IPR Marketing dhe RTV Ora publikon sondazhin e parë për këtë vit. Sondazhi është në nivel kombëtar dhe intervistat janë zhvilluar javën e kaluar, janë përpunuar dje dhe sot eshte marrë rezultati përfundimtar. Kampioni i përdorur janë rreth 2000 zgjedhës dhe përfaqësojnë gjithë popullatën rezidente në Shqipëri. Nga Tirana janë 31.3% të intervistuarve.
Në studion e programit “Tempora” të Sonila Meços dhe nën komentin e Administratorit të IPR Marketing, Antonio Noto, analistëve dhe opinionistëve të njohur Artur Zheji, Dritan Hila dhe Ben Andoni, shqiptarët po njihen me rezultatet e sondazhit të parë për këtë vit, në nivel kombëtar mbi çështjet kryesore të aktualitetit.
Sondazhi: 62 % duan te ikin nga Shqiperia
Pyetjes: Nëse do të jepej mundësia, a do të largoheshe nga Shqipëria?
Emigracioni është një fenomen që në Shqipëri ka ardhur në rritje. Sipas sondazhit të IPR Marketing të publikuar në RTV ORA, janë 62.2% e shqiptarëve që duan të largoheshin nëse do t’i jepej mundësia. 35.1% janë përgjigjur se do të qëndrojnë në Shqipëri dhe 2.8 % kanë thënë: “nuk e di”.
Pyetjes: Sipas jush, në 3 vitet e fundit kriminaliteti në Shqipëri është…
Krimi si një çështje që ka trazuar shoqërinë, por edhe klimën politike vazhdon të jetë problem për qytetarët shqiptarë. Krahasuar me 3 vitet e fundit, 53.4% e shqiptarëve mendojnë se krimi në vend është rritur. Të paktë janë ata që mendojnë të kundërtën, ku 17.0% mendojnë se ky fenomen ka pësua rënie. Janë 23.6% e shqiptarëve që mendojnë se krimi është po në të njëjtat nivele si para 3 vitesh. Ndërsa 5.9 % thonë se nuk e dinë nëse është rritur apo ka rënë.
Pyetjes: Sipas jush në 3 vitet e fundit ekonomia e Shqipërisë është…
Shqiptarët mendojnë se ekonomia shqiptare nuk është përmirësuar në 3 vitet e fundit. Sipas sondazhit të IPR Marketing, 20.9% e shqiptarëve mendojnë se ekonomia është përmirësuar, ndërsa 43.3 % mendojnë se ekonomia shqiptarë është përkeqësuar. 34.7% e qytetarëve mendojnë se ekonomia është njësoj si para 3 vitesh. Ndërsa 1.1% janë përgjigjur nuk e di.
Pyetjes: Cilat janë 3 problemet më urgjente për tu zgjidhur në Shqipëri?
Nga sondazhi i IPR, rezulton se shqiptarët janë të shqetësuar për papunësinë. Me 60.1% ata e kanë renditur papunësinë si problemin urgjent që duhet të zgjidhet.
Më pas vjen korrupsioni, ku 53.2% e shqiptarëve mendojnë se kjo çështje është urgjente për tu zgjidhur. Në vendin e 3-të si problem për tu zgjidhur shqiptarët kanë renditur varfërinë me 45.4%.
Pyetjes: Sipas jush Shqipëria po shkon…: 49 % po shkon ne drejtim te gabuar
Janë 40.8% e qytetarëve shqiptarë që mendojnë se Shqipëria po shkon në drejtimin e duhur. Ndërsa 49.0% thonë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar. 10.2% thonë se nuk e dinë.
Pyetjes: Në krahasim me 3 vite më parë, në Shqipëri jetohet…40 % jetohet njesoj
Duke bërë një krahasim me 3 vite më parë, 18.5% mendojnë se jetohet më mirë, ndërsa 39.7% mendojnë se në Shqipëri jetohet më keq. Janë 40.5 % e shqiptarëve që mendojnë se jetohet njësoj si para 3 vitesh. 1.2 % janë përgjigjur “nuk e di”.
Pyetjes: -Sipas jush sot në Shqipëri jetohet? 59.7 % mendojne se ne Shqiperi nuk jetohet mire
Pyetjes sesi jetohet në Shqipëri, 34 % e shqiptarëve janë përgjigjur pozitivisht, ndërsa 59.7% mendojnë se në Shqipëri nuk jetohet mirë. Ndërsa 5.5% janë përgjigjur nuk e di.
Kampioni i sondazheve
Antonio Noto: Sondazhi është në nivel kombëtar. Intervistat janë zhvilluar javën e kaluar dhe janë përpunuar dje dhe sot kemi rezultatin prëfundimtar. Është kampioni që kemi përdorur gjithmonë. Rreth 2000 zgjedhës në Shqipëri dhe përfaqësojnë gjithë popullatën rezidente në Shqipëri. Nga Tirana janë 31.3% të intervistuarve.
Sondazhet sulmohen nga humbesit
Antonio Noto: “Jemi mësuar me sulmet kudo në botë. Sepse ne shihemi edhe si magjistarë por nuk jemi në të vërtetë, bëjmë një punë shkencore dhe jo magjie. Sondazhet sulmohen nga humbësi dhe kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri por kudo. Por me kalimin e viteve është rritur besimi i sondazheve.”
Kush është IPR Marketing – Rikthehet në Shqipëri me sondazhin e parë për këtë vit mbi situatën në vend në bashkëpunim me RTV ORA. IPR Marketing, një nga shoqëritë lider në Itali, e specializuar ne kërkimet, studimet dhe analizat e opinionit publik dhe tregut prej më shumë se 26 vjetësh, me përvojë të suksesshme ndërkombëtare.
Tradita 12 vjeçare – Kjo është traditë e konsoliduar 12 vjeçare e prezantimit të sondazheve, që masin opinionin publik para e përgjatë fushatave zgjedhore. Kulmon me zgjedhjet dhe EXIT Poll-et.
Suksesin e kësaj tradite dëshmojnë sondazhet e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009, 2013 dhe 2017, si dhe ato lokale të vitit 2015 së bashku me exit-pollet përkatëse.
/Ora News.tv/