka theksuar se menaxhimi i këtij grupi të tatimpaguesve në vazhdimësi vendos një barrë të shtuar në DPT me kthim të vogël, sa i përket rendimentit të të ardhurave. Gjithashtu sjell kosto shtesë për bizneset më të vogla dhe nuk ka gjasa të ketë ndonjë ndikim material në reduktimin e hendekut tatimor. (FMN, ishte që në fillim kundër uljes së pragut të TVSH-së, pikërisht me argumentin se ai do të rriste ngarkesën për tatimorët pa sjellë rritje të ardhurash-Shënim i Monitor).

FMN ka shprehur kritika dhe për vonesat në rimbursimin e TVSH-së. “Problemi i vazhdueshëm i rimbursimeve të vonuara të TVSH-së duhet të adresohet. Kjo është një barrë administrative e panevojshme për administratën – shkaku kryesor i së cilës qëndron në parashikimin e dobët të taksave dhe menaxhimin e parave të qeverisë. Integriteti dhe besueshmëria e sistemit të TVSH mbështetet në kreditimin e ligjshëm të TVSH-së, që janë pagesa që duhen kthyer shpejt. Është shqetësuese që kjo çështje ka dalë sërish në pah, pasi u adresua disa vite më parë“.

Deri në tetor, detyrimi i TVSh-së që duhet të rimbursohet ishte 14.4 miliardë lekë, me një rritje prej 3 miliardë lekësh vetëm në tetor. 26% e këtij detyrimi është për eksportuesit ndërsa pjesa tjetër për projektet e mëdha për gazsjellësin, hidrocentralet dhe naftën.

FMN ka vënë në dukje se niveli i borxhin tatimor është ulur, sidomos pas amnistisë fiskale, ndërsa saktësia e regjistrave është përmirësuar. Total ii detyrimeve të bizneseve ishte 107 miliardë lekë deri në 31 October 2018, krahasuar me 111.5 miliardë lekë në tetor 2017 dhe 147 miliardë lekë në 2016-n. 56% e detyrimeve i përkasin subjekteve passive dhe FMN rekomandon që duhet një strategji për fshirjen e tyre. monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular