Nga Klodian Tomorri
Ky është lajmi më i mirë këto kohë. Vendi ka marrë goditje të fortë në bilancin e pagesave duke u vendosur përpara nevojave urgjente për financim të jashtëm.
Për shkak të strukturës së ekonomisë, Shqipëria është një nga vendet me nevojat më të larta për financim të jashtëm.
Për shkak të mbylljes së turizmit, rënies së dërgesave të emigrantëve dhe flukseve të tjera valutore, defiçiti i llogarisë korente pritet gati të dyfishohet këtë vit duke arritur në 11 për qind të PBB.
Në total, nevojat emergjente të këtij viti për financimin e llogarisë korente vlerësohen në mbi 1.2 miliardë euro.
Nga këto, investimet e huaja neto mund të mbulojnë 700 mln euro, pjesa tjetër do të duhet të sigurohet ose nga paketat e ndihmës, ose duke shpenzuar rezervën valutore.
Dy paketat e kredive nga FMN dhe BE shkojnë 350 milionë euro duke lehtësuar presionin edhe në kursin e këmbimit.
Megjithatë, në kushtet kur suksesi i eurobondit mbetet në dilemë, financimi i bilancit të pagesave do të jetë sërish sfidë, veçanërisht në pjesën e nevojave direkte të qeverisë.
Të shohim çfarë do të ndodhë me Maqedoninë e Veriut. Me gjasa, Maqedonia do të dalë në treg për eurobond shumë shpejt. Nëse ata do të arrijnë të sigurojnë borxh me interesa të pranueshme, ndoshta Shqipëria duhet të dalë menjëherë më pas.
Shqipëria nuk ka qenë ndonjëherë kaq afër vijës së falimentit teknik sa këtë herë. Ekonomia pësoi dy goditje binjake të njëpasnjëshme, fillimisht nga tërmeti, më pas nga pandemia.
Me gjasa borxhi ynë publik do të kërcejë mbi 75 për qind në fund të vitit. Dhe kur kjo të ketë mbaruar, do të na duhet të kujtojmë se shtetet mund të falimentojnë po aq lehtë sa individët.