Depresioni prek miliona njerëz në botë dhe shkaktohet nga kombinimi i komplikuar i faktorëve socialë, psikologjikë dhe biologjikë.
Simptomat fizike të depresionit
Simptomat fizike të depresionit janë të shumta siç janë luhatjet në regjimin e gjumit, mungesë oreksi dhe rënie të energjisë.
Përpos tyre, njeriu vuan edhe nga dhimbjet e kokës ose të shpinës.
Disa njerëz përjetojnë edhe ndryshime në peshën e tyre.
Këto simptoma shfaqen sepse depresioni ndikon në disa zona të caktuara të trurit që kanë të bëjnë me mënyrën se si funksionon organizmi, transmeton AgroWeb.
Për pasojë, njerëzit që vuajnë nga depresioni janë ndjeshëm më të rrezikuar nga dhimbja kronike.
Njerëzit e prekur nga depresioni kanë mungesa të thella të gjumit, por nga ana tjetër, ata janë tepër të drobitur dhe duan të flenë më shumë.
Trajtimi i depresionit nëpërmjet terapive dhe medikamenteve mund të lehtësojë edhe simptomat fizike.
Por nëse pas trajtimit njeriu përjeton sërish dhimbje fizike, atëherë depresioni nuk është eliminuar plotësisht.
Veprimet që nxisin depresionin
Sipas ekspertëve, veprimet e mëposhtme kanë tendencën të nxisin depresionin ose ta përkeqësojnë atë.
Fiksimi pas gjërave që shkojnë keq, është një prej tyre.
Njerëzit që shohin vetëm anën negative të jetës kanë prirje depresive, thonë ekspertët. Sipas tyre, njeriu duhet të gjejë të mesmen e artë në jetë.
Njerëzit që abuzojnë me alkoolin ose substancat narkotike për t’i shpëtuar realitetit ku jetojnë, mund të jenë duke vuajtur nga depresioni.
Një gjë e tillë është e rrezikshme sepse kthehet në një rreth vicioz nga i cili është e vështirë të dalësh.
Izolimi nga shoqëria dhe njerëzve të dashur, është gjithashtu një tregues se një person mund të jetë prekur nga depresioni.
Veç tij, përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale dhe ekspozimi ndaj lajmeve tragjike janë veprime që jo vetëm e nxisin por edhe përkeqësojnë depresionin. Një person që i bën këto të dyja ka tendencën tu japë nota shumë dramatike shqetësimeve të ditës dhe t’i fryjë ato.
Pasja e një marrëdhënie toksike, mungesa e gjumit, moskujdesja për veten, kequshqyerja dhe mungesa e aktivitetit fizik janë katër veprime të tjera që luajnë një rol të një rëndësie kyçe për depresionin dhe mënyrën se si ai e pushton njeriun.
Personat e prekur nga depresioni kanë nevojë për një mbështetje shumë të madhe dhe mbi të gjitha durim dhe mirëkuptim.
Përveç ushqyerjes, aktivitetit fizik dhe trajtimit me barna të depresionit të rekomanduara nga mjeku, ekspertët rekomandojnë edhe përdorimin e bimëve mjekësore të caktuara që qetësojnë shpirtin, mendjen dhe për pasojë edhe organizmin plotësisht.