Ministria e Shëndetësisë referuar shifrave të Shërbimit Social njofton se në vitin 2018 numri i personave që janë njohur zyrtarisht me një aftësi të kufizuar në Shqipëri është 141,740 ( 4.8 % e popullsisë së vendit).
Nga këta, 73,425 persona janë invalidë pune që përfitojnë si nga pagesat e sigurimeve shoqërore ashtu edhe nga pagesat shtesë të skemës së mbrojtjes sociale dhe 68,315 fëmijë e të rritur që marrin pagesat e aftësisë së kufizuar dhe përfitime të tjera në sistemin e mbrojtjes sociale. Nga këta të fundit, 19 060 persona (28%) marrin edhe pagesë për të mbuluar shërbimin e ndihmësit personal që më parë është quajtur shërbimi i kujdestarisë.
Ministria e Shëndetësie është duke ndërmarrë një reformë në skemën e trajtimit financiar të kësaj shtresë, ky synohet kursim i fondeve në vitet në vijim.
Deri në vitin 2024 synohet të ulet me 27% numri i përfituesve në skemë, të cilët nuk shfaqin aftësi të kufizuar apo shfaqin aftësi të kufizuar të lehtë dhe referohen në shërbime të tjera rehabilituese dhe integruese.
Synohet të shkurtohen fondet për këtë shtresë po me 27 për qind deri në vitin 2024.
Reforma synon të integrojë në tregun e punës personat me aftësi të kufizuar përmes shërbimeve mbështetëse të arsimit, formimit profesional dhe programeve të nxitjes së punësimit.
Gjithashtu synohet rritja e mbulimit me shërbime shoqërore të personave me aftësi të kufizuar, i matur në %, ku deri në vitin 2024, 100% e personave të referuar nga komisionet e vlerësimit të marrin shërbime të përkujdesit social nga njësitë e vetëqeverisjes vendore të qarkut të Tiranës. Ky përshkallëzim do të ndiqet në mënyrë progresive për të gjitha qarqet e tjera referuar periudhës së implementimit.
Ndryshimet në legjislacionin në fuqi do të realizohen fillimisht përmes amendimit të kuadrit ligjor ekzistues, deri në vitin 2020, për të krijuar hapësirat ligjore për zbatimin e skemës së reformuar dhe paralelisht duke lejuar hapësirat e zbatimit të skemës ekzistuese në qarqet ku nuk do të zbatohet kjo reformë, duke bërë kujdes që të mos krijohet mbivendosje në legjislacion.
Sipas Ministrisë se Shëndetësisë, paketa e re ligjore për zbatimin e vlerësimit bio-psiko-social të aftësisë së kufizuar që do të zbatohet në rang vendi kur të jetë realizuar shtrirja progresive deri në vitin 2024 do të reflektojë kombinimin e përfitimeve të pagesave në Cash me shërbimet e integruara. Monitor