Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka anuluar pjesëmarrjen për dialogun me Serbinë, i parashikuar të mbahej më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë.
Ky vendim i Hotit vjen pas akuzave që Prokuroria Speciale ngriti për Presidentin Hashim Thaçi dhe kreun e PDK, Kadri Veselin, ku akuzohen për vrasje dhe tortura gjatë luftës në Kosovë.
Përmes një shënimi në Facebook, kreu i ekzekutivit në Kosovë thotë se është i detyruar të kthehet në vend për t’u marrë me situatën.
Gjatë ditës së djeshme edhe presidenti Thaçi njoftoi se nuk do të marrë pjesë në takimin e ndërmjetësuar për dialogun me Serbinë, ndërsa i akuzuari tjetër, Kadri Veseli akuzat e Speciales i cilësoi të pabaza dhe tërësisht politike.
“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për tu marrë me situatën. E kam njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë”, shkruan Hoti.