Grupi i Partive Popullore Europiane i rikujtoi Shqipërisë 15 kushtet që duhet të përmbushë para thirrjes së konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat. Këtë javë parlamenti miraton një rezolutë për Ballkanin Perëndimor dhe të djathtët paraqitën një amendament specifik për Shqipërinë.
Ndërsa Komisioni i BE-së përgatit kornizën e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore, Parlamenti Europian diskuton këtë javë një rezolutë për gjithë Ballkanin Perëndimor.
Rezoluta e hartuar nga eurodeputeti socialist kroat Tonino Picula është cilësuar e përgjithshme nga Grupi i Partive Popullore Europiane dhe që anashkalon 15 kushtet e vendosura nga Këshilli i BE-së për Shqipërinë.
Kjo nxiti eurodeputeten Kinga Gàl të paraqesë një amendament të posaçëm për Shqipërinë. Amendamenti kërkon që rezoluta të përmendë faktin që konferenca e parë ndërqeveritare midis Shqipërisë dhe BE-së të mblidhet vetëm pas plotësimit të 15 kushteve.
“Nënvizohen 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria të ketë përmbushur përpara thirrjes Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet anëtare.”
Shqetësimi i eurodeputetëve erdhi pasi në Këshillin Kombëtar të Integrimit nuk u përmendën 15 kushtet e BE-së e sidomos ato që lidhen me hetimin dhe dënimin e krimeve elektorale, anulimin e paketës anti-shpifje dhe nevojën për zgjedhje të lira e të ndershme.
Megjithatë Parlamenti Europian ka një rol dytësor në procesin e negociatave dhe vendimmarrja u përket drejtpërdrejt vendeve anëtare. Kjo u sanksionua veçanërisht në metodologjinë e re të zgjerimit.
Nga ana tjetër, qëndrimet e eurodeputetëve lidhen me përkatësinë e tyre politike dhe lobimet që vijnë nga palë të caktuara politike të vendeve kandidate e në proces anëtarësimi.