BallinaKryesoreU aplikua në Shqipëri për 50 vite/Çfarë ishte “Taksa e Karantinës”, nga...

U aplikua në Shqipëri për 50 vite/Çfarë ishte “Taksa e Karantinës”, nga taksimi i udhëtarëve te shfuqizimi i saj

spot_img
spot_img

Shqipëria është përballur disa herë më epidemi, kryesisht murtaje dhe kolere. E në këtë kushte, ka aplikuar edhe karantinën si masë mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Madje, për rreth 50 vite në pikat kufitare të Shqipërisë paguhej edhe Taksa e Karantinës, që u merrej udhëtarëve, anijeve dhe paguhej edhe për mallrat. Bashkë me këtë taksë, paguhej edhe taksa tjetër që njihej si Taksa Veterinare që merrej për kafshët dhe produktet e tyre.

Ekzistencën e kësaj takse e përmend Haxhi Shkoza te “Financat e Shqipnis’” ku evidenton se ajo erdhi në vendin tonë si rrjedhojë e masave që u aplikuan në të gjithë Perandorinë Osmane, ku vendi ynë bën pjesë.

Image

“Taksa e karantinës është marrë në bazë të ligjit të datës 31 maj 1871 nga Administrata e Karantinës duke nxjerrë dhe shpenzuar vetë pa qenë paraparë në buxhetet e shtetit.  Kjo taksë quhej dikur “Taksë Shëndetësije Personale” dhe merrej prej udhëtarëve, anijeve e sendeve.

Një taksë tjetër e ngjashme ishte taksa veterinare e emërtuar “Taksë Shëndetësije Shtazore” dhe merrej përkundrejt shërbimit veterinar mbi kafshët dhe lëndët e tyre, kur ato kalonin në vende të caktuara tokësore ose detare” shkruan Haxhi Shkoza.

Taksa që duhej paguar ishte e kategorizuar në madhësinë e anijeve duke nisur nga 3 grosh për anijet që mbanin ngarkesa deri në 1 ton dhe 36 grosh në maksimum për anijet më të mëdha se 7 ton. Tarifat për t’u paguar ishin aq të detajuara sa parashikonin edhe pagesën që duhej bërë për dezinfektimin e rrobave mbi bazën e shkallës së vështirësisë që duhej për dezinfektimin e tyre.

Sipas Shkozës, legjislacioni financiar i mësipërm u pranua edhe nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës dhe duhet të jetë mbajtur në fuqi edhe gjatë kohës së pushtimeve të huaja pas 1915 deri në 1919. Si argument për këtë, Haxhi Shkoza thotë se mund të paraqitet buxheti i Prefekturës së Vlorës bërë deri në vitin 1920 nga ish sundimi Italian në të cilin shihen këto shënime : “Taksë dhe e drejtë ankorazhi për barkat dhe velierat e akostuara në kapitenerinë e portit dhe gjirin e Vlorës. Të drejta për vizita shëndetësore të anijeve që akostohen në gjirin e Vlorës”.

Kjo taksë ka funksionuar në portet shqiptare deri në dhjetorin e vitit 1920 kur me një vendim të qeverisë së kohës u ndalua mbledhja e taksave veterinare duke u theksuar se nuk do të mblidhej më as Taksa e Karantinës.

Ndërkohë, pak më vonë taksat veterinare janë ridimensionuar por nuk u diskutua më për Taksën e Karantinës, duke lënë në fuqi vendimin për mosmbledhjen më të saj. në ligjin për shërbimin veterinar fundit të viteve ’20 theksohej detyrimi për dezinfektimin e kafshëve që vinin nga jashtë dhe për ndërtimin e vendeve të karantinës e dhomave të dezinfektimit për to.

Në ligjin për Organizimin e Shëndetësisë Publike të 16 qershorit të vitit 1927 urdhërohej se në çdo port të vendit funksionojnë zyrat e Shëndetësisë Detare, stacione e roje shëndetësie.

Image

 

Gjithashtu në vende të posaçme krijohen edhe lazareta dmth. stacione shëndetësore për karantina. Qëllimi i tyre ishte të mbrontre pasurinë blegtorale të vendit nga sëmundjet ngjitëse.

Si u vendos Taksa e Karantinës nga Perandoria Osmane

Përgjatë shekujve, vende të ndryshme të botës janë prekur nga epidemi të ndryshme, të cilat shkaktonin vazhdimisht viktima.

Praktika e karantinës duke izoluar personat e infektuar nisi të zhvillohej që në shekujt e 14-15 megjithatë në Perandorinë Osmane nuk u aplikua para vitit 1830, ndryshe nga sa kishte ndodhur në Europë.

Për shumë shekuj, ideja ishte refuzuar me argumentin se vdekja ishte e parashkruar dhe nëse dikush do të ishte destinuar të vdiste, do të ishte e pavlerë që të tentonte të ndryshonte fatin e tij.

Deri në këtë periudhë, karantina bëhej me vullnet të lirë,  pra nuk ishte një detyrim i imponuar nga ligji.

Nga ana tjetër, vendet europiane kishin zhvilluar reformën e karantinës me qëllim që të zhvillonin tregtinë përmes detit, pa rrezikuar që të bëheshin transportues të sëmundjeve të ndryshme që qarkullonin, si murtaja apo kolera që ishin shumë të përhapura.

Forcimi i marrëdhënieve tregtare mes vendeve europiane si Britania e Franca që kishin zhvilluar një marinë tregtare të fuqishme dhe orientimi i tyre drejt Perandorisë Osmane do të detyronte këtë të fundit që të merrte masa për izolimin e sëmundjeve duke prezantuar në listën e gjatë të reformave edhe atë që njihet si Reforma e Karantinës.

Për këtë qëllim në vitin 1838 u prezantua Reforma e Karantinës në Perandorinë Osmane. Për këtë qëllim u ngrit edhe Administrata e Karantinës. Modeli i karantinës i aplikuar në vendet e Perandorisë Osmane, përfshirë dhe Shqipërinë, ishte huazuar nga vendet europiane.

Synimi ishte ai i kufizimit të përhapjes së sëmundjeve ngjitëse që vinin si rrjedhojë e tregtisë, pelegrinazhit, turizmit apo lëvizjes së trupave ushtarake.

Infrastruktura që u ngrit në porte dhe në pikat kufitare të perandorisë parashikonte regjistrimin e anijeve, udhëtarëve e mallrave dhe pasjen e një certifikate origjine të vulosur nga autoritetet përkatëse ku dëshmohej se vendi nga vinin mallrat apo udhëtarët ishin të paprekur nga sëmundje si murtaja apo kolera.

Më pas, pasagjerët e sëmurë ose pasagjerët në anijet që mund të mbartnin murtajën, duhet të shkonin në zonat e posaçme  të karantinës që emërtoheshin ndryshe ‘lazarets’.

Sistemi i detyruar i karantinës parashikonte kontrollin e pandërprerë, sigurimin e ushqimit për personat që ishin në karantinë, banjo, dhoma të posaçme dhe hapësirat e nevojshme.

Debati për karantinën dhe taksimi i udhëtarëve

Vendosja e karantinës nga Perandoria Osmane solli debate të shumta në atë kohë me vendet europiane. Zyrtarët osmanë ankoheshin se sistemi i karantinës kishte kosto të larta dhe kjo bëri që ata të merrnin të drejtën që të rrisnin tarifat për anijet që udhëtonin përmes ujërave që ishin në administrim të Perandorisë Osmane.

Arsyeja është se çmimi prej 40 piastrash që ishte vendosur në fillim nuk shërbente as për të mbuluar 1/10 e buxhetit që nevojitej për të mbajtur në këmbë sistemin e karantinës që po aplikohej.

Në Konferencat Ndërkombëtare të Shëndetësisë që mbaheshin vazhdimisht u diskutua që masat që duhej të merreshin për mbrojtjen e shëndetit të njerëzve nuk duhej të dëmtonin tregtinë ndërkombëtare.

Përgjatë viteve bëheshin vazhdimisht studime të ndryshme shkencore, shpeshherë edhe barbare për të faktuar mënyrën e përhapjes së sëmundjes, çka do të shërbente më pas edhe për të përjashtuar nga sistemi i taksimit një rrugë të caktuar si.psh mallrat, nëse ato rezultonin se nuk ishin përçuese të sëmundjes.

Në vitin 1842, zyrtarët osmanë u shqetësuan për kostot e larta që kishte sistemi i karantinës për financat e Perandorisë dhe paralajmëruan mundësinë e mbylljes së stacioneve të karantinës; pra që sistemi i ngritur po falimentonte. Në këto kushte, zyrtarët osmanë propozuan që të shtohej një taksë e re, tashmë jo vetëm për mallrat por edhe për udhëtarët.

Image

 

Në këtë propozim, u kërkua edhe rritja e taksës për anijet, me qëllim që sistemi i karantinës të kishte financat e nevojshme për të mbajtur në këmbë sistemin e ngritur.

Britanikët dhe francezët që kishin anijet me tonazhin më të lartë në ujërat osmane do të ankoheshin dhe do të arrinin deri aty sa do të kritikonin numrin e lartë të personelit të Administratës së Karantinës dhe faktin se punonjësit e saj ishin të mbipaguar.

Jo në pak raste, sistemi i karantinës përdorej në funksion të luftës tregtare ndaj edhe me kalimin e viteve u krijuan komisione të përbashkëta. Gjatë kësaj periudhe, ka pasur shpërthime të vazhdueshme të kolerës e te murtajës çka e bëri të domosdoshëm mbajtjen e sistemit të karantinës për shumë vite me radhë.

Veç kolerës e infeksioneve të tjera, në Perandorinë Osmane ka pasur për rreth 600 vite, nga 1347 deri në Turqinë moderne të 1947, shpërthime të vazhdueshme të murtajës çka ka shkaktuar pasoja të thella në shtetin osman, veçanërisht në fushën e shëndetit publik./ SCAN

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular