BallinaKryesoreIPSOS çertefikon një Shqipëri që po heq dorë nga Demokracia

IPSOS çertefikon një Shqipëri që po heq dorë nga Demokracia

spot_img
spot_img

Nga Ilir Nikolla

Në labirintin e sondazhit parashikues të IPSOS për botën e dekadave që do të vijë zbulojmë një Shqipëri që ka çertifikuar dështimin në ndërtimin e institucioneve demokratike. Në kaosin e shifrave që janë mbledhur në 33 vende të botës, që nga demokracitë në zhvillim e deri tek ato evropianoperëndimore, që cilësohen si kampione të sistemit, nuk e kemi të vështirë të lexojmë dëshpërimin e shoqërisë shqiptare, e cila s’ka mundur pas 30 viteve tranzicion të garantojë një shëndetësi të barabartë, respektim të të drejtave të njeriut, mbrojtje të më të dobëtëve nga egërsia e garës së tregjeve të lira dhe ndërtim të një të ardhmeje të sigurtë.

Pikërisht, perspektivat e të ardhmes janë në qendër të sondazhit të IPSOS, një punë kërkimore që bëhet prej vitesh e që prodhon dokumente jo pa polemika (të tilla si raportet e 2013-s e 2016-s), por vërtetësia e të cilave nuk mund të vihet në dyshim, veç në qofshim të mbytur nga teoritë e konspiracionit mbi rendin e ri botëror. Dhe në këto shifra, vendi ynë i vogël spikat për keq në jo pak raste. Në Shqipërinë që ka rrënuar pyjet, shpopulluar malet dhe rrënuar strukturat e fshatrave e qyteteve, shifra e atyre që mendojnë se ndryshimet klimatike do t’ua bëjnë edhe më të vështirë të ardhmen është shumë mbi mesataren botërore (87 % e shqiptarëve mendojnë kështu), 84 % e jona parashikojnë një të ardhme të zymtë për shkak të pabarazive në sistemin e drejtësisë, ndërkohë që entuziazmi tek hapja e tregjeve ka rënë në minimum. Shqiptarët që besojnë tek tregjet e lira janë afro 47 % përkundër 48 % që s’besojnë më tek magjia e tregut të lire (kjo shifër ishte dikur në nivelin 90 %).

Ky pesimizëm shifror përkthehet në dy statistika të frikshme për perspektivën e demokracisë në Shqipëri. Megjithëse diktatura tek ne ishte më e egra në Evropë dhe e solli popullsinë në buzë të urisë, 35 % e të pyeturve për sondazhin e ISPSOS deklarohen se kanë nostalgji për sistemin e vjetër, për “të mirat” e tij. Shifra mund të mos duket shumë e lartë, por po të kemi parasysh urinë dhe mungesën e çfarëdo lirie dhe të drejte gjatë 50 viteve diktaturë, dëshira e një të tretës së shqiptarëve për t’u kthyer prapa, se “ishim më mirë kur ishim keq” rrëfen dëshpërimin e madh dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen. Në të njëjtën linjë, kjo mungesë perspektive i shtyn shqiptarët të kërkojnë një dorë të fortë që t’i udhëheqë. 77 % e tyre kërkojnë një lider të fortë që t’i drejtojë. Ky profil përputhet disi me mungesën e reagimit ndaj shkeljes flagrante të të drejtave kushtetuese gjatë kësaj epoke pandemie, si dhe me heshtjen e turpshme që ka pasuar ekzekutimin e institucioneve kushtetuese këto 3-4 vitet e fundit.

Në një interpretim të gabuar, disa media e analistë flasin se shifra 77 % e shqiptarëve që kërkojnë një lider të fortë është tregues i pakënaqësisë ndaj Edi Ramës. Në fakt, sondazhi i IPSOS na rrëfen se demokracia po humbet terren në një vend si Shqipëria, se fitoret e 1990-s nuk po mbrohen sa duhet, prandaj edhe shifra 77 % flet më shumë se po reshtim e s’po luftojmë për demokracinë, ajo tregon në vija të trasha identikitin e “diktatorit” që po kërkojmë apo që e kemi gjetur.
Edhe pse optimistët e pandreqshëm mund ta interpretojnë 77 përqindëshin si një dëshirë utopike për të kërkuar “diktatorin e ndritur”, udhëheqësin e ndriçuar që do na drejtojë drejt të ardhmes së paqartë, sido që ta rrotullosh, kjo shifër është shumë pesimiste. Shqiptarët s’kanë nevojë të ecin udhëve të pashkelura. Përzgjedhjet i kemi bërë njëherë më 1990, prandaj veç ato fitore duhen mbrojtur, s’duhet të hidhemi në humnerë, me shpresën miope se ndoshta s’do përplasemi e s’do të vritemi. Shifrat e IPSOS rrëfejnë se demokracia në Shqipëri është në moment të vështirë, prej këndej edhe duhen nxjerrë mësimet, jo të bredhim pas pësimeve, duke i interpretuar si ylli polar i së ardhmes.

P.S Linku i raporti të plotë të IPSOS Global Trends 2020
https://www.ipsos.com/…/global-trends-2020-understanding-co…

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular