Partia Agrare ambjentaliste ka reaguar me nje deklaratë ndaj sjelljes së qeverisë me Bujqësinë.
“PAA në datën 26.06.2020 i kërkoi MBZHR të qartësonte politikat dhe paketat antikrizë për bujqësinë dhe sektorët e saj të cilët po paguajnë dëme te mëdha nga pandemia. Fatkeqësisht edhe pas përgjigjes nga Ministria, dhe sidomos pas shkurtimeve që i është bërë mbështetjes së bujqësisë me aktin normativ të ndryshimeve në buxhetin 2020, konstatohet një strategji mediatike e fshehjes së realitetit duke e zbukuruar atë”, thuhet në njoftim.
Ja deklrata e plotë:
Partia Agrare Ambientaliste (PAA) si zëri publik i fermerit, blegtorit, peshkatarit dhe agropërpunuesit shqiptar proteston për neglizhencën e institucioneve shtetërore dhe vonesën e marrjes së masave konkrete në mbështetje financiare të bujqësisë.
PAA në datën 26.06.2020 i kërkoi MBZHR të qartësonte politikat dhe paketat antikrizë për bujqësinë dhe sektorët e saj të cilët po paguajnë dëme te mëdha nga pandemia. Fatkeqësisht edhe pas përgjigjes nga Ministria, dhe sidomos pas shkurtimeve që i është bërë mbështetjes së bujqësisë me aktin normativ të ndryshimeve në buxhetin 2020, konstatohet një strategji mediatike e fshehjes së realitetit duke e zbukuruar atë.
Siç vërtetohet nga debati publik vetëm MBZHR ka realizuar një tender me vlerë 2.913.333 milion lekë për reklama dhe makiazhin e saj politik. Reklamat janë para të keq përdorura aq më tepër në sektorin që po vuan më rëndë dhe më gjatë pasojat e pandemisë.
Sipas analizës së perfomancës buxhetore për periudhën Janar – Prill 2020 rezulton se:
Me rishikimet në buxhet bujqësia ka pësuar ulje të mbështetjes buxhetore me 552 milion lekë dhe
Shkalla e realizimit të buxhetit gjatë 4 mujorit të parë është më e ulët se në ministritë e tjera.
Më konkretisht MBZHR për periudhën Janar-Prill 2020 ka përdorur vetëm 16% të buxhetit vjetor, por ka (keq) përdorur 25% të shpenzimeve operative, por ka realizuar vetëm 10% të investimeve kapitale që janë jetike për fermerët, blegtorët, agrobiznesin dhe agroturizmin.
Shpenzimet operative ku përfshihen edhe reklamat janë realizuar 1.5 herë më shumë se totali i shpenzimeve dhe 2.5 herë më shumë se investimet publike në bujqësi. Shifrat janë kokë forta dhe hedhin poshtë çdo demagogji dhe arrogancë të financuar nga taksat e shqiptarëve.
PAA i bën thirrje shoqërisë civile dhe ekspertëve të talentuar të qarqeve universitare të nxisin dhe marrin pjesë aktive në strategjinë e daljes nga kriza dhe në strategjinë e zhvillimit afatgjatë të bujqësisë.