Rënditemi ndër vendet e para vetëm kur bëhet fjalë për nivelin e korrupsionit. Por kur vjen puna te liria e medias, respektimi i të drejtave të njeriut dhe të bërit biznes rënditemi mes vendeve të fundit. Madje edhe sa i përket testimeve për Koronavirusin, Shqipëria rënditet mes fundit.
Ky është një fakt që e tregon qartazi faqja e specializuar “Worldmeters”, ku vendi ynë rënditet pranë shteteve që edhe në hartë është vështirë ti gjesh: Nigeri, Xhibuti apo Nepal.
Siç shihet në tabelën e mëposhtme, vendi ynë deri tani ka kryer vetëm 3877 teste, ndërkohë që shtetet fqinje rënditen para nesh, përjashtuar Malin e Zi me rreth 600 mijë banorë që ka më pak teste se Shqipëria.
Bosnje Hercegovina numëron 10,975 teste; Maqedonia e Veriut 8057, për më të mos folur më pas për shtete si Greqia me 42,261 teste apo Serbia me mbi 18 mijë testime.
Nuk dihet nëse kjo është një strategji e qeverisë për të fshehur shifrat e vërteta të pandemisë, të cilat do të fusnin në kolaps një sistem shëndetësor të falimentuar tashmë nga shifrat e frikshme të koncesioneve, por faktet tregojnë se edhe në luftën kundër Koronavirusit rënditemi të fundit.
Në këtë rast njhë falenderim i madh i duhet dhënë qytetarëve shqiptarë, që në një mnënyrë shumë të kulturuar dhe qytetare kanë respektuar masat e nevojshme. Se po të linim shëndetin në duart e qeverisë, fundi dihej…