Me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do të vetizolohen, porse për ta do të ketë kontrolle të detajuara mjekësore.
Ai ka shtuar se pas analizës së bërë IKSHPK-ja ka rekomanduar ndryshim të masave shtesë.
“Kontrollin e detajuar mjekësor të të gjithë qytetarëve që hyjnë në Kosovë. Që nga dita e hënë propozoj që qytetarët që hyjnë në Kosovë nuk do t’i nënshtrohen vetëizolimit dhe në vend të testimit për ata që hyjnë do të jetë kontrolli i detajuar. Më lejoni të ju njoftoj që nga dita e hënë hiqet edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 05:00 deri në ora 21:00. Kërkojmë që të zbatohen me përpikëri rekomandimet”, ka shtuar ai.
Po ashtu, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka propozuar që të fillohen konsultimet për hapjen e fluturimeve.
“Në këtë pjesë, mendoj se edhe hapja e fluturimeve është mjaftë e rëndësishme. Prandaj me lejen e juaj do të kisha filluar konsultimet me Autoritetin e Aviacionit Civil me MSH-në dhe kompanitë ajrore që të rifillojnë fluturimet duke zbatuar masat ndaj COVID-19 në mënyrë që të marrim një miratim”, tha ai cituar nga Telegrafi.
Veç kësaj, nga dita e hënë largohen të gjitha masat tjera të vendosura më parë, duke përfshirë lirinë e qarkullimit dhe rikthimi në normalitet.