Eksperti i Shëndetit Publik, Erion Dasho, ka apeluar për moskufizim dhe më shumë liridalje për qytetarët.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Dasho shkruan se ka metoda të tjera që mund të aplikohen dhe jo mbyllje. Nëse respektohen masat, vë në dukje ai, atëherë edhe rreziku i përhapjes minimizohet.
“Nuk bllokohet liqeni! Madje, e kundërta! Mund të mbahet hapur 24 orë, që njerëzit të kenë aktivitetin fizik aq të nevojshëm. Mund të vendosen persona përgjatë rrugëve që t’u kujtojnë njerëzve rregullat e ecjes dhe distancimit në kohën e COVID. Mund të caktohen fasha të dedikuara, p.sh. 5 me 8 për të moshuarit, 9 me 14 për familjarët, 14 me 18 për vrapuesit dhe çiklistët, 18 me 5 e hapur për këdo etj. Ka edhe shumë metoda të tjera, por vetëm mbyllje jo. Transmetimi i virusit në mjedise të hapura, ku njerëzit janë në lëvizje është minimal (madje, sipas disa studimeve, nuk ndodh). Mësoni, o ‘ekspertë’ nga bota, se i nxitë jetën dhe e terrorizuat miletin”, ka shkruar Dasho.
Situata me numrin në ulje të shtrimeve në spital nuk përligj masat e qeverisë. Për epidemiologun Ilir Alihmehmeti, për gati 2 javë nuk është shënuar asnjë humbje jete dhe për disa ditë me radhë nuk ka pasur asnjë shtrim në spital.
“Secila bashki ndodhet në nivele të sigurta kontrolli të epidemisë. Asnjë vdekje prej 14 ditësh. Asnjë shtrim i ri në spital prej disa ditësh. Asnjë shtrim i ri i rëndë në spital prej shumë ditësh”, ka shkruar doktori në rrjetet sociale. Kujtojmë që në dy ditët e fundit, në vendin tonë janë konfirmuar 36 raste të reja.