Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësja e saj kryesore, Sandra Sugawara, dhanë dorëheqjen të hënën, duke thënë se Michael Pack, shefi ekzekutiv i sapo miratuar i Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM), që mbikëqyr edhe Zërin e Amerikës, gëzon të drejtën t’i zëvendësojë ato me ekipin e zgjedhur prej tij.
Bennett dhe Sugawara, të dyja gazetare me përvojë të gjatë, drejtojnë Zërin e Amerikës që nga viti 2016, duke e zgjeruar ndjeshëm mbulimin me lajme dhe kronika. Zëri i Amerikës është agjenci e pavarur lajmesh e qeverisë amerikane që prodhon programe televizive dhe radioje në 47 gjuhë si dhe në faqen e internetit voanews.com.
Në letrën e tyre të dorëheqjes drejtuar qindra punonjësve, redaktorëve dhe stafit teknik të Zërit të Amerikës, Bennett dhe Sugawara thanë se ato kishin sjellë ndryshime për mirë gjatë katër viteve të fundit.
Ato flasin në letër mbi përpjekjen “pasionante dhe të fuqishme” të kësaj agjencie për t’i treguar audiencës se ç’është Amerika, përmendin “përqëndrimin te puna për të hedhur poshtë të pavërtetat dhe dezinformimin kudo në botë; vëmendjen e treguar për historitë e grave, të refugjatëve dhe të kolegëve gazetarë në të gjithë botën.”
Bennett dhe Sugawara i thanë stafit të Zërit të Amerikës se “asgjë që lidhet me ju, me pasionin tuaj, me misionin apo integritetin tuaj nuk ndryshon” me ardhjen e zotit Pack në krye të Zërit të Amerikës dhe organizatave të tjera mediatike të qeverisë amerikane.
“Michael Pack u betua para Kongresit për të respektuar murin mbrojtës që garanton pavarësinë e Zërit të Amerikës dhe që luan rolin më të rëndësishëm tek besimi i jashtëzakonshëm që ka tek ne audienca në të gjithë botën,” thuhet në letër.
Por ardhja e zotit Michael Pack në krye të USAGM me një kontratë tre vjeçare të miratuar nga Senati ka qenë një proces i vështirë.
Presidenti Donald Trump e emëroi zotin Pack, bashkëpunëtor i njërit prej përkrahësve më të flaktë ideologjikë të tij, ish-kryestrategut të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Bannon, më shumë se dy vjet më parë. Por miratimi u bllokua nga demokratët e Senatit deri vonë, pjesërisht për shkak të shqetësimeve të tyre në lidhje me aludimet për përfitime të paligjshme financiare në bizneset e tij.
Javët e fundit, Presidenti Trump e ka kritikuar Zërin e Amerikës për mënyrën e mbulimit të lajmeve për Kinën gjatë krizës së koronavirusit. Më 15 maj, i pyetur për emërimin e zotit Pack, Presidenti Trump tha: “Zëri i Amerikës menaxhohet në një mënyrë të tmerrshme. Ata nuk janë Zëri i Amerikës. Ata janë e kundërta e Zërit të Amerikës.”
Në atë kohë, zonja Bennett komentoi në mbrojtje të misionit dhe raportimeve të kësaj agjencie lajmesh, që financohet nga SHBA.
“Ne eksportojmë Amendamentin e Parë për njerëzit në mbarë botën që nuk kanë qasje tjetër në informacione faktike, të vërteta dhe të besueshme,” tha zonja Bennett.
“Kjo është arsyeja pse më shumë se 80% e 280 milion njerëzve që na ndjekin në 47 gjuhë dhe në mëse 60 vende, thonë se kanë besim te puna jonë,” u shpreh ajo.