Tërheqja e Shqipërisë nga zbatimi i nenit 8 dhe 11 nga Konventa Europiane nuk shihet me pozitivitet, ndonëse vet Konventa e parashikon në nenin 15 të saj, që në raste lufte apo gjendje të jashtëzakonshme, një veprim i tillë nga shtetet që aderojnë në të, mund të ndërmerret.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, shprehet se Shqipëria duhet të ruaj kriterin e proporcionalitetit. “Kriter i rëndësishëm është proporcionaliteti, i cili mbetet për t’u vlerësuar sa herë që qeveria jonë do të vendosë kufizime për të drejtat dhe liritë e parashikuara, në nenet për të cilat ka deroguar (shmangur detyrimet). Proporcionaliteti kërkon që këto masa të mos tejkalojnë nevojën apo gjendjen për të cilën janë vendosur. Por cilat janë disa nga të drejtat që nëse shkelen, qytetarët shqiptarë nuk mund ta çojnë çështjen në gjykatën ndërkombëtare? “Të drejtat dhe liritë konventor, për të cilat është bërë derogimi, pra që legjitimojnë ndërhyrjet e shtetit për të kufizuar në mënyrë të përkohshme moszbatimin e Konventës Europiane, janë e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës; liria e tubimit paqësor dhe e organizimit me të tjerët, duke përfshirë dhe të drejtën e themelimit me të tjerë të sindikatave dhe të pjesëmarrjes në to; e drejta për gëzimin paqësor të pasurisë, e drejta për arsim dhe liria e lëvizjes”, vijoi Skëndaj.
Çdo shtet, që ka aderuar në Konventën Evropiane (KEDNJ), që ushtron këtë të drejtë derogimi, mban plotësisht të informuar Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës për të gjitha masat e marra dhe arsyet pse ato janë marrë. Pra, Konventa Europiane (KEDNJ) e parashikon shmangien nga detyrimet e saj, por kjo shmangie nuk mund të jetë absolute dhe kërkon plotësimin e një sërë kriteresh të listuara më sipër. Kriter i rëndësishëm është proporcionaliteti, i cili mbetet për t’u vlerësuar sa herë që qeveria jonë do të vendosë kufizime për të drejtat dhe liritë e parashikuara, në nenet për të cilat ka deroguar (shmangur detyrimet). Proporcionaliteti kërkon që këto masa të mos tejkalojnë nevojën apo gjendjen për të cilën janë vendosur. Proporcionaliteti gjithmonë kërkon zbatimin e një testi shumë të rëndësishëm, nëse kufizimet e vendosura mund të realizohen me masa sa më pak kufizuese dhe jo represive. Në çdo rast, këto masa nuk duhet të jenë johumane, pasi Konventa nuk lejon që as në gjendje lufte apo rreziku, njerëzit t’i nënshtrohen trajtimit ç’njerëzor (johuman) apo degradues. Bazuar në opinionet e Komisionit të Venecias dhe Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës, parimi i domosdoshmërisë kërkon që masat emergjente, që vijnë për shkak të derogimit, të jenë në gjendje të arrijnë qëllimin që synojnë me ndryshime sa më minimale të rregullave apo procedurave të vendimmarrjeve demokratike. Diskrecioni i qeverisë për të nxjerrë aktet në kushtet e emergjencës nuk mund të kthehet në një carte blanche (karte e bardhë), që pushteti legjislativ i akordon ekzekutivit. Gjithashtu, aktet e miratuara prej tij (ekzekutivi) duhet të formulohen, në mënyrë sa më të ngushtë të jetë e mundur, sipas rrethanave konkrete, me qëllim që të ulin riskun për abuzime potenciale.
Çfarë u rrezikohet shqiptarëve nga kjo tërheqje?
Referuar informacionit të medias, të drejtat dhe liritë konventor, për të cilat është bërë derogimi, pra që legjitimojnë ndërhyrjet e shtetit për të kufizuar në mënyrë të përkohshme moszbatimin e Konventës Europiane, janë e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës; liria e tubimit paqësor dhe e organizimit me të tjerët, duke përfshirë dhe të drejtën e themelimit me të tjerë të sindikatave dhe të pjesëmarrjes në to; e drejta për gëzimin paqësor të pasurisë, e drejta për arsim dhe liria e lëvizjes. Sikurse e përmenda dhe më sipër, vetë Konventa ka parashikuar disa kritere dhe procedura për derogimin. Këto duhet të respektohen, por gjithashtu vendi ynë duhet të respektojë një parim të rëndësishëm themelor kushtetues kur parashikon kufizime të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.
Si i gjykoni ndryshimet në Kodin Penal?
Procedura e përshpejtuar e miratimit të amendamenteve në Kodin Penal, përveç se në shkelje të nenit 83/3 të Kushtetutës, nuk mundësoi gjithashtu konsultimin e thelluar dhe gjithëpërfshirës me specialistë të së drejtës penale, Kushtetutës dhe të fushës së mjekësisë. Veçanërisht në kushtet e kësaj krize humane, e drejta penale duhet të reflektojë përpjekjet liberale të institucioneve për ta humanizuar atë, duke vendosur në peshore, në mënyrë të balancuar, interesin e shoqërisë nga njëra anë dhe të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Kuvendi i RSH i dha përparësi plotësimit të një vakumi ligjor në një situatë të papërshtatshme, dhe në mënyrë disproporcionale nuk u morën në konsideratë interesi themelor i individit në realitetin tonë social – ekonomik.